Ka than' i moçmi: 

Gabimi i atij që punon me dëshirë dhe endje, është më i mirë se të qëlluarit e atij që punon pa dashur."

- Sami Frashëri

Suli i Çamërisë, atje ku fëmijët stërviteshin si spartanë

Nga Media 0

Këso dore Suljotët u rritshin me nji mêndim të lartë edhe ishte shpresa se prej tyne nji ditë do të delshin burra të rreptë, trima të përmêndun me zâ e me ndér.”

Një artikull i botuar në revistën “Agimi” në vitin 1920, nga Mustafa Kruja, përshkruhen tiparet dalluesë të Sulit, krahinë e Çamërisë. Trimëria, atdhedashuria dhe respekti i veçantë për gruan shfaqen si virtyte që e dallojnë këtë krahinë në raport me të tjerat përrreth. Mustafa Kruja, asokohe studies, më vonë kryeministër i Shqipërisë, shkruante plot pasion për suliotët duke veçuar mënyrën se si ata i stërvisnin fëmijët për të qenë trima e dinjitoz për luftë në mbrojtje të atdheut. Më poshtë botohet artikulli i vitit 1920 në revistën “Agimi”.

Nga Mustafa Kruja

Tue jetue Suljotët mbi disà bjeshkë të nalta, rreth e për qark të rrethuem prej disa fqîjve të vobekët, t’egjër e gjymsa të zhdeshun, ata nuk muejshin me u kapë me marredhânje edhe tregtì; duhet dijtë edhe se të gjith pasunija qi Suljotët kishin, ishte vetëm bagtija. Të gjitha sêndet e tjera, të cilat atyne u mungojshin, do t’i fitojshin me djersë të ballit, ase me e marrë prej fqijvet të pasun qi jetojshin n’atë ânë kufîni të tyne ndër fusha. Kështu pra, të shtrënguem prej begatís së vogël qi kishte vêndi i vet, leu ndër zêmra të Suljotvet ky mêndim, të cilin me nji madhështí e kujtojshin gjithë herë: “Tokët e begatshme qi Osmanllijtë zotnojnë sot në Shqipní, nuk janë të tyne, por të parvet t’onë, të cilët prej shpatës e zjarmit t’anmikut kanë qênë të shtrënguem me i u a lëshue. Na pra, si djelmt e shqiptarvet edhe si trashigimtarët e tyne, detyra e jonë âsht këto tokë t’i a u marrim anmiqvet përsëri, tue i fitue me shpatë e me gjak.”

Këso dore Suljotët u rritshin me nji mêndim të lartë edhe ishte shpresa se prej tyne nji ditë do të delshin burra të rreptë, trima të përmêndun me zâ e me ndér. Edhe njimênd na qysh në fillim i shofim Suljotët të kapërthyem ndër luftime të rrepta me fqîjt e afërm, qi ishin vllazënt e tyne myslimanë. Kështu pra, thyen ç’do anmik, njênin mbas tjetrit : Agën e Margaritit, t’Paramithís  edhe Ali Pashën e Janinës, të cilvet u muerën 60 copë katunde. Ndonse Suljotët i paguejshin Sulltanit pagë, të cilën ata e nxirrshin prej atyne 60 katundeve, qi ishin rajá e tyne, prap se prap këta ishin të njoftun prej anmiqvet si njerz të lirë.

Se si e tek ishte mënyra ase trajta e qeverimit të tyne, mjerisht nuk dihet mirë; vetëm dihet, se ata u qeverisshin prej nji pleqsís së vêndit. Ç’do katund kishte nji pleqsí të vetën. Dihet mjaft mirë se Suljotët nuk kishin as shtëpí gjyqi, as kanune të shkrueme; dhe ç’do e ligë qi ndodhte ishte e këqyrun prej pleqsís. Kur ishin punë të mëdha e me rândsí për t’u bisedue, atëherë gjithicili far’e fis dërgonte nga nji plak në pleqsí. Puna mâ e nevojshme, qi i shtrëngonte këta pleq me u mbledhë ishte gjithmonë lufta, qi ata kishin pa pushue me anmiqt e vet. Kur mbandej kriste lufta secili Suljot e dinte qëllimin e vet, mbasi ata e kishin të ndame qysh përpara kohën e moshës për me rà në luftë, krejt n’atë mënyrë si e kanë malet e Dukagjinit edhe të Malsís së Madhe. Kështu pra, në kohë lufte Suljotët ndaheshin ndër: Suljotë mali, fushe, oficjer, ushtar, burra e gra, të cilët të gjith, kur atdheu ndodhej në rrezik i rrokshin armët e luftojshin si luâj, pa pritë aspak qi t’i urdhnonte kush me u thânë të shkojshin me bâ detyrën e vet.

Diftuem përpara se Suljotët për disà gjyqe e vepra i përgitshin flamuravet të Dukagjinit; tashti po diftojmë se edhe në jetën shtëpijake kishin nji gjasim të madh me ato. Nji shumicë familjesh të gjith prej gjaku përbâjshin nji farë; prej nji ndër këto familje qi ishte mâ e motshmja e mâ e ndershmja e të gjith asaj fare, u zgjidhte nji plak. Të gjith popullsija e Para-Suljotvet (5000 vetë) ishte e ndame ndër 800 familje, të cilat të gjitha së bashku përbajshin 47 farë.

Dishiri edhe pëlqimi mâ i madhi për nji Suljotas, si edhe për secilin Shqiptar, ishin armët, të cilat ata nuk i hiqshin kurr, por i barshin edhe kur ishin tue ngrânë, tue ndêjun edhe tue fjetë. Edhe Suljotit mâ të vobekët nuk i mungonte kurr palla as thika e koburet në bres; kështu t’armatisun si ishin i madh e i vogël, qillonte shpesh herë edhe ndërmjet të gjith Shqiptarvet se për nji fjalë goje, ase për nji të shame të vogël mbytte njêni tjetrin e kështu gjaku u hapte, jo vetëm ndërmjet të dy familjeve, por nga ndonji herë edhe ndërmjet dy farave, sa shpesh herë nji punë e vogël, qi mundej qysh në fillim me u ndreqë me pak të vishtirë, ish shkaku qi u derdhte aq shum gjak ndërmjet sà e sà burrave. Prandej Suljotët, e sidomos Para-Suljotët e kishin në kujdes sa mâ fort, për me muejtë e me i shue idhnimet qysh në fillim. Për kët shkak ishte nji punë e shêjtë për gjithcilin burrë me hŷ ndërmjetës ndër idhnime qi ndodhshin ndërmjet të burravet edhe të gravet edhe kështu me e fikë qysh në fillim nji shkëndí, prej së cilës mundej me u ndezë nji zjarm. Në ç’fardo idhnimi e zânje gràt ishin gjithmonë mâ të parat për me hŷ ndërmjetse. Marre e turp i madh ishte për nji trim, si ka qênë e âsht gjithnjí ndër né, me rrahë ase me mbytë nji grue. Ai trim, qi e bânte nji punë të tillë, jo vetëm qi ishte i marruem edhe i turpnuem përpara shokvet, por edhe pleqsíja vetë i a vênte për detyrë, a mâ mirë me thânë për ndëshkim me mbajtë me të holla të vetë aq qytetas të vobekët, sa ajo grue kishte mujtë me bâ fëmij. E kjo nuk ishte nji punë e vogël për nji Suljotas! Marrja mâ e madhe për nji gjaksuer grueje ishte, kur ai ndodhte ndër kuvênde me shokë të vet, rrugës e gjithkund kah shkonte, emni i tij u përmêndte si të nji njeriu të lik e të poshtëm. Âsht e dijtun, se nji poshtnim i tillë do t’a két shrëngue nji fatzì kësi lloji, a me ikë prej atdheut, ase me vrà vehten prej turpi. Por si e dijmë edhe prej ndodhivet të motshme kjo punë qillonte shum rràll ase kurr.

Nji çudí shum’e madhe, âsht se Suljotët kishin nji nderim të posaçëm për grue. Por me diftue të drejtën Suljotët kishin arsye! Nuk po thom se Suljotët nuk i nderojshin gràt në nji mënyrë si ndodhë ndër kombe të hueja, sa me mbërrîjt me u bâ robt e tyne, jo; por gruen ata burra e dojshin si nji motër të mirë, sepse gràt Suljote ndër të gjitha të përpjekunat ndodheshin krah për krah me burra të vet, tue tregue nji trimní të pa-shoqe, sa nuk shifet n’asnji popull tjetër.

Gràt ishin ato qi mbajshin shtëpín, rritshin fëmìn edhe rrokshin armët e krahas me burrat e djelmt e tyne luftojshin kundra anmikut. Mënyra se si gràt Suljote i rritshin fëmìjt e vet, ishte krejt si ajo e Spartanvet. Qysh fëmì të vegjël i mësojshin me fjetë mbi kashtë ase me brí për dhé, tue i ushqye me gjellë të dobta. Me mâ kujdes i rritshin në dashuní t’atdheut edhe të besës si edhe në përdorimin e armvet.

Gràt vetë ipshin nji shêmbull trimnije të pa-shoqe. Ato  i shkojshin burrave mbas ndër luftime, i çojshin ushqimin e  gjithshka ishte e nevojshme për luftim edhe në kohë të rrezikut luftojshin porsi bisha t’egra kundra anmikut. Kur ato e shifshin burrin, vllàn ase djalin e vet qi niste me u këthye mbrapa, e shajshin edhe tue u prî vetë përpara, u ipshin trimní e guxim për me e krye detyrën e vet. Burrin, vllàn ase djalin, i cili këthehej me turp i vdekun në shtëpí, nuk e qajshin aspak, se thojshin: Ai nuk âsht i dêjë për me qênë i qamun. Kur i a u ipshin armët meshkujvet të vet për me luftue, i thojshin këto fjalë: “Eja me këto me nder, ase i vdekun pa këto!” Me këto fjalë dojshin me thânë: mâ mirë shko e lufto me trimní edhe këtheu në shtëpí i nderuem, ase në u vrafsh, vdis me ndér si burrat, por me turp mos u këthe i gjàllë në shtëpí!

Fëmijt e tyne qysh të vogjël ishin gjithnjí t’armatisun. Edhe kur ishin baríj, tue ruejtë dhênt ndër ato bjeshkë të shpeshta e të mbushuna plot me egërsina, Suljotët e vogjël e shkojshin kohën në gjah; kështu tue e mësue vehten qysh të vogjël në përdorim t’armve, për me mujtë dikur mâ mirë me i vjeftë atdheut të vet. Kështu jetojshin Suljotët, ata burra të cilët mâ vonë me trimnín e vet habitën të gjith botën.

Botuar në revistën “Agimi”, 1920

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>