Ka than' i moçmi: 

"Dy bija të përmallshme, gurë të paçmuar, si hyj po ndritni ju, Kosovë e Çamëri."

- Asdreni

Shqipëria këtej dhe përtej

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Më 3 tetor, 26 vjet më parë u bashkuan dy Gjermanitë. Rrënimi i Murit të Berlinit ndryshoi jo vetëm këtë fuqi botërore, por edhe ekuilibrat gjeopolitikë. 3 tetori është festë kombëtare për Gjermaninë dhe kujtohet me mjaft vëmendje në të gjithë kontinentin. Natyrisht, shqiptarët kanë punë më të mëdha për të kryer sesa të ndalojnë një dekikë për të reflektuar në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme që ka ndryshuar jo pak fatet e tyre.

Pikërisht, në këto ditë të rëndësishme në Tiranë ka qenë mysafir ambasadori Christopher Hill, i cili gjatë një interviste (që kaloi pa vëmendjen e duhur si përherë) tha se e kishte kuptuar që Shqipëria nuk e donte bashkimin me Kosovën, ndaj nuk qe trembur nga ideja e Shqipërisë së Madhe.

Dukej sikur ishte shenjim i fatit, por pa mbaruar këtë deklaratë ambasadori amerikan, në Tiranë patëm mysafir Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i takoi të tërë, ashtu si thonin gjyshet tona “me kuç e me maç”. Ndryshe nga sa pritej Erion Veliaj i kishte mbaruar çelësat e qytetit me Dua Lipan dhe Bebe Rexhën, kurse tek ish-kinema “17 nëntori” nuk janë bërë ende kopjet e reja.

Presidenti i Kosovës vendosi të nderojë shkrimtarin Dritëro Agolli. Njeriu i madh i letrave e priti burrin e shtetit me një gotë raki të fortë dhe sfidoi vështirësitë e moshës për t’i përcjellë një porosi atij e jo vetëm. Shkrimtari tha se nuk ka Shqipëri dhe Kosovë, por ka Shqipëri këtej Drinit dhe Shqipëri përtej Drinit, pasi Lidhja e Prizrenit ishte për një republikë. Si e themi ne, këndej nga Tirana, Hashim Thaçi mbeti si pemë. I gjori President, priste ndonjë bisedë sa me kalu radhën për poezinë, shkrimtarët dhe kulturën që ai të lëshonte ndonjë premtim nga ato si parrulla marksiste. Jo, plaku i vargjeve i la një porosi që në mendësinë e shqiptarëve nuk e tret as dheu. Nuk futet fare në shportën e riciklimit porosia.

Tani, që duket sheshit se gjeopolitika ka ndryshuar, erërat e ngrohta po fryjnë për të gjithë shqiptarinë, tani që çështja e tyre nuk mbahet më e ndryrë nëpër sirtarë, kur mbërrijmë në ditën që Komisioneri Hahn shtron për zgjidhje genocidin ndaj Çamërisë, ku faktori politik bashkohet jo me urdhërin e peshkut në Ulqin dhe Preshevë, Shqipëria dhe Kosova janë të ndara, thua se drejtohen nga Bunjaku dhe De Biasi.

3 tetori gjerman duhet të ishte festuar në Tiranë e Prishtinë vetëm me optikën e bashkimit. Duheshin lënë mënjanë broçkullat se do bashkohemi në Bruksel. I vetmi diskutim që duhet të bëjmë është si do të bashkohemi dhe çfarë do të prodhojmë. Do kemi një Federatë apo Republikë me një kryeqytet. Të tjerat janë marrina, ku në piedestal të marrëzisë qëndron ideja marroke e krijimit të Kombit kosovar. Por, politikanët tanë të Shqipërisë këtej dhe Shqipërisë përtej udhëhiqen nga parimi i urtë fshatar: “Më i mirë i pari i katundit, se i fundit i qytetit”. Edhe këta që na drejtojnë nga Tirana apo Prishtina dëshirojnë, frymojnë për sinoret e ndara, sepse kështu askush nuk i cënon zotërimet e tyre. Ndryshe Edi Rama i viteve ’90 do i quante: “Fshati n’festë!”.

Kur u puqa një herë me Veton Surroin i thashë se tani që u dashka të krijojmë Kombin kosovar dhe meqë Skënderbeun e kemi “tokë e xanun”, juve kë do të shpallni hero kombëtar Halil Matoshin? Vetonit i pëlqen paradoksi si lëmë për t’u zbuluar.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej