Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Thaçi: Marrëveshja me Serbinë, jetike për integrimet e Kosovës

Nga Klodiana 0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet këto ditë në Nju Jork, ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Mbrëmë Presidenti Thaçi u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prani të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federika Mogherini.
Sipas zyrtares së lartë të BE-së, takimi ishte vazhdim i dialogut mes të dy vendeve me ndërmjetësinë e BE-së për normalizimin tërësor të marrëdhënieve mes tyre.

Mohgherini tha se përparimi i të dy vendeve drejt integrimit evropian është i lidhur ngushtë me përparimin në dialogun mes tyre.

Pjesë nga intervista

Zoti President, kohët e fundit janë intensifikuar komentet si nga Beogradi edhe Prishtina për fazën e re të dialogut. Presidenti i Serbisë është shprehur se “nuk mund t’i fshihemi më realitetit” ndërsa ju para disa ditësh u shprehët për Zërin e Amerikës, se “dua të besoj që do të hapet një faqe e re e dialogut që nënkupton perspektivën e sigurt të Kosovës për t’u integruar në organizatën e OKB-së”. Ministri i jashtëm i Serbisë iu përgjigj komenteve tuaja duke thënë se “Presidenti Thaçi ushqen iluzione, Serbia kurrë nuk do të njohë Kosovën”. Ku e mbështesni ju optimizmin për anëtarësimin e Kosovës në BE-, a ka ndonjë përparim në këtë drejtim dhe kur parashikoni që kjo të ndodhë?

Është jetike normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë për ecjen përpara të të dy vendeve në perspektivën evropiane por edhe në perspektivën euro-atlantike për Kosovën, sepse Kosova është e përcaktuar që të jetë pjesë e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ne, ka një kohë që të dy vendet jemi në një gjendje status quo-je, prandaj kemi menduar që është jetike në këtë moment ,nën udhëheqjen e zonjës Mogrehini dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të fillojë një fazë e re e dialogut. Një dialog që mund të them që do të sjellë marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e plotë dhe pajtim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të krijonte një mundësi që me të vërtetë Serbia ta njohë realitetin në Kosovë, siç ka deklaruar edhe vet presidenti Vuçiç, por edhe Kosova të vazhdojë në perspektivën e saj të anëtarësimit sa më të shpejtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, një marrëveshje mes dy vendeve tona me udhëheqjen e Bashkimit Evropian, mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më tepër paqe, stabilitet dhe fqinjësi e mirë jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe mbrëmë në takimin që zhvilluam në zyrat e BE-së këtu në New York, nën udhëheqjen e zonjës Mogrehini, u konfirmua se ne duhet të lëvizim më shpejt në një proces më dinamik dhe me shpresë se ky proces do të përmbyllet me një marrëveshje finale, që do të nënkuptonte njohje të realiteteve të ndërsjella dhe perspektivë të sigurt të të dy vendeve për perspektivën evropiane. Por, e ritheksoj edhe për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ky është edhe synimi ynë.

A ekziston mundësia e anëtarësimit të Kosovës në OKB edhe pa u njohur nga Serbia?
Realisht ne duhet të punojmë maksimalisht me të gjithë partnerët tonë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të punojmë edhe me vendet hezituese në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por në momentin që arrihet një normalizim i plotë raporteve Kosovë-Serbi, atëherë askush nuk ka asnjë të drejtë as morale e as politike, as ndërkombëtare që të vejë veto për Kosovën në Këshillin e Sigurimit.

Çfarë nënkuptoni me normalizim të plotë të marrëdhënieve?
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve nënkupton njohjen e realiteteve të ndërsjella, ne jemi vende sovrane, kemi perspektivë të sigurt Evropiane. Ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë sipas kritereve dhe standardeve evropiane të një bashkëpunimi të ndërsjellë institucional, duke mos e penguar, por lehtësuar njëra tjetrës rrugën për perspektivën evropiane.

Por jo domosdoshmërisht nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, apo jo?
Njohja e Kosovës nga Serbia nuk mund të pritet menjëherë por ajo është një proces i pandalshëm dhe do të ndodhë herët a vonë, mirëpo është herët të spekulojmë apo prejudikojmë se si do të përmbyllet marrëveshja përfundimtare, por ne do të punojmë që diçka e tillë të ndodhë në përmbyllje të këtij procesi.

Zoti president, ju keni deklaruar se marrëveshjen përfundimtare me Serbinë do ta hidhni në referendum. A mund të ndani me ne përse e shihni të nevojshëm referendumin?
Mendoj se marrëveshja përfundimtare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje historike. Ne kemi pasur për më tepër se një shekull probleme, armiqësi dhe luftëra me njëra tjetrën. Serbia ka kryer edhe gjenocid në Kosovë. Në momentin që arrihet një marrëveshje e tillë historike e normalizimit dhe pajtimit, mendoj se nuk është vetëm aspekt procedural por është aspekt edhe jetik i vullnetit të qytetarëve dhe këtë marrëveshje unë mendoj që të dy vendet dhe popujt tanë duhet ta vulosin me vet vullnetin e tyre përtej procedurave dhe pengesave të politikave ditore, qoftë të qeverive tona, qoftë të parlamenteve tona. Pra, vet qytetarët e vendit të Kosovës të vulosin këtë marrëveshje, a janë në favor apo nuk janë, por jam i sigurt se qytetarët e Kosovës duan të jenë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara sepse edhe e meritojnë, dhe duan që të lëvizim sa më shpejt për anëtarësim edhe në NATO dhe perspektivë evropiane dhe e theksoj; e ardhmja evropiane e Kosovës dhe e ardhmja evropiane e vet Serbisë varen nga normalizimi i raporteve tona të ndërsjella, sepse me këto raporte të ndera nuk do të mund të lëvizim shpejt, mirë dhe në mënyrë produktive. Përkundrazi, mund të kalojmë në një fazë të një status quo-je të re që do ta paguajnë me çmim jo të lehtë të dyja vendet dhe popujt tanë.

 

/voa/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej