Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Si fqinj të mirë…

Nga 27.al 0

Nga Mesila Doda

Ministri i Jashtëm i shtetit fqinj ka një ves në ligjëratën e tij…sa herë flet,… bën ibret. E fundit ishte intervista qe shtypi shqiptar solli ditën e djeshme. Ministri Kotzias nënvizoi se përveç 7,8, 9 kushteve, të cilat shtohen sipas oreksit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, në dokument do nënvizohej edhe kërkesa që Shqipëria të sillej me Greqinë “si fqinj i mirë”. Tash këtu më duhet të ndalem më gjatë se ligjërata e atij që bën dhe dhunuesin dhe viktimën, thënë ndryshe sindroma e agresiv-pasivit mund dhe të jetë pjesë e raporteve anormale njerëzore, por kurrsesi nuk mund të gjejë terren edhe në marrëdhëniet mes dy popujve, për më tepër kur historia mes nesh flet krejt për të kundërtën.

Janë disa çëshje që e kaluara e largët dhe e afërt ka lënë pezull mes nesh. E para dhe e panegociueshme, është Çështja Çame. Pse them që është e panegociueshme? Sepse sa herë që flitet për një krim të pazbardhur, për një akt të tmerrshëm spastrimi etnik, vrasje kolektive e shpërngulje me dhunë të 30.000 shqiptarëve, banorë të Çamërisë dhe shtetas grekë, vrasjes e humbjes së jetëve të 7.000 burrave, grave e fëmijëve, ku gjysma humbi jetën në tokat e Çamërisë, pra zyrtarisht në tokën shtetërore greke, ku nisi edhe akti i shfarosjes së tyre, ka dy qëndrime diametralisht të kundërta. Ndërsa viktimat thonë që kjo çështje duhet të zgjidhet në respekt të akteve dhe konventave ndërkombëtare dhe respektimit të drejtave të njeriut, shteti grek me gojën e disa ministrave e politikanëve të sotëm deklaron me arrogancë se kjo çështje nuk ekziston, madje as ulemi fare në tryezë për këtë. Tash kush është “fqinji i mirë”, ne që kërkojmë dialog apo ata që shantazhojnë dhe kërcënojnë dialogun, si një prej vlerave themelore europiane?

Greqia që sillet “si fqinj i mirë”, ka ende një Ligj Lufte me Shqipërinë. E ka shpallur në mënyrë të njëanshme dekreti mbretëror i vitit 1940, pasi Italia, e cila ishte pushtuese në Shqipëri sulmoi Greqinë. Sot shteti grek e ka abroguar këtë ligj lufte me Italinë që në fakt i kish sulmuar të dyja shtetet përballë brigjeve të saj, por me ne ende e mban në mënyrë artificiale, veç për një arsye, të mbajë të sekuestruar dhe të vjedhë pronat e shqiptarëve… Po po, shteti grek vazhdon të vjedhë pronat e shqiptarëve të Çamërisë, por edhe ato të Korçës, Libohovës, e viseve të tjera, pronat e të cilëve shtrihen me kilometra të tëra.

Tani, meqë do na duhet të sillemi “si fqinj të mirë”, a do heqi dorë së vjedhuri shteti grek, pronat e botës dhe të kthejë dinjitetin e munguar në këto marrëdhënie? A e dinë “fqinjët e mirë” se nuk ka pasur kurrë një luftë shqiptaro-greke ndaj nuk ka se si të bëjnë idiotin dhe të tentojnë të mbajnë një ligj lufte dhe t’i mveshin përsipër një traktat miqësie. Të dyja aktet nuk kanë asnjë logjike as njerëzore e as juridike që të shkojnë krah me njëri-tjetrin. Ky do të ishte hapi tjetër i atyre që duhet të sillen “si fqinj të mirë”.

Ka një kërkesë të shtetit grek për të ndërtuar pesë varreza të ushtarve grekë të rënë në territorin shqiptar. Më e rëndësishmja është që ushtarët pushtues nderohen në një varrezë të vetme dhe për trupat që kanë shenjat dalluese të ushtarakut. Tash kthehemi e pyesim, çfarë donin ushtarët grekë në Përmet? A ishin në luftë për të mbrojtur atdheun e tyre apo në tentativë pushtimi ndaj fqinjit?

Meqë do na duhet të sillemi si fqinj të mirë, a do duhet të ndërtojë shteti grek një përkujtimore dhe varreza për popullsinë shqiptare të martirizuar në territorin grek, thënë më qartë a do duhet të ndërtojnë një varrezë përkujtimore jo për ushtarë pushtues, po për viktima të pafajshme që u therrën e u zhdukën në një akt terrorist? A duhet të ketë një reflektim për të shkuarën dhe një qasje të drejtë, europiane e të sinqertë ndaj këtyre plagëve, sepse besoj se kjo do të thotë të fillojmë të sillemi si fqinj të mirë?

Do rendisja edhe çështje të tjera që rrinë pezull si shelfi kontinetal dhe përcaktimi i kufirit detar e tokësor si një procedurë juridike për t’u ndjekur hap pas hapi e në tërësi në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, trajtimi i minoriteteve ku shteti grek do duhet së paku të trajtonte pakicat me modelin që i trajton shteti shqiptar e të mos shpallet shtet që nuk i njeh minoritetet, por edhe çështje të tjera si pengimi në kufij i burrave dhe grave të moshuar, faji i vetëm i të cilëve ka qenë lindja në tokat e babës, në qytetet e lashta të Filatit, Margëlliçit, Pargës, Paramithisë e Volës. Të gjitha këto janë çështje tejet të rëndësishme dhe që kanë vetëm një rrugë zgjidhje: Ulje në bisedime dhe trajtimi një për një, si fqinj të mirë.

Fqinji i mirë nuk vret e të kthen shpinën, nuk pushton e pastaj të kërcënon me luftë, nuk vjedh e bën hajgare me pronat e tua, me shtëpitë e babës e gjyshërve të botës. Ky është fqinji i mirë…

Herës tjetër që ministri i jashtëm grek do kërkojë sjelljen tonë si fqinj të mirë do na duhet të bëjmë veç një gjë me të; ta ulim në një tryezë, ta lidhim në një karrige e të dëgjojë, të dëgjojë ai dhe grekët e tjerë se ka një tjetër fytyrë të historisë, një fytyrë të hirnosur prej turpit ndaj fqinjit, për të cilën ata as dëgjojnë e as duan të dëgjojnë, as dinë e as duan ta dinë, e më pas të nisim një faqe të re të historisë mes vedi, si dy popujt më të lashtë të kësaj treve të sëkëlldisur, të quajtur Ballkan. Një gjë duhet ta dinë mirë, sot e përgjithmonë, ne nuk heshtim më e të mos heshtësh është e drejtë njerëzore. Të pushtosh, të vrasësh, të vjedhësh, ky është mëkat para Zotit e njeriut.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>