Ka than' i moçmi: 

"Besa, pra, mund të ketë shumë në këtë botë, atdheu është vetëm një."

- Çajupi

Të shpëtojmë Valbonën

Nga Skenderi 0

Shfrytëzimi i pikës turistike të Valbonës për qëllime ekonomike nëpërmjet turizmit apo HEC-eve, i çon faktet nga perspektiva turistike. Turizmi në Valbonë punëson disa herë më shumë se HEC-et, sjell mbi 22 milionë euro kontribut vjetor në ekonomi dhe është marketingu më i madh i Shqipërisë jashtë vendit, përballë 14 HEC-eve që nuk rrisin prodhimin e energjisë as me 2%, që çojnë fitimet vetëm në tre biznese dhe punësojnë disa dhjetëra persona. Beka i GIZ: Nëse do të kishte analizë ekonomike, do t’i jepej përparësi turizmit. Problemet me kontratat dhe loja e qeverisë për shmangien e tyre…

 

Blerina Hoxha

 

Buldozerët kanë nisur të gërmojnë për të ndërtuar të 3-tin nga 14 hidrocentralet e planifikuara mbi lumin e Valbonës në hyrje të perlës turistike të vendit, ndërsa institucionet e Tiranës po e çojnë qetësisht timonin në një drejtim të dyshimtë që po lejon zhvillimin e tyre. Nën petkun e ligjit, procedurave dhe kostove që ka prishja e kontratave, ministritë e qeverisë shqiptare po e hedhin topin në portën e njëra-tjetrës, se cila do të marrë përgjegjësinë për prishjen e kontratave, duke anashkaluar disa anomali të dukshme që ka shfaqur procesi i dhënies së tyre dhe që nëse do të ishte vullneti i dihur politik do të mund të çonin në bllokimin e HEC-eve pa kosto.

Por zhvillimet e deritanishme flasin në favor të HEC-eve dhe jo të zhvillimit të turizmit në Valbonë. Dy nga tre kontratat, Tplani dhe Gener 2 i kanë kaluar të gjitha fazat e dokumentacionit, duke marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe janë në nisje të punës. Kontrata e tretë, “Valbona Project Company” sh.a., që është edhe më e madhja pasi planifikon të ndërtojë 9 HEC–e, pret të marrë lejen nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Këto ditë, Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur shqetësimeve të një qytetari për HEC-et në Valbonë nga rrjeti social Facebook, tha se “për një kontratë të mbyllur, shteti duhet të paguajë në arbitrazhe ndërkombëtare një kosto të madhe. Madje shumë më tepër se sa çfarë mund ta imagjinosh në ëndrrën më të keqe”.

Nëse qëndrimet shkojnë në këtë hulli, projektet që parashikojnë të fusin në tubacion së paku 17 kilometër të lumit Valbonë dhe të katër përrenjve që derdhen në këtë lum do të nisin të zhvillohen me intensitet.

Ky plan e minon tërësisht turizmin në këtë zonë, e cila tërheq për shkak të natyrës së paprekur mijëra turistë në vit nga të gjitha anët e globit. Të ardhurat që Tropoja merr nga turizmi llogariten nga autoritetet vendore disa miliona euro në vit dhe kanë një shpërndarje të madhe në zonë, për shkak të zinxhirit të madh të furnizimit që është i lidhur me zonën turistike. Por potenciali turistik është ende në nisje, pasi shërbimet nuk janë të organizuara.

 

Bilanci, Valbona fiton më shumë me turizmin se me HEC-et

 

Turizëm apo HEC-e në Valbonë janë dy mundësi investimi që po shkojnë në front të kundërt me njëra-tjetrën. Turizmi ka avantazh vetëm natyrën e bukur dhe banorët e zonës, që pa asnjë mbështetje, ia kanë dalë të tërheqin turistë nga e gjithë bota dhe të shndërrojnë Valbonën si marketingun më të mirë për Shqipërinë jashtë vendit.

Në anën tjetër, HEC-et kanë pasur në krah gjithmonë qeveritë si para 2013-s dhe qeverinë e tanishme, interesat e të cilave për të fituar kanë prevaluar mbi të gjitha interesat publike.

Me gjithë këto zhvillime, po të vësh në peshore se cili sjell më shumë të ardhura në ekonominë e Valbonës, turizmi apo HEC-et, bilanci flet për nga turizmi.

Sipas kalkulimit të të dhënave zyrtare, ekonomia e vendit përfiton nga vizitorët në Valbonë rreth 23 milionë euro në vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ditë-qëndrimi mesatar për një turist në Shqipëri është pesë ditë, ndërsa shpenzimet mesatare janë 6 euro në ditë. Sipas të dhënave nga Bashkia e Tropojës, vitin e kaluar, pika turistike e Valbonës është vizituar nga së paku 60 mijë turistë. Më së paku, fitimi vjetor nga vizitorët e Valbonës i kalon të 20 milionë euro në ekonomi teksa numri i turistëve është duke u rritur me 20% nga viti në vit dhe gjithashtu edhe kapacitetet e akomodimit.

Teksa përfitimet kalojnë disa milionë euro, e rëndësishme është se ato lidhen me faktin se shpërndahen në shumë familje. Hajredin Selimaj, i cili ka një bujtinë në qendër të zonës, thotë se me biznesin e tij e kanë të lidhur jetesën edhe rreth 50 familje të Tropojës. Secila bujtinë në Tropojë furnizon me të ardhura dhjetëra familje të tjera. Valbona është dora e zgjatur për banorët e qytetit verilindor, që është pjesë e qarkut më të varfër në vend. Turizmi në zonë ka nxitur mbarështimin e bagëtive autoktonë. Lopët e vendit, dhitë dhe delet racë e moçme janë një biznes me fitim. Tregu është i garantuar, madje me çmim të lartë. Rritja e numrit të vizitorëve nga dita në ditë po nxit lulëzimin e fermave blegtorale. Banorët e atjeshëm kanë nisur të jetojnë mirë dhe po u përshtaten kërkesave të turizmit për të rritur fitimet. Turistët vijnë për natyrën e bukur, por edhe për ushqimin e shijshëm, thotë Hajredini. Për shkak të turizmit ka marrë hov zhvillimi i bletarisë dhe blegtorisë, por edhe shërbimeve të transportit. Në hyrje të Valbonës në Dragobi, vjet nisi punën një fermë me 300 dhi, i zoti i saj është rikthyer për të nisur jetën në vendin e tij të lindjes.

Të tjerët që nuk kanë pasur mundësi të hapin bujtina, janë angazhuar në zinxhirin mbështetës, si bujqësia, blegtoria dhe shërbimet. Marangozët e vjetër, po rikthejnë profesionet. Lokalet janë me orendi artizanale. Tavolinat e rrumbullakëta në formë sofre i prodhon një nga vendasit. Sektori i transportit në zonë po zhvillohet gjithashtu për shkak të turizmit malor. Dy tragete bëjnë linjën e rregullt për transportin e turistëve përmes liqenit të Fierzës që është një atraksion më vete.

Por potencialet e zhvillimit të zonës janë shumë më të mëdha, pasi shërbimet e turizmit janë ende në fillesa dhe kanë hapësira për maturim.

Nëse do të ndërtoheshin HEC-et dhe do të hiqej dorë nga turizmi, bilanci i përfitimit ekonomik do të ishte shumë i ulët. Të tre kontratat parashikohet që në maksimumin e tyre të prodhojnë 327 milionë kilovatorë në vit energji elektrike, me një vlerë të përafërt tregu me çmimet e sotme jo më shumë se 30 milionë euro. Por biznesi i HEC-ve do të punësonte shumë herë më pak persona se turizmi dhe të ardhurat e fituara do të përqendroheshin në dorën e vetëm tre bizneseve. Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës, prodhimi i HEC-eve në Valbonë nuk ndikon as në 1% të shtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend.

Ismail Beka, përfaqësues i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ, i orientuar në mbështetja e turizmit rural në Shqipëri, tha se padyshim, nëse do të gjykonim nga përfitueshmëria ekonomike, turizmi ka prioritet në Valbonë. Zona është marketuar në tregjet ndërkombëtare dhe është pjesë e 10 operatorëve të mëdhenj globalë në turin e Mal i Zi-Theth-Valbonë-Çerem. Në dekadën e fundit, Thethi dhe Valbona kanë fituar status të veçantë në imazhin e Shqipërisë jashtë vendit për turizmin e natyrës së virgjër. I bazuar në shërbimet e turizmit familjar, përfitimet zgjerohen në shumë persona. Beka, si një ekspert i hershëm i turizmit familjar, pohoi se institucionet publike në vend, nëse do të kishin vënë në punë logjikën ekonomike, padyshim që do të kishin zhvilluar dhe investuar në turizmin familjar, për të cilin kërkesa globale është në rritje gjithnjë e më shumë. Ai tha se ndërtimi i HEC-eve do ta minojë këtë lloj turizmi, pasi shumë nga vizitorët vijnë edhe për shkak të veçantisë së lumit Valbona.

Me aq sa ka studiuar situatën, Beka dhe se kontratat kanë shumë mangësi ligjore, të cilat mund të jenë referencë për qeverinë që të ndalojë punimet nëse ka vullnet.

 

Beka i GIZ

Institucionet publike në vend, nëse do të kishin vënë në punë logjikën ekonomike, padyshim që do të kishin zhvilluar dhe investuar në turizmin familjar, për të cilin kërkesa globale është në rritje gjithnjë e më shumë. Ai tha se ndërtimi i HEC-eve do ta minojë këtë lloj turizmi, pasi shumë nga vizitorët vijnë edhe për shkak të veçantisë së lumit Valbona.

 

 

Ekspertët e pavarur ekzaminojnë shkeljet e rënda të lejeve mjedisore

 

Një grup ekspertësh mjedisi prej 9 personash me tituj shkencorë kanë bërë ekspertizë të pavarur nëse leja mjedisore e dhënë në vitin 2013 për ndërtimin e dy HEC-eve në Dragobi, është e bazuar në argumente shkencore. Kjo ekspertizë e kohëve të fundit, e dhënë nga dr. Abdulla Diku, prof. dr. Anila Paparisto, prof. dr. Aleko Miho, dr. Ermelinda Mahmutaj, prof. dr. Ferdinand Bego, prof. dr. Lulëzim Shuka, msc. Olsi Nika, prof. dr. Petrit Hoda dhe prof. dr. Spase Shumka, arrin në përfundimin se leja mjedisore për dy HEC-et e kontratës së parë në Dragobi përmban shumë mangësi dhe përfundime me të meta të rënda në studimin mjedisor.

Mbështetur në rishikimet e ekspertëve të fushave, duke përfshirë ekologjinë, florën dhe bimësinë, faunën, peizazhin, aspektet sociale dhe etike, studimi gjeti se ndikimi i dy hidrocentraleve në kaskadën e Dragobisë mbi florën dhe faunën tokësore e ujore është i fuqishëm.

Ndërkohë vihet re se ka pasur të meta të rënda në metodologjinë dhe strukturën e Vendimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), si mosvlerësim i përgjithshëm i ndikimeve, analizë sipërfaqësore e masave zbutëse (e ndikuar kjo nga mungesa e të dhënave), analizë sipërfaqësore (madje mungesë) e ndikimeve të devijimeve dhe zvogëlimit të rrjedhës së ujit mbi larminë biologjike të ujërave të ëmbla dhe habitateve përreth.

Nëntë ekspertët e pavarur kanë gjetur në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis mungesën e përafrimit të integruar të ekosistemeve, mungesën e analizës ndërdisiplinore, mungesën e plotë të komponentëve ekologjikë, të florës dhe faunës, dominimin e përqasjes inxhinerike dhe hidrologjike, varfërinë e elementeve metodologjike të përqasjes, mungesën e alternativave të tjera ndaj ndërtimit të HEC-eve dhe përqasjen e varfër të vlerësimit të ndikimeve dhe masave zbutëse.

Bazuar në këto gjetje, ekspertët e pavarur të mjedisit mendojmë se vlerësimi i paraqitur në raport nuk jep asnjë mundësi reale të të kuptuarit të përgjithshëm të ndikimeve mjedisore dhe socio-ekonomike që mund të shkaktojë ndërhyrja në kaskadën e Dragobisë.

Ata shprehen se, ky është një shembull tipik ku “skema” paraqet një gjobë për larminë biologjike, natyrën dhe shoqërinë dhe relativisht shembull i zakonshëm i “zhvillimit hidroenergjetik të babëzitur”, kur inxhinierët përpiqen të shfrytëzojnë përqindje të lartë të potencialit të hidrocentraleve (le të themi > 90%) dhe në këtë mënyrë të rrezikojnë dhe të lënë pas dore të gjitha vlerat e tjera të ekosistemit natyror të lumenjve tanë.

“Ne mendojmë se ka mundësi ndryshe, më pak shkatërruese, por vetëm nëse vlerësimet e shërbimeve të ekosistemeve (krahas shfrytëzimit të potencialit hidroenergjetik) realizohen në mënyrë shkencore, duke lënë hapësirë për mbajtjen e shërbimeve të rëndësishme ekologjike për gjallesat dhe shoqërinë” shprehen ekspertët e pavarur.

Vendimi i Ndikimit në Mjedis për dy HEC-et e Dragobisë është hartuar në qershor 2013, dhe Leja Mjedisore nga AKM është lëshuar më 23 korrik 2013, me vlefshmëri vetëm 2 vjet. Në leje theksohet se ajo mund të përsëritet ose dhe anulohet kur shfaqen elemente ekologjike të panjohura më parë, si në këtë rast. “Është për këtë që ne shpresojmë, se të gjitha këto janë arsye që qeveria të rinisë çështjen e ndërtimit të këtyre HEC-eve” shprehet grupi i ekspertëve.

Raporti i ekspertëve thotë se devijimet e ujit përmes tuneleve dhe zvogëlimi i sasisë së ujit në shtratin lumor do të shoqërohet me pasoja mjedisore të pariparueshme. Në dokument mungojnë analizat e logjikshme.

Rrjedha e ujit është përcaktuesi kryesor i mjedisit fizik në lumenj dhe përrenj, e cila, nga ana e saj, është një përcaktues kryesor i përbërjes biotike.

Njohuritë e ekspertizës së VNM-së lidhur me mbrojtjen e natyrës, me ekoturizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm janë shumë të cunguara.

 

 

Tre kontrata me 14 HEC-e në Valbonë

Burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikës shpjegojnë se janë dhënë tre kontrata koncesionare të cilat parashikojnë ndërtimin HEC-eve në lumin e Valbonës.

Të tre kontratat koncesionare janë nënshkruar dhe miratuar gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike. Ato janë firmosur respektivisht nga Genc Ruli dhe Eno Bozdo, përkatësisht në cilësinë e ministrit dhe zv.ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Njëra prej kontratave koncesionare ka marrë lejen e ndërtimit nga KKT në vitin 2012. Kontrata e dytë ka marrë lejen e ndërtimit nga KKT në vitin 2014, ndërsa kontrata e tretë ende nuk ka leje ndërtimi të miratuar nga KKT-ja.

Kontrata e parë është nënshkruar më datë 29 janar 2009. Kontrata e firmosur nga Genc Ruli, në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqëria “TPLANI” sh.p.k.

Hidrocentrali “Valbona” është planifikuar të ndërtohet në lumin e Valbonës. Kuota e veprës së marrjes 865 m dhe kuota e godinës së centralit 824 m. Fuqia e instaluar 2300 kw, ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 11,028,240 kwh.

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), me vendimin Nr.1, datë 07.04.2012 ka miratuar “Studimin urbanistik pjesor, leje sheshi dhe leje ndërtimi për hidrocentralin HEC Valbonë”.

Kontrata e dytë është nënshkruar më datë 27 korrik 2009, bazuar VKM “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit Dragobia”.

Kontrata është firmosur nga Genc Ruli, në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqëria “Gener 2” sh.p.k. Sipas kontratës, hidrocentrali Dragobia do të ndërtohet në lumin e Valbonës, Rrethi i Tropojës. Kuota e veprës së marrjes së ujit është në përroin e Çeremit 963 metër, në lumin e Valbonës 573 metër, në përroin e Matinës 850 metër dhe në përroin e Milloshit 1000 metra, ndërsa kuota e godinës së centralit 535 metër. Fuqia e instaluar 22760 kw ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 116,014,456 kWh.

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), në datën 08.04.2014 ka miratuar vendimin Nr.6 për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”.

Kontrata e tretë është nënshkruar në datën 15 gusht 2013, nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Enno Bozdo dhe shoqëria koncesionare “Valbona Project Company” sh.a., dy muaj pasi qeveria e djathtë kishte humbur zgjedhjet.

Në datën 16 gusht 2013, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë vendimin Nr. 680 “Mbi miratimin e kontratës së koncesionit, të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Shoqërisë Valbona Project Company” sh.p.k për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbona.

Karakteristikat teknike të kësaj kontrate janë për instalimin e një fuqie 51040 KW dhe prodhimi vjetor 245, 726,989 KWh. Hidrocentralet që projektohen të ndërtohen në Valbonë dhe përrenjtë e saj janë 9 gjithsej, të emërtuar HEC- 9A Valbonë, HEC- 9 B Otergi i Dragobisë, HEC-13 Otergi i Kaut, HEC-10 Valbonë, HEC-11 Valbonë, HEC-14 Shudenica në malin Potkuq, HEC-15 Shudenicës, HEC-12 Valbonë dhe HEC-16 Shpella e Kaurit.

 

 3 HEC-et mbi Valbonë

  1. Shoqëria “TPLANI” sh.p.k. Hidrocentrali “Valbona” është planifikuar të ndërtohet në lumin e Valbonës. Kuota e veprës së marrjes 865 m dhe kuota e godinës së centralit 824 m. Fuqia e instaluar 2300 kw, ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 11,028,240
  2. Shoqëria “Gener 2” sh.p.k. Hidrocentrali Dragobia do të ndërtohet në lumin e Valbonës, Rrethi i Tropojës. Kuota e veprës së marrjes së ujit është në përroin e Çeremit 963 metër, në lumin e Valbonës 573 metër, në përroin e Matinës 850 metër dhe në përroin e Milloshit 1000 metra, ndërsa kuota e godinës së centralit 535 metër. Fuqia e instaluar 22760 kw ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 116,014,456
  3. Shoqëria “Valbona Project Company” sh.a. Instalimi i një fuqie 51040 KW dhe prodhimi vjetor 245, 726,989 Hidrocentralet që projektohen të ndërtohen në Valbonë dhe përrenjtë e saj janë 9 gjithsej, të emërtuar HEC- 9A Valbonë, HEC- 9 B Otergi i Dragobisë, HEC-13 Otergi i Kaut, HEC-10 Valbonë, HEC-11 Valbonë, HEC-14 Shudenica në malin Potkuq, HEC-15 Shudenicës, HEC-12 Valbonë dhe HEC-16 Shpella e Kaurit

 

 

Prishja e kontratave pingpong me përgjegjësitë

 

Prej ditësh, institucionet që kanë kompetenca për të kthyer mbrapsht procedurat e ndërtimit të HEC-eve në Valbonë po luajnë pingpong me përgjegjësitë. Burimet zyrtare të Ministrisë së Energjetikës pohuan se ka një mekanizëm që mund të anulojë ndërtimin e HEC-eve, por Ministria e Mjedisit duhet ta iniciojë atë. Bëhet fjalë për lejet mjedisore që tashmë janë kontestuar. Nëse afati i lejeve të mjedisit për HEC Dragobia ka përfunduar dhe shoqëria civile dhe banorët e zonës kanë pretendime për një vlerësim tjetër, Ministria e Mjedisit anulon lejet e mjedisit pa të cilat punimet nuk mund të vijojnë, shpjegon Ministria e Energjetikës në një qëndrim zyrtar. Ministria e Mjedisit, nga ana e saj, nuk është shprehur zyrtarisht, por burimet brenda saj kanë pohuar se nuk ka asnjë arsye ligjore për hedhjen poshtë të lejeve të mjedisit.

Burimet që duan të mbeten në kushtet e anonimatit në Ministrinë e Mjedisit pohuan se qeveria nuk ka vullnetin politik të kthejë kontratat edhe pse e ka shumë të lehtë ta bëjë. Sipas tyre, HEC Dragobia nuk e ka lejen për përdorimin e ujit dhe këtë leje e lëshon Këshilli Kombëtar i Ujit, kryetar i të cilit është Kryeministri Edi Rama. Në rast se qeveria kërkon argumente dhe fakte për të anuluar lejen, mungesa e lejes së përdorimit të ujit është e mjaftueshme, pohuan të njëjtat burime. Më herët Kryetari i Zonave të Mbrojtura, Zamie Dedej, është shprehur se prishja e kontratave të HEC-eve kërkon vullnet politik.

 

Valbona, imazhi ndërkombëtar i turizmit shqiptar

 

Valbona dhe Thethi matanë janë pjesë e turit që ofron “Maja e Ballkanit”, një projekt që është zhvilluar nga GIZ, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe që pak kohë më parë u vlerësua edhe në Abu Dhabi, me çmim për kategorinë “Administrimi i destinacionit”. Në një kohë kur turizmi po kërkon të tërheqë me destinacione të veçanta, përvoja me adrenalinë dhe natyrisht me kosto të ulët, Shqipëria, nëpërmjet këtij projekti duket se ka mësuar si të ecë në “shtegun” e duhur për ta bërë edhe turizmin malor të frekuentuar. Për zëvendësdrejtorin e zyrës së GIZ në Tiranë, Ismail Beka, shtegu “Maja e Ballkanit” kalon nëpër rajonet malore më tërheqëse të Ballkanit Perëndimor deri në lartësi që shkojnë 2,300 metra mbi nivelin e detit. Në këto maja duket sikur koha ka ndalur. Për 20 vjet me radhë, ato kanë qenë më shumë pjesë e “legjendave” dhe të paktë kanë qenë ata që kanë arritur t’i prekin dhe t’i shijojnë nga afër këto bukuri. Është pikërisht kjo kulturë autentike, me shumë adrenalinë brenda, që e bën përvojën mes shtigjeve ndërkufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi vërtet unike. Një fakt, i cili tërhoqi jo pak vëmendjen e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC) i cili gjatë Samitit të 13 Botëror ndau edhe çmimet për “Turizmin e së Nesërmes”. Shtegu “Maja e Ballkanit” konkurroi për kategorinë e menaxhimit të destinacionit kundër dy të nominuarve të tjerë “Sentosa Development Corporation” nga Singapori dhe “Tourism Council” nga Butani. Zonat shqiptare që përfshihen në këtë projekt janë Thethi, Valbona, Rragami, Çeremi, Bjeshkët e Dobërdollit.

 

Një amerikane që lufton për Valbonën

 

“Kam ardhur këtu sepse e dua Shqipërinë siç e gjeta dhe besoj se Shqipëria është më e mirë se ajo çka po ndodh tani. Së bashku mund të kërkojmë diçka më të mirë” – ju drejtua opinionit publik me anë të një letre të hapur Catherine Bohne, qytetare amerikane që jeton prej vitesh në Valbonë. Catherinë është në krye të komunitetit lokal në Valbonë, që është duke kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve nëpërmjet mjeteve ligjore.

Në letrën që u drejtoi mediave, Catherine shkroi se, duke ndjekur procesin formal ligjor, banorët u dorëzuan një numër ankesash zyrtare agjencive të ndryshme qeveritare, ku vunë në dukje që nga procedurat e këqija të mjedisit, te mungesa e informimit për publikun dhe rreziqet ekonomike që vijnë nga projektet. Në të njëjtën kohë, u harxhua shumë energji në demonstrime publike për të tërhequr vëmendjen e medias dhe në shkallë vendi.

Shqetësimet e banorëve, thotë Catherine u dëgjuan dhe u mbështetën nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, të tilla si WWF, EuroNatur dhe Riverwatch, të cilat bashkuan zërat e tyre drejt institucioneve të ndryshme qeveritare në nivelet më të larta.

Për fat të keq,sipas saj, ka pasur pak ose aspak përgjigje deri tani nga qeveria shqiptare. U pranuan zyrtarisht vetëm pak ankesa. U dërgua një përgjigje, duke iu referuar një ankese të dikujt tjetër, që nuk kishte të bënte me ankesën e dërguar.

Ajo ka sqaruar se në asnjë rast nuk u ndërmor një veprim konkret dhe në asnjë rast nuk u dërgua ndonjë informacion i kërkuar. Ndërkohë, duke qenë se kishin konsumuar të gjitha procedurat e duhura ligjore dhe përballë rezultateve tejet të pakënaqshme, banorët e zonës të përfaqësuar nga OJF TOKA pajtuan avokatë për të ngritur padi kundër qeverisë.

Por tani kemi të bëjmë me një garë kundër kohës në Valbonë, thotë Catherine. “Nga një anë, kemi banorët e zonës që kërkojnë mbrojtje të mjedisit, ruajtje të burimeve natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, që shprehin shqetësim për zhvillim të qëndrueshëm dhe të shumëllojshëm ekonomik dhe që dëshirojnë të ushtrohet procesi ligjor i duhur dhe zbatimi i legjislacioni shqiptar. Nga ana tjetër, kemi kompanitë ndërtuese dhe, për fat të keq, edhe qeverinë shqiptare, e cila, edhe pse ka pranuar në tërësi se koncesionet nuk duhej të ishin dhënë, nuk duket se shqetësohet shumë për zbatimin e tyre, shkruan ajo.

“E vërteta e thjeshtë është se këto koncesione nuk duhej të ishin dhënë, pasi pasojat e tyre do të jenë katastrofike, mbi ekonominë, natyrën dhe mbi shoqërinë civile të Shqipërisë, që nuk mund të mbajnë mbi vete një tjetër shembull të korrupsionit dhe makutërisë afatshkurtër që triumfojnë mbi arsyen e thjeshtë të shëndoshë”, shprehet amerikania e Valbonës.

Rezultatet afatgjata të këtyre zhvillimeve do të ishin tragjedi ekonomike dhe mjedisore dhe një çmim shumë i lartë do të paguhej nga brezat e ardhshëm.

Ndërkohë që kuptohet se ndërtuesit nuk merakosen fort për këtë çmim, të vjen keq të konstatosh se qeveria shqiptare duket se nuk ndien as brerje ndërgjegjeje dhe as përgjegjësi, as për barrën që i ngarkohet së ardhmes, as për zgjedhjet që mund t’u mohohen brezave që vijnë, shprehet për mediat Catherine.

“Ndonëse është vonë, ende nuk është tepër vonë. Tani është koha e duhur. Në rast se dëgjohet zëri i arsyes, ai duhet të dëgjohet tani. Ka kaq shumë argumente për të ndaluar këto zhvillime dhe për të pasur një bashkëbisedim inteligjent se si të zgjidhim situatën e tmerrshme që kemi trashëguar të gjithë bashkë. Qeveria pretendon se nuk mund të bëjë asgjë, pasi e ka “trashëguar” problemin. Po kush, në fund të fundit, do ta trashëgojë shkatërrimin e Valbonës?”, përfundon letra e amerikanes, tashmë banore e Valbonës.

/monitor.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej