Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Simon Mirakaj: 212.000 dosje të Sigurimit garantojnë përballjen me të shkuarën komuniste

Nga Luljeta 0

“ Dosjet nuk janë asgjësuar. Kemi në dispozicion 32 milionë faqe dokumente të hartuara nga Sigurimi i Shtetit”

Anëtari i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, Simon Mirakaj, duket i sigurt se ky institucion do të garantojë atë që pritet për 26 vite, përballjen e Shqipërisë me të shkuarën komuniste. Miraka garanton se dosjet nuk janë asgjësuar dhe se në dispozicion të Autoritetit janë 212.000 të tilla me 32 milion faqe material të hartuara nga Sigurimi i shtetit. Në një intervistë për 27.al Miraka flet për procesin, institucionet që do të kalojnë në sitën e Autoritetit, kush po kërkon të hapë dosjet dhe sa  të rrezikuar janë zyrtarët e lartë nga hapja e dosjeve të Sigurimit.

Zoti Mirakaj! Prej disa ditësh keni nisur punën në krye të një institucioni, prej të cilit pritet përballja e shqiptarëve me të shkuarën komuniste. Ka shumë skepticizëm për misionin tuaj. Ju besoni me të vëretët se do ta realizioni përballjen e Shqipërisë me të shkuarën e saj komuniste?

Duke përfituar nga rasti, me lejoni t’ju falenderoj për mundësimin e realizimit të kësaj interviste, që do të jetë e fokusuar në zbatimin korrekt, profesional dhe teknik, dhe padyshim larg ngjyrimeve politike, të detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore që ligji 45/2015 i ngarkon Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AUTORITETI).

Sikundër ju evidentoni në pyetjen tuaj, për të zbardhur të kaluarën e herët, për të mundësuar hapjen reale të dosjeve të ish sigurimit te shtetit, jam besim plotë për integritetin e procesit dhe administrimin e tij. Theksoj që kjo është një sfidë për institucionin ku jam pjesë, është një proces që për nga vetë natyra e tij, përfshin jo vetëm Autoritetin si organ përgjegjës, por të gjithë aktorët e përfshirë në të. Në këtë kontekst vlerësoj ecurinë e procesit, i cili ka dhënë frytet e para, dosja e hapur për të ndjerën Musine Kokalari për 100 vjetorin e lindjes së saj, ka marë vemëndjen e duhur të opinionit publik e pasqyruar me realizëm nga mediat vizive dhe jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund këtij procesi, për të hedhur dritë mbi të shkuarën komuniste siç ju evidentuat në pyetjen tuaj.

Zoti Mirakaj! Kanë kaluar 26 vjet prej kohës kur do të duhej të ishin hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit. Duket se sot pas kaq shumë kohësh nuk ka asnjë mundësi të ndodhë përballja me të shkuarën pasi ka shumë të ngjarë që dosjet të jenë pastruar…?

Për të thyer kureshtjen e skeptikëve që e shikojnë me mosbesim këtë proces sa delikat aq dhe të rëndësishëm iu bëjmë me dije se disponojmë statiska që flasin vetë për ekzistencën e dosjeve të ish sigurimit të shtetit, të krijuara në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991. Mjafton të përmendim se: objekti i punës sonë do të jetë administrimi i 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-sigurimit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosjesh hetimore gjyqësore, 21.000 dosjesh të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijera regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish –sigurimi i Shtetit ne nje Shqiperi qe asokohe nuk i kalonte 3 milionët.

Me plot bindje them qe eshte krijuar nje institucion i memories, ku një nga pjeset thelbesore eshte dhe hapja e arkivave qe deri me sot kane qene te mbyllura.

Për realizimin e këtij qëllimi, që në krye të herës në nenin 1/d të Ligjit nr. 45/2015, është përcaktuar në mënyrë taksative, detyrimet e autoriteteve publike dhe arkivave për venien në dispozicion, për qëllime të zbatimin të këtij ligji, të dokumenteve të disponuara prej tyre, për të vazhduar më tej me procedurat për ushtrimin e të drejtës nga cdo person i interesuar që i lind kjo e drejtë, për informimin mbi dokumentet e ish sigurimit të shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent.

Pra e parë në këtë këndvështrim përballja me të shkuarën jo vetëm që do të ndodhë, por ajo do të realizohet me transparencë, profesionalizim dhe më kryesorja në zbatim korrekt të ligjit nr.45/2015 dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Një prej detyrave të para të këtij institucioni, është edhe kalimi në sitë i zyrtarëve të lartë të shtetit. Kemi të reja në këtë drejtim?

Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyrë, në institucione të rëndësishme, përfshirë këtu edhe drejtues të përfaqësive diplomatke, referuar dispozitave të ligjit nr.45/2015.

Anëtarët e rinj të sistemit të drejtësisë do të kalojnë gjithashtu në sitën tuaj. A ka pasur deri tani kërkesa për verifikim? Si po ecën bashkëpunimi me ata që kanë marrë përsipër kryerjen e reformës në drejtësi.

Më duhet të deklaroj se, sapo kemi përfunduar procedurën e vlerësimit të cilësive etiko morale të 189 kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit,  të kërkuar për rastin konkret nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me të cilin bashkëpunuam dhe bashkërenduam punën por jo vetëm, që ky proces  të përfundonte brenda afateve kohore të parashikuara nga legjslacioni në fuqi.Autoritet do të marë gjithë masat e nevojshme që ky proces të realizohet sipas standarteve të kërkuara dhe brenda afateve kohore. Për t’i ardhur në ndihmë institucioneve ligjzbatuese të këtij procesi por dhe vetë individëve të përfshurë në sistemin e drjtësisë, Autoriteti ka miratuar modelin e Formularit që duhet të potësojnë anëtarët e rinj që do t’i nënshtrohen procesit të vetingut në përgjithsi dhe procesit të vlerësimit të cilësive etiko morale të tyre në veçanti, sipas ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Kthehemi edhe një herë tek zyrtarët e lartë, Besoj biem dakord se në institucionet shtetërore ka ende njerëz që kanë qënë pjesë e sigurimit të shtetit.  Nëse po, a ka ardhur ndonjë kërkesë nga ndonjë institucion për të verifikuar punonjësit e tyre?

Jemi në hapat e para të këtij procesi, pra kërkesat janë me pikatore, por ajo që dua të theksoj, për t’i dhënë dhe përgjigje pyetjes, ështe se Autoriteti nuk vihet në lëvizje kryesisht, por vihet në lëvizje vetëm me kërkesën e paraqitur nga institucionet kushtetuese, autoritetet publike dhe subjekte të tjera, për verifikimin. Në këtë kontekst Autoriteti u krijon akses dhe u lëshon  dokumente insitucioneve përkatëse, në masën dhe për qëllimet që e lejon ky ligj. Për sa i takon verifikimit të zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes së tyre në detyrë mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga institucionet kushtetuese dhe autoritet publike, lejohet venia në dispozicion e dokumentave dhe përdorimi i tyre deri më 31 mars 2020.

Së shpejti do të nis procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. A do të jenë ata pjesë e verifikimit të institucionit tuaj. Do të ishte i domosdoshëm një proces i tillë…?

Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet, çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale. Kur kërkesa është paraqitur nga subjektet, Autoriteti i informon ato, nëse figurojnë si:

  1. a) anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;
  2. b) bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, apo denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
  3. c) persona me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.

Padyshim një proces i tillë i verifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhor, është mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, jo vetëm për dinjitetin e tyre, por dhe për vetë rëndësinë e figurës që ata përfaqësojnë në poltoren e Parlamentit apo në organet e qeverisjes vendore,si kryetarë bashkie apo këhilltarë qarku.

Besoni se do ti shpëtoni presionit të politikës për të “falur” ndonjë kandidat të mundshëm për deputet apo për ndonjë tjetër post të lartë publik. A jeni ndeshur deri tani në presione të tilla?

Parimet që udhëhiqet Autoriteti gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që i ngarkon Ligji 45/2015, por jo vetëm është transparenca dhe profesionalizmi, parime këto udhërëfyese që do të shoqërojnë dhe legjitimojnë veprimtarinë e këtij institucioni. Zbatimi korrekt i ligjit si dhe dhe kolegjialiteti në vendimmarjet e Autoritetit, si dhe bërja publike e fakteve konkrete në vecanti për aq sa e lejon legjislacioni në fuqi nuk do të lejojnë, “faljen” e ndonjë kandidati kushdo qoftë ai.Gjithashtu theksoj që jo vetëm s’jemi ndeshur deri tani në presione nga politika, por jemi të vendosur për të zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, kjo dhe vetëm kjo do të jetë busulla e orientimit në veprimtarinë e institucionit ku unë jam pjesë..

Besoj keni nisur të hyni nëpër koridoret e errëta të diktaturës. Çfarë ju bën përshtypje Zoti Mirakaj, referuar edhe faktit se ju personalisht keni ndjeshmëritë tuaja që ju lidhin me të shkuarën komuniste……?

Shpreh bindjen se në morinë e dosjeve që do të administrojë Autoriteti dhe nga kqyrja e dokumenteve të përfshira në këto dosje të ish–sigurimit të shtetit, do të gjenden, prova,gjyrmë, fakte dhe grup fakte që do të hedhin dritë mbi ngjarje të rëndësishme me vlera historike, por makabre sipas fakteve të ndodhura, jo njerëzore, që i rëndojnë në vite shtetit shqiptar të periudhës diktatoriale.

Fakti i përbërjes së anëtarëve të Autoritetit, ku tre prej tyre vijnë nga shtresa e të përndjekurve politike është mjaft domethënës dhe më kryesorja që e gjithë trupa e Autoritetit ka plotësuar kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhor anëtar i Autoritetit, janë faktorë determinantë për transparencën, integritetin dhe rregullshmërinë që do të shoqërojnë procesin nga fillimi deri në fund dhe s’ka vend për paragjykime.

Citimi i bërë prezent nga ju, më krijon bindjen se kanë marrë vendimin më të mirë për të qenë pjesë e Autoritetit, me përgjegjshmëri, me objektivitet dhe paanshmëri, në ushtrimin me kompetencë të detyrave që më ngarkon ligji 45/215. Më duhet të them se ndërtimi i besimit të publikut në integritetin e këtij procesit sa delikat dhe aq domethënës, do të jetë faktor kyc në ecurinë dhe veprimtarinë e institucionit ku unë pjesë .

Së fundmi, më lejoni të them se në këtë aspekt, pasqyrimi nga ana e mediave me realizëm i çdo zhvillimi të veprimtarisë së Autoritetit, por dhe nga mënyra si media e përcjell zhvillimin e tij në çdo etapë, mbi bazën e njohjes dhe interpretimit të mirë të ligjit, larg anshmërive dhe ndikimeve, padyshim është kontribut shumë i çmuar që forcon besimin publik dhe demokracinë në vend.

Gjithashtu gjej rastin tu falenderoj për intervistën dhe t’i bëj thirrje të gjitha autoriteteve publike të kërkojnëinformacion pranë Autoritetit, në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyrat e parashikuara nga neni 29 i ligjit 45/2015.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej