Ka than' i moçmi: 

“ Hani, vidhni, hiç mos mbeten, mbretër sa të hani veten...”
                                                                                        -Petro Marko

Shpëtim Idrizi-Presidentit të Greqisë: Standartet europiane nuk janë ushkuri për të mbajtur qillotat poshtë fustanellës (film)

Nga Media 0

Idrizi: Ajo që stë vret të bën më të fortëJanë ata, është Athina problemi! Unë jam shqiptar i Çamërisë, Unë jam europian.

Faktori politik i shqiptarëve të Çamërisë ka nisur ringritjen, pikërisht ditën, kur ai u themelua, këtu e 27 vjet më parë me Shoqërinë Politike Atdhetare Çamëria”.

Në këtë përvjetor, politikanët e Çështjes Çame duhet të ringrihen pas grabitjes që ju bë mandateve të tyre, megjithëse PDIU mori në zgjedhje gati 80 mijë vota, duke qenë një forcë politike që pati një rritje prej 40 mijë votash.

Shpëtim Idrizi, kryetar i kësaj partie thotë se Çështja Çame dhe ajo Kombëtare nuk mund të mbetet peng e kulisave të marrëveshjeve që vasalët e Tiranës bëjnë me Athinën zyrtare.

Më poshtë, fjala e plotë e Shpëtim Idrizit në përvjetorin e themelimit të ShoqatësÇamëria”.

Fjalia e parë që më vjen ndër mend të them sot përpara jush, vëllezër dhe motra është:

Unë jam shqiptar i Çamërisë, Unë jam europian.

Asgjë nuk ka ndryshuar që nga 10 janari i vitit 1991, kur u themelua Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria”, asgjë nuk ka ndryshuar nga 1 tetori 2016, kur këtë deklaratë e bënim në Kuvendin e Shqipërisë.

Megjithëse kalojnë javë, muaj, vite, kjo shpallje mbetet e rëndë si atëherë, kur një grup intelektualësh të dalluar çamë si:

Abaz Dojaka, Arshin Rexha, Sali Bollati, Hilmi e Lutfi Saqe, Remzi Sula, Resul Demi, Nexhat Mergjyshi, Servet Mehmeti, Petrit e Hilmi Kasemi, Resul Taipi, Emin e Ferhat Sejko, Vehip Dojaka e plot të tjerë deklaruan krijimin e shoqatës së parë patriotike.

Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria” është e para dhe ndoshta e vetmja organizatë e krijuar nga një popullsi e martirizuar, e cila është dëbuar nga tokat e saj prej spastrimit të pastër etnik, të cilin  rëndom sot e quajmë gjenocid.

Por, krijimi i kësaj shoqate ishte rinxjerrja në dritën e diellit të një nga historive nga më të rëndat, jo thjeshtë shqiptare, por europiane.

Spastrim etnik të kësaj natyre, i cili u tentua që për gjysëm shekulli të kalonte në heshtje, nuk ka parë asnjë komb europian në historinë moderne.

Fati i keq u ra shqiptarëve të Çamërisë, të cilët jo vetëm u ndëshkuan me vrasje, djegie, masakrime, rrëmbime pronash, dëbime, por u dënuan nga sivëllezërit e tyre të politikës me peshën e rëndë të heshtjes.

Prandaj, sot pas 27 vjetësh nuk mundesh vetëm se të përkulesh para atyre burrave që në agun e demokracisë gjetën forcën, guximin trimërinë të themelojnë këtë lëvizje, e cila zbuloi në sy të gjithë botës këtë tragjedi kombëtare.

Prandaj, sot ka shumë rëndësi që jo vetëm unë, jo vetëm ju në këtë sallë, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të thonë me plot gojën:

Unë jam shqiptar i Çamërisë, unë jam europian.

Në këtë fjali përfshihet gjithë lëvizja jonë patriotike kombëtare.

Ne shpallim Çështjen Çame, kërkojmë zgjidhjen e saj të plotë, gjithëpërfshirëse dhe pa asnjë njollë të Kalit të Trojës, por në të njëjtën kohë kërkojmë zgjidhjen si europianë, pa rënë pre e populizmit marrok, të cilin shpesh e kemi vënë re se sa i dëmshëm është edhe në politikën shqiptare.

Ndaj më shumë se kurrë sot unë them:

Unë jam shqiptar i Çamërisë, unë jam europian!

Tek kthen kokën pas në zhvillimet, nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria jonë, për ata që bën hapin e parë të Shoqatës “Çamëria” ndjen vetëm respekt dhe vlerësim.

Ata na kanë hedhur themelet dhe pa veprën e tyre askush nga ne nuk do të kishte as forcë, as argumenta për të përballuar sfidat shumë të vështira që kaluam dhe do të kalojmë në këtë udhë, e cila mund të ngjaj si Udha e Mundimeve, por nuk është Udha e Sizifit, sepse fundi i saj është atje, në shtëpitë tona në Margëlliç, Filat, Gumenicë, Pargë, Paramithi, kudo në Çamëri.

Nuk mund ta gjejmë udhën tonë, nëse nuk evokojmë sot Çamërinë e Pirros së Epirit, të Dora D’Istrias, Marko Boçarit, Abedin Bej Dinos, Xhavellës e Bubulinës, Hasan Tahsinit, Mitrush Kutelit, Koli Idromenos e Bilal Xhaferrit, si dhe të katër firmëtarëve të pavarësisë së Shqipërisë.

Natyrisht, këta janë emra të mëdhenj, por vetëm një tokë e rëndë si Çamëria mund të nxjerrë viganë të këtillë.

E këtillë shpaloset historia e rrënjëve tona, prandaj ka shumë gjasa që kjo peshë e rëndë të trembë, të frikësojë të gjithë ata që mendojmë se na duan, lëre pastaj armiqtë tanë.

Çamëria është e rëndë plumb dhe në këto vite të gjata, shpesh kemi kuptuar që nuk kanë këllqe ta mbajnë ata që mendojnë se kanë patur fatet e këtij kombi në dorë.

Enver Hoxha e dënoi me harresë dhe heshtje, të tjerët që erdhën pas zgjodhën ta dënonin me dredhi.

Natën e vrisnin dhe ditën e qanin.

Britnin në tribuna, tubime për Çamërinë, sepse u duheshin ato të shkreta vota, u duhej ajo influencë në politikë e bijve të Çamërisë, por natën, në terrin ballkanik të hiles bënin marrëveshje me grekët dhe gjithë sojin që duan të groposin Çështjen Çame, e cila padyshim është dhe mbetet Çështje Kombëtare.

Ne, që kishim fatin e privilegjin te ishim ligjvënësit e Çamërisë jemi akti i fundit i ndëshkimit të pabesisë që zgjodhën si helm për të na e dhënë ta pinim, teksa ngrinin shëndete dhe përbetoheshin për Shqipërinë, përbetoheshin për Çamërinë.

Është pa dyshim e hidhur ta kuptosh rengun që të kanë bërë jo ty, jo disa deputetëve, jo një partie politike, por shqiptarëve të kësaj krahine martire që nuk ngopen duke i vrarë dhe rivrarë.

Dikur greku përdorte bandat e Napoleon Zervës për t’i masakruar, therrur, sot përdor marrëveshjet e kulisave me politikanët tanë e dy fytyrave që luftën për pushtet e kanë mbi prosperitetin e Shqipërisë ,e jo më të mbajnë Çështjen Çame Një fytyrë e mbajnë të qeshur për ne, tjetrën të bindur para kërcënimeve të Athinës.

Shihni ku jemi sot; i kanë ndarë shqiptarët sikur të ishin dy popujt, populli opozitar dhe mazhoritar që i kacafysin për karriket e tyre jo një herë në katër vjet, por çdo ditë…

Një pyetje dua të bëj nga kjo tribunë kaq e lartë: Ne, çamët dhe të gjithë shqiptarët a ishim më mirë dje, kur faktori çam i Shoqatës “Çamëria” dhe ai politik i PDIU-së trimëroi politikën dhe vendimarrjen?

A ishim më mirë, kur Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i ktheu dinjitetin politikës shqiptare në raport me fqinjët?

Apo jemi sot më mirë, kur po përpiqen me shpirt ndër dhëmbë për të mirënjohurin “reciprocitet” në raport me Greqinë që ndonjë ditë do të na sjellë varreza të ushtarëve grekë në Lezhë apo Tropojë.

Duhet të kemi parasysh dhe duhet të kuptojmë qartë e shkoqur që problemet me fqinjët tanë nuk i kemi krijuar asnjëherë ne, por ata kanë qenë dhe janë gjithmonë problemi, ata janë halli dhe është hall që e kemi trashëguar prej të paktën dy shekuj.

Janë ata, është Athina problemi!

Nuk i kuptoj aspak këto zërat politikë dhe mediatikë që na thonë se janë përkeqësuar marrëdhëniet me Greqinë?

Më falni që pyes, por kur kanë qenë të mira marrëdhniet me Greqinë?

Kush e krijoi dhe e mban në këmbë padrejtësinë për Çamërinë?

Kush e mban peng marrëveshjen për detin apo demarkacionin?

Kush janë ata që po mbjellin varre të paqena në një tokë që e kanë pushtuar dhe djegur?

Tirana zyrtare nga ana e saj po hedh tymçe, tek thotë që po dialogojmë e po zgjidhim problemet me Greqinë.

Uroj të jetë kështu dhe vetëm kështu, po deri tani keni dëgjuar që po zgjidhen problemet që Greqia ka me Shqipërinë? Nëse po, më informoni dhe mua, se qenkam prapa botës.

Nuk di, ndoshta është zgjidhje e problemeve ligji për minoritetet, nga i cili na doli se Shqipëria qenka vend multietnik me plot nëntë pakica kombëtare. Nuk e di, këto “koka të mëdha” që bëjnë zgjedhje të këtilla e ngrejnë duart përpjetë në Kuvend si do të përballen me kujtesën e kombit, me etërit tanë shtetfrormues. A do të kenë guxim para historisë kanë guxim këta, tani që i ndajmë shqiptarët me nëntë etni të tjera, që edhe kur nuk i kishim i sajuam dhe u dhamë ca shqiptarë borxh që t’i quajmë jo vetëm grekë, por edhe serbë, bullgarë, ashkalinj e ku e di unë se çfarë. Madje, nuk u kënaqëm me kaq, por nxorrëm nga varret eshtrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë që të mbushim tetë mijë varre greke. Aq sa nuk janë vrarë në të gjithë luftën italo-greke, na duhet të ndërtojmë varreza në Këlcyrë e gjetkë, madje t’u rrimë dhe “gatitu”, sepse qeveria e “patriotëve të mëdhenj” u ka caktuar ditë nderimi, ku do shohim në sy pelegrinazhin e kokave të nxehta që do valëvisin në zemër të tokës arbërore flamujt e Vorio Epirit.

Reciprociteti duhej të niste me kërkesën tonë të kahershme për ndërtimin fillimisht të një varreze në Çamëri për viktimat e gjenocidit grek që lanë kockat, se i therrën pabesisht dhe të pambrojtur. Këtu nis reciprociteti, jo tek gotat e uzos që pijnë në takime; një Kotzias dhe një ai që e mban me muhabet në tryezën e bisedimeve.

Por, përse i duan kaq fort grekët këto varre, qofshin edhe bosh? Sepse, kur ne të kemi ikur tek i Gjithpushteshmi, kur në këtë tokë çelësat e Shqipërisë do i kenë fëmijët apo nipërit tanë, grekët do të kthehen dhe do ua kërkojnë atdheun atyre që janë foshnje sot apo që nuk kanë lindur ende. Do ju thonë këto janë varret e të rënëve tanë, e gjyshërve tanë, prandaj kjo është toka jonë. Sepse, për politikën greke aty ku është varreza, është toka e tyre.

Ja, pra ku e kemi reciprocitetin e këtyre “mendjendriturëve” që qëndrojnë kokëulur para kërcënimeve të fqinjit tonë jugor.

Por, ama e kanë gati justifikimin; po heqim ligjin e luftës të përgjigjen.

Kjo puna e këtij premtimit të heqjes së ligjit të luftës është për ironi të fatit si kalendat greke që kurrë nuk mbërritën, por le ta marrim të mirëqenë, mos të bëjmë ndjellakeqin. E zëmë se e hoqën nesër, apo akoma më mirë e zëmë se e kanë hequr.

Çfarë ndodh? Të nisim festën?

Jo, motra dhe vëllezër,

Ligji i luftës ishte turpi i Greqisë, ndërsa deri para disa kohësh na thonin që nuk ekziston …

Asgjë nuk ndodh se ai ligj i luftës duhet shoqëruar me shfuqizimin e të gjitha akteve nënligjore që e mban në këmbë persekutimin e të gjithë çamëve dhe që na mban neve, shqiptarëve të Çamërisë larg shtëpive e pronave tona, por dhe të gjithë shqiptarëve dhe komuniteteve fetare që kanë prona në Greqi. Ndaj, ja ku po jua them sot, këtu, hapur pa fjalë të komplikuara politike: Mos bëni festë, nëse e thonë në televizor se e hoqën ligjin e luftës.

Është pesë me hiç. Sërish nuk do të na lënë të hyjmë, sërish nuk do na lënë të vendosim një tufë lule në varret e të parëve, megjithëse këta do të ndërtojnë këtu tetë mijë varre bosh.

Uroj shumë që në takimin e radhës Bushati-Kozias të prevalojë detyrimi Kushtetues për reciprocitet e të hiqet ligji i luftës e pasojat e tij, të hapet rruga e zgjidhjes së Çështjes Çame, të ngrihet problem i varrezave të shqiptarëve në Çamëri, dhënia e statusit të minoritetit shqiptar të çamëve që jetojnë në trojet e tyre, të trajtohet me profesionalizëm marrëveshja e ujrave dhe ai për kufirin tokësor dhe marrëveshja për sigurimet shoqërore.

Ndryshe do të jetë një serenatë korçare me duetin Kozias-Dhimitri.

Më duhet të ritheksoj dhe ripërsëris kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e varrezave dhe përmendores së kujtesës për partizanët e batalionit “Ali Demi” dhe të rënëve në masakrat në Çamëri, e bëjmë këtë kërkese në respekt të të rënëve që dhembin njësoj. Por, po e ripërsëris prapë: Ne do të ndërmarim të gjithë hapat e nevojshme juridike dhe format demokratike të protestave dhe referendumeve që të mos lejojmë ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri si pushtues në formën e miratuar, edhe nëse miratohet ngritja e varrezave të shqiptarëve të Çamërisë në Greqi.

Kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur Presidentin e Greqisë të kërcënojë Shqipërinë me rrugën e standartet europiane për respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

I kujtoj Presidentit të Greqisë se standartet europiane nuk janë ushkuri për të mbajtur qillotat poshtë fustanellës, por ato janë të drejtat e njeriut të sanksionuara në Konventat Europiane.

Kam pritur të dëgjoj ndonjë reagim të autoriteteve tona, por hiç, vetëm heshtje.

Zoti President, po të drejtat e ish-shtetësëve tuaj që ju prek e drejta e jetës u masakruan jo në luftë, por në shtepitë e tyre, që edhe sot vendi që ju përfaqësoni ju ndalon të drejtat themelore të njeriut e drejta e lëvizjes së lirë dhe e pronës e u mohohet nga Ju ekzistenca.

Po ne e kemi të drejtën nga Zoti jemi gjallë e shumohemi çdo ditë e çdo foshnjë që lind e thotë me krenari: Unë jam shqiptar i Çamërisë, unë jam europian.

Është e qartë që kanë luajtur të gjitha gurët që ta zhdukin përfundimisht faktorin politik shqiptar të Çamërisë, duke përdorur kurthet e ligjit zgjedhor, blerjen e votës, intrigat dhe deri tek akuzat e paqena për njerëzit tanë.

Ne nuk na zhdukën dot bandat e Napoleon Zervës e jo më kulisat e pushtetit, që në rastin më të mirë janë keqpërdorur nga qarqet anti-shqiptare, të cilat e kishin halë në sy PDIU-në.

Por, sido që të ketë ndodhur, sado të na kenë rënë në qafë ne do të mbetemi dhe më të fortë, edhe më solidarë, ja ashtu halë në sy për çdo politikë antikombëtare.

Ylli ynë polar do të vazhdojë të jetë Bashkimi Kombëtar e Çështja Çame!

Kurrë nuk do të heqim dorë prej saj, kurrë nuk do të themi që u lodhëm, sepse ne jemi shqiptarë të Çamërisë, ne jemi europianë.

Ne duhet të kuptojmë për çfarë jemi bashkë në këtë Shoqatë, e nga këtu ne duhet të rikonceptojmë e të ristrukturojmë Shoqatën “Çamëria” dhe PDIU-në si një mision i madh patriotik, ashtu siç e krijuan burrat e nderuar 27 vjet më parë!

Por, ja ku po jua them: Ajo që s’të vret të bën më të fortë!

Rroftë Çamëria!

Shoqata "Çameria" perkujton 27-vjetorin e krijimit te saj

Posted by Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet on Tuesday, January 16, 2018

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej