Ka than' i moçmi: 

"Sod nuk don me dijt kush si je, po si dukesh e si paraqitesh."

- Anton Harapi

Shqiptarët e ishullit Andro në Greqi

Nga Arben Llalla 0

Një tjetër vizitor Tournefor që e vizitoi ishullin më 1700 shkruan: “Katundet Arna dhe Amolohos banohen nga shqiptarët që mbajnë akoma veshjen e vendit të tyre, janë mikpritës, jetojnë me zakonet e veta, pa fe dhe pa ligje. Gratë shqiptare janë të zbukuruara me stoli, vishen me rroba njëlloj si vishen gratë e Atikisë. Gratë shqiptare janë më të pastra se gratë greke.”

Nga Arben Llalla

Ishulli Andros që duhet të ketë prejardhje nga fjala shqipe “ëndërra” laget nga ujërat e detit Egje dhe emrin ishulli e ka marrë që në kohën e lashtë antike.

Ky ishull ashtu si shumë ishuj të tjerë të Greqisë banohej dhe banohet nga një pjesë e popullsisë arvanitase ose shqiptare. Nga shekulli i kaluar krahina veriperëndimore e ishullit njihej si Arbëri.

Popullsia dhe shoqëria shqiptare që banonte në Andro ishte e mbyllur dhe njerëzit ishin pothuajse të panjohur deri më sot, pasi fshatrat arvanitas u zhvilluan shkallë-shkallë. Ashtu si shumë krahina të Greqisë që banohen nga arvanitët edhe rasti i ishullit të Andros që banohet ende një pjesë nga arvanitët ndriçon realitetin ndërkulturor dhe sjellë në dritë dukurinë që lidhen me gjuhën shqipe dhe gjuhën e re greke dhe shumë fakte të tjera historike, folklorike, etnografinë që bashkon ngushtë të shqiptarët me grekët e Greqisë së Re.

Me saktësi, kur u vendosën shqiptarët në ishullin e Andros nuk dihet, por sipas disa burimeve historike shqiptarët mundet të kenë zbritur në ishull në shekullin XV. Gjithashtu, nuk dihen rrethanat, në të cilat shqiptarët u gjendën në këtë ishull dhe më tepër në zonën veriore të ishullit. Në dokumentat e qeverisë së Venedikut thuhet: “Arbërit erdhën  në ishull midis viteve 1418-1425 nga zonat Evia, Atikis dhe Biotia. Këta shqiptarë që erdhën ishin bujq të mirë dhe ushtarë të zotë. Shqiptarët nuk erdhën si pushtues, por pasi Duka Pietro Zeno (1384-1427) i ftoi ata për popullimin dhe punimin e tokës së shkretë të ishullit.”

Katundet e parë që krijuan shqiptarët në Andro ishin Amolohos dhe Arna. Katundi Amolohos ishte qendra, prej të cilës shqiptarët e parë u përhapën në të gjithë ishullin. Katundet që kanë banuar ose banojnë shqiptarët që thirren me emrin arvanitasit janë: Gavro, Shën Petro, Ateni, Baçi, Remata, Katahalos, Arna, Amolohos, Burkoti, Ano Aprovatu, Kato Aprovatu, Gjidhe, Kato Fellos, Pano Fellos, Livadhesa, Psoriareza, Galios, Agjini, Kalamos, Kalivari, Hartes, Ano Varidhi, Kato Varidhi, Kumari, Kaloqerini, Vitali, Sidhonda.

Kulla e Janulis Dhimitriu

Shqiptarët e ishullit Andro përmendën për herë të parë nga vizitorë në shekullin XVII më së pari nga Jean Thevenot, (Relation d’un voyage fait au Levant, Paris 1664). Jean Theveton e vizitoi ishullin më 1655 dhe shkruan: “Ka në ishulln Andro 60 fshatra të përhapura në vende të ndryshme, prej të cilave qendra të rëndësishme janë fshatrat Arna dhe Amolohos, që banohen prej 1.200 shqiptarë. Janë të gjithë të fesë ortodokse greke dhe ndryshojnë në gjuhë dhe në veshje, njerëz të ashpër dhe krejt të pashkolluar.”

Një tjetër vizitor Tournefor që e vizitoi ishullin më 1700 shkruan: “Katundet Arna dhe Amolohos banohen nga shqiptarët që mbajnë akoma veshjen e vendit të tyre, janë mikpritës, jetojnë me zakonet e veta, pa fe dhe pa ligje. Gratë shqiptare janë të zbukuruara me stoli, vishen me rroba njëlloj si vishen gratë e Atikisë. Gratë shqiptare janë më të pastra se gratë greke.” (M. Ritton de Tournefort Relation d’un voyage du Levant, Astredam1718).

Gazeta e Përgjithshme e Greqisë në mars të 1828 shkruan për ishullin Androns si një ishull i gjatë dhe shkëmbor që përbëhet nga 850 shtëpi në veriperëndim, ku banojnë shqiptarë me gjuhën dhe zakonet e tyre.

Janulis Dhimitriu

Në revolucionin grek të 1821 morën pjesë për çlirimin e Greqisë nga pushtuesit osman edhe shqiptarët e ishullit Andros. Një nga figurat e shquara të revolucionit të 1821 të Andros ishte shqiptari Janulis Dhimitriu, i cili lindi më 1777 në katundin Amolohos që ka qenë banuar nga shqiptarët. Janulis Dhimitriu ishte një njeri me autoritet, jo vetëm në katundin e tij Amolohos, por në të gjithë ishullin Andros. Ai ishte kryeplaku i fshatit Amolohos dhe udhëheqësi i shqiptarëve të ishullit të Andros të revolucionit grek të 1821. Vdiq në vitin 1863.

Shqiptarët e ishullit Andros në Siçili

Një pjesë e shqiptarëve që kanë banuar dikur në ishullin e Andros gjenden në Italinë e Jugut. Ata e braktisën ishullin, pasi firmosën në Siçili më 1521 një marrëveshje ekonomike me baronin Alfonso Peralta, me qëllim që ai t’i lejonte të vendoseshin në tokat e tij në Contessa Entella në Siçilinë Perëndimore.

Contessa Entella në Siçili

Katundi Contessa është ndërtuar në vitin 524 dhe emrin e morri nga Kontesha Eleonora d’Aragona. Nga viti 1875 u pagëzua me emrin Contessa Entella, sepse ndodhej afër qytetit të lashtë Entella që është rreth 80 kilometra afër Palermos.

Gjeografi siçilian Thommaso Fazello (1498-1570) shkruan: “Shqiptarët që erdhën në fillim në Bisiri u quajtën greci. Më tej, këta shqiptarë të quajtur  greciu vendosën përgjithmonë në Contessa Entella rreth vitit 1450.”

Dihet historikisht se pas vdekjes së princit të Arbërisë dhe Epirit, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, një pjesë e ushtarëve të tij bashkë me familjet e tyre në vitin 1468-1478 u ngulën në Contessa Entella të ftuar nga Alfonsi.

Në vitin 1520 erdhën nga Poleponezi rreth 100 arbër në Contessa Entella.

Pra, arvanitasit e ishullit Andros, arbërit e Skënderbegut dhe arvanitasit e Poleponezit që u vendosën në Contessa Entella quheshin gabimisht deri vonë  greci”. Dhe të gjithë këta  greci” janë ende në Contessa Entella dhe flasin gjuhën e tyre amtare shqipe dhe janë pjesë e gjakut të arbërit. Këta arbër të vjetër kanë që nga viti 2000 që me vendim të Bashkimit Europian dhe Parlamentit italian kanë gjuhë zyrtare të dytë shqipen.

Një libër historik për shqiptarët e ishullit të Andros

Një studim serioz rreth gjuhës dhe jetës së shqiptarëve në ishullin e Andros ka botuar vite më parë studiuesi dhe shkrimtari grek me origjinë shqiptare nga Rapëza e Margëlliçit të Çamërisë, Titos Johalas*, drejtor i Institutit të Kërkimeve të Akademisë së Athinës.

Mbas rreth 30 vjet studimesh, kërkimesh dhe udhëtime të shpeshta në ishullin e Andros, shkrimtari nga Çamëria, Titos Johalas na sjell një libër me vlera të mëdha shkencore dhe historike me titull të përkthyer në gjuhën shqipe “Andros, shqipja dhe shqiptaët” (Andros, arvanites dhe arvanitika). Në veprën e Titos Johalas pasqyrohet historia e pa njohur mirë deri tani e shqiptarëve që u vendosën shekuj më parë në ishullin Andros dhe mërgimi i dytë i tyre që përfunduan në një katund të Siçilisë të quajtur “Grekoshqiptarët e Poleponezit dhe të Andros”. Në libër ka dhe shumë kuvenda të autorit në vitet e fundit me të moshuarit e fshatrave në ishullin Andos, të cilët flasin ende sot e kësaj dite shqip dhe shumë vargje e këngë shqipe që autori i ka mbledhur mbas një pune shkencore 30 vjeçare. Në libër përshkruhet jeta e thjeshtë dhe me vuajtje të banorëve të ishullit në shekujt e mëparshëm duke u grabitur nga piratët dhe sulmet osmane, taksat tepër të rënda, nënshtrimi, formojnë skenën e një jete të vështirë të shoqërisë të vendosur në shekuj në ishull.

Duke njohur shoqërinë, veshjet dhe stolitë e banorëve, jetën shoqërore, ndërtimet, kalojmë në njohjen e emërtimit të fshatrave me emërtime shqiptare

Një pjesë të mirë të studimit përbëhet nga tekste dhe këngë shqiptare ishullit të Andros dhe me të folmen.

Titos Johalas

Në mbyllje libri shoqërohet me shumë fotografi nga jeta e sotme e shqiptarëve që i thërrasin me emrin arvanitas në ishullin e Andros.

Vite më parë studiuesi çam Titos Johalas ka botuar edhe disa vepra të tjera si: “Gjergj Kastrioti Skëndërbeg”, “Fjalori greko-shqiptar i Marko Boçarit”, “Studime të shkronjave greko-shqiptare dhe dialogu greko-shqiptar”, “Përralla arvanite”, e të tjerë.

Vargje të mbledhura nga studiuesi dhe shkrimtari Titos Johalas në banorët e sotëm arvanitas të ishullit Andros në vitet 1992.

Vate vajzëza te klisha

Ljulje, moj ljulje

frestë, frest i bën këmisha

nuk e thomt e juve,

Vate vajzëza te stani

e thomte të, satemë

frestë, frest i bën fustani

çë ishtë pljakë

e ishtë e nxënë.

U të thom;

Vate prifti të këngon: “hajde të vemi”

dolli maçi t’e prëngon.

Ti më thu: “rroba s’kemi”

E të die të këndonjë

U rroba nëkë dua

nga menatë çë do shkonjë

mon të puth erët dua.

çë të bukura të zhgjonjë

* Shënim: Studiuesi prof.dr. Titos Johalas ka lindur 1942 në Rapëzë të Margëlliçit të Çamërisë dhe është shqiptar ortodoks, gruan e ka shqiptare nga arbëreshët e Italisë. Por, për arsye që dihen ai shkruan se ka lindur në Janinë në CV e tij. Ai e flet shumë mirë gjuhën shqipe. Ne duhet ta mirëkuptojmë atë për mohimin e kombësisë së tij shqiptare.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej