Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Si të zgjedhësh një profesion fitimprurës

Nga Media 0

Nga Umberto Eco

Ka profesione fitimprurëse me shumë leverdi, vetëm se kërkojnë shumë pregaditje.
Për shembull nënpunësi urban i tabelave shenjuese në autostradë. Nëse ia kemi hedhur sytë qoftë edhe vetëm një herë, e kemi kuptuar që qëllimi i tyre është të zhbllokojnë trafikun jo vetëm në qendër, por edhe në autostrada dhe e kemi gjetur veten të dërrmuar, në një nga rrugët më të rrezikshme pa rrugëdalje në periferinë industriale.

Por nuk është e lehtë t’i vendosësh tabelat në vendin e duhur. Një të çmenduri mund t’i shkojë në mend t’i verë pikërisht aty ku paraqiten mundësi komplekse zgjedhjeje mes rrugësh të ndryshme, aty ku automobilisti ka boll mundësi për të humbur rrugën për hesap të vet. Ndërsa, në të vërtetë tabela vendoset vetëm aty ku rrugëtimi është i afërmendshëm dhe ku shoferi instiktivisht do të merrte rrugën e duhur dhe tabela vetëm do ta drejtonte gabim diku tjetër. Por, për ta bërë mirë këtë punë nevoiten dije të urbanistikës, psikologjisë, teorisë së lojës.

Një tjetër zanat shumë i kërkuar është ai i shkruesit të udhëzimeve që u bashkëngjiten kutive të elektroshtëpijakeve dhe instrumentave elektronikë. Ato kanë për detyrë para së gjithash të pengojnë instalimin. Modeli i këtyre udhëzuesve nuk është ai i manualëve të stërmëdhenj që shoqërojnë makinat llogaritësë , pasi këta të fundit ia dalin ta realizojnë qëllimin, por me humbje për prodhuesin.

Modeli i vërtetë janë fletët udhëzuese të produkteve farmaceutike, të cilat, produktet, kanë edhe përparësinë e të pasurit emra në dukje shkencorë, por të tillë që e shpërfaqin dukshëm natyrën e produktit aq sa ta turpërojnë blerësin (Prostatan, Menopausin, Piattolax). Ndërsa udhëzimet e bashkëngjitura, përkundrazi, me pak fjalë ia dalin t’i bëjnë të pazbërthyeshme paralajmërimet prej të cilave varet jeta jonë: “Asnjë kundërindikim, me përjashtim të një reagimi të paparishikueshëm dhe vdekjeprurës ndaj produktit.”

Për elektroshtëpijaket e të ngjashme me to, udhëzimet zgjaten të shpjegojnë gjëra kaq të dukshme sa prireni t’i kapërceni, duke humbur kështu të vetmin informacion vërtetë thelbësor:

Për të instaluar PZ40 ëshët e nevojshme të hiqni ambalazhin e jashtëm, duke e nxjerrë nga kutia e kartonit. PZ40 mund të nxirret nga kutia vetëm pasi kjo e fundit të hapet. Kutia hapet duke tërhequr në anë të kundërt dy pjesët e kapakut (shih skicën brenda). Rekomandohet që gjatë operacionit të hapjes, kutia të mbahet në mënyrë vertikale me kapakun e drejtuar lart, pasi në të kundërt PZ40 mund të shkasë përtokë gjatë operacionit. Ana e sipërme është ajo ku shkruhet SIPËR. Në rastet kur kapaku nuk hapet me përpjekjen e parë, këshillohet të provohet sërish. Me t’u hapur dhe përpara se të hiqet mbulesa e aluminit, këshillohet të tërhiqet gjuhëza e kuqe, përndryshe kutia shpërthen. KUJDES: pasi ta keni nxjerrë PZ40 mund ta hidhni kutinë.
Nuk është i lehtë as profesioni i përpunimit të pyetsorëve, zakonisht verorë, që shfaqen nëpër të përjavshmet e politikës dhe kulturës: “Mes një gote me kripë angleze apo me një konjak të vjetër, kë do të zgjidhnit? Do të donit t’i kalonit pushimet me një tetëdhjetëvjecare lebroze apo me Isabelle Adjani-n? Do të donit të mbuloheshit nga milingonat e kuqe më të egra apo të kalonit një natë me Ornella Muti-n? Nëse keni zgjedhur gjithmonë alternativën e parë keni një temperament lunatik, krijues, original, por pak të ftohtë seksualisht. Nëse keni zgjedhur alternativën e dytë jeni pak si horr (kurvar).

Në suplementin mjekësor të një të përditshmeje kam gjetur një pyetsor mbi nxirjen që parashikon për çdo pyetje tre përgjigje A, B dhe C. Interesante janë përgjigjet: “Nëse ekspozohesh në diell, si është skuqja e lëkurës suaj?; A: E fortë. Sa herë je djegur? A: Sa herë që kam dalë ne diell. Dyzet e tetë orë pas eritemës, çfarë ngjyre ka lëkura juaj? A: Ende e skuqur. Zgjidhja: Nëse jeni përgjigjur më shumë A, lëkura juaj është shumë e ndjeshme dhe mund të prekeni lehtë nga eritemat djellore.” Mendoj se një anketimi që pyet: “A keni rënë më shumë se një herë nga dritarja? Në këto raste a ju janë shkaktuar fraktura të shumëfishta? A keni dalë me një invaliditet të përhershëm çdo herë që ju ka ndodhur? Nëse jeni përgjigjur më shumë A, ose jeni budallenj ose nuk e keni labirintin në vendin e duhur. Mos dilni më në dritare kur shakaxhiu i rradhës ju thërret nga poshtë për të zbritur.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej