Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Stenografia dhe gazetaria

Nga 27.al 0

Nga Ilva Tare

Fitorja e Donald Trump shënoi dështimin më të madh të standardit të raportimit dhe përcjelljes së mendimeve apo shqetësimeve të qytetarëve në atë që quhet media tradicionale. Dështim spektakolar që ndëshkoi edhe kompanitë e sondazheve, përveç gazetarëve që i besuan metodologjisë së tyre në ndërtimin e strategjive për mbështetjen e kandidates Clinton. Ditët që pasuan zgjedhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë shërbyen për reflektim dhe kërkim ndjese të disa prej gazetave dhe botimeve të asaj që konsiderohet si media prestigjoze, nga “New York Times” tek “The Ecomomist”.

Në Amerikë kompanitë mediatike nuk sponsorizohen drejtpërdrejti nga selitë e partive politike, apo zgjatimeve të tyre në familjen ideologjike apo korruptive. Në demokracitë e zhvilluara media është biznes i deklaruar si i tillë dhe është një shërbim, i cili paguhet nga qytetarët në mënyra të ndryshme, që nga pjesëmarrja me aksione në ndërrmarrje publike të listuara në bursë dhe deri tek aksionerë që humbasin përqindje në rast se ikin abonentët.

Gara e kësaj lloj gazetarie është e ndërtuar mbi parime dhe standard. Mbi integritet dhe paanshmëri. Mbi profesionalizëm dhe gjithëpërfshije të të gjitha këndvështrimeve. Të gjitha këto parime u kompromentuan në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Media tradicionale dhe ajo online u rreshtua me zonjën Clinton duke injoruar argumentat e Trump dhe ndjeshmërinë që publiku kishte ndaj tyre.

Për pasojë, votuesit e inatosur edhe me median që e akuzuan si pjesë të makinerisë së manipulimit mbështetën Trump. Të tjerët, ata që u quajtën “votuesit e heshtur”, u shkurajuan për të hedhur votën. Ishte pikërisht kjo kategori të heshturish që nuk e gjeti veten të pasqyruar në raportimet mediatike dhe që siç thonë analistët kanë penalizuar Hillary Clinton.

Në manualet e teksteve që mësojnë parimet e gazetarisë njihet termi i “show-leather reporting” që në shqip do të thotë raportimi nga terreni. Në kontekstin shqiptar, kjo do të thotë që reporterët të lënë kompjuterat dhe smartfonët nga komoditeti i Tiranës dhe të zbresin me sy, veshë e stilolapsa në zona ku jetojnë komunitetet për ta matur nga terreni pulsin e tyre, qoftë edhe duke u bërë me baltë nga ajo e fshatrave dhe qyteteve, ku mungon asfalti, vilat disa katëshe apo dhe brazda e makinave luksoze.

Raportimet nga terreni me vërtetësinë dhe vrazhdësinë që kanë shqetësimet e qytetarëve prej kohësh janë të munguarat e mëdha nga mediat e Tiranës, por me sa duket edhe nga ato botërore. Arsyet janë të shumta dhe të komplikuara. Janë financiare dhe parimore. Redaksitë e lajmeve janë kthyer në përcjellëse të lajmeve të teknologjisë së wetransfer, ku reporter është transferuar në selitë e partive politike. Gazetarët janë kthyer në stenografë që riprodhojnë tekste të diktuara dhe jo reflektim orgjinial të realitetit të perceptuar në terren.

Me e keqja ndodh kur edhe analizat e publikuara apo mundësuara nga investime direkte partiake shërbejnë për t’i treguar opinionin publik të vërtetën e firmëtarëve të sponsorëve të tyre. Zgjedhjet në Amerikë treguan se paraja mund ta blejë edhe median, edhe standardet, edhe parimet, madje edhe turpin. Porse, vota nuk garantohet nga kontrolli i portaleve apo mediave tradicionale. Madje, sulmet dhe argumentet e porositura politikisht mund të kthehen në boomerang dhe të krijojnë tek populli efektin e mbështetjes së viktimës apo viktimave që nuk kanë mbështetjen e grupit “të armatosur” të stenografëve të kamufluar si gazetarë.

/javanews.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>