Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Shpëtim Idrizi: Duhet të kthejmë shpresën tek opozita. Rilindasi sapo njomi buzët me uzo e qepi gojën për Çështjen Çame

Nga admin 0

Bisedoi: Valentina Madani

Zoti Idrizi përse PDIU-ja vendosi që të kalojë në opozitë?

PDIU nuk kaloi në opozitë. Ne ishim në opozitë. Tani thjesht u bashkuam me Frontin opozitar, sepse jemi të bindur që përballë një mazhorance arrogante e që e qeveris këtë vend me një ekonomi pa busull, e lodhur pas 5 vjet qeverisje, e tejngopur nga aferat me një grusht oligarkësh e gjithnjë e më e personalizuar nga i vetmuari i madh Rama, vendit i duhet një Opozitë e fortë që duhet të kthejë shpresën tek shqiptarët.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ose më mirë në masakrën e fundit elektorale, PDIU doli e vetme dhe haptas në program dhe qëllime kundër politikave qeveritare ndaj Çështjes Kombëtare, ekonomisë dhe zhvillimeve të tjera të natyrës tepsi. Po ju kujtoj që në këto zgjedhe PDIU u votua me mbi 76 mijë vota 35 përqind më shumë se në vitin 2013, por u masakrua në mandate në Tiranë dhe në Fier, edhe nga marveshja Rama -Basha për mosformim të koalicioneve në kundërshtim me Kodin zgjedhor. Por, për shkeljen e Kodit zgjedhor, për vjedhjen e mandateve të PDIU, për mospërfaqësimin e mbi 76 mijë votave nuk flet njeri.

Në fakt, nuk kemi qenë asnjëherë në qeveri, thjesht bashkëpunonim për reformën administrative dhe padyshim për Çështjen Çame. A e dini që në mandatin e kaluar kjo mazhorancë e kishte në programin e qeverisë Çështjen e Genocidit Çam e sot nuk ka më?

E dini besoj që deri dje Rama e Bushati flisnin e bërtisnin për Çështjen Çame sa çuditeshim edhe ne për këta “trima” që kishte nxjerrë Shqipëria… e sot thonë që na falni pak se ashtu ishte loja e ne duhet ta përdornim Çështjen Çame si çakmak për të nxehur temperaturën me Athinën që të ulemi në tryezë?

E dini besoj që deri dje Bushati bashkë me ne do e çonim Çështjen Çame në Bruksel tek Komisioneri Hahn që së bashku me heqjen e Ligjit të Luftës të ishte një ndër çështjet kryesore të dialogut Athinë – Tiranë?

E dini besoj që kur Shoqata “Çamëria” e PDIU kërkuan publikisht e zyrtarisht të takoheshin me Bushatin e të informoheshin për ecurinë e bisedimeve, për Çështjen Çame, të ashtuquajturen marrëveshje e detit e të tjera, Bushati nuk denjoi as të na takonte, megjithëse para një viti desh u anëtarësua në Shoqatën “Çameria” si çam i konvertuar.

Po besoj e dini se ndërkohë që Bushati nuk denjoi të na takonte, përgjigjen na e jepte Ciprasi, Kociasi e i “famshi” Pamenos (që një vit më parë i veshur me rroba ushtarake kërcënonte në kufi me trupa Shqipërinë): “Çështja Çame nuk egziston… nuk kemi folur kurrë për Çëshjten Çame e jemi të kenaqur me marrëveshjen me Shqipërinë?!!!”

E pastaj, është Rama që ka vendosë të bëjë marrëveshje të partneritetit strategjik me një vend që nuk njeh as Çështjen Çame e as shtetin e Kosovës?

S’e di ça duhet më tepër se kaq për të kuptuar se nuk ka lëvizur PDIU. po ka lëvizur Rilindasi (po të dëgjonin aty, ku u prehet shpirti rilindasve që formësuan ideologjinë kombëtare e shtetin shqiptar, s’e di çdo të ndodhte).

Kur thashë ka dhe më e kisha fjalën për marrëveshjen për toponimet që u bë për 700 pleq çamë që janë të moshës 75 vjeç e sipër. Ata duhet të detyrohen të ndryshojnë vendlindjen e tyre në pasaportat e tyre pronë e shtetit shqiptar.

Apo për implementimin e marrëveshrjes së turpshme për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore që erdhën si pushtues dhe pranuan për reciprocitet që shqiptarët e Çamërisë, të cilët u vranë, u masakruan pleq, gra, fëmijë, burra. jo në luftë, jo me armë në dorë, por në shtëpitë e tyre, të mos kërkohej të kishin një varr si për çdo njeri që lë këtë botë e do nderuar nga të gjallet. Mirë për Ciprasin të rënët në luftë pushtuese vlejnë e ata të Çamërisë nuk vlejnë, por dhe për Ramën e Bushatin nuk vlejnë?!

Kjo e fundit është pika ndarëse apo bashkuese. Qëndrimi i qeverisë ndaj Çështjes Çame dhe ndryshimi total i kursit të saj për këtë çështje na nxjerr automatikisht në opozitë.

Ku konsisiton marrëveshja juaj me PD-në dhe a ka bërë të pakënaqur brenda vetë PDIU-së kaolicioni me PD-në?

Pikat e marrëveshjes sonë tashmë janë bërë publike, sepse nuk është një marrëveshje kulisash netëve pa gjumë, por një marrëveshje programore, e cila sheh përtej opozitës. Pa dyshim në qendër të vëmendjes është Çështja e Genocidit Çam si prioritet i PDIU-së dhe vlerësimi i prioriteteve programore reciproke. Më duhet të theksojë se në koalicion me PD-në, ne jemi në një habitat të natyrshëm të spektrit politik.

Përsa i përket pakënaqësisë, nuk e gjej një gjë të këtillë, sepse bashkimin në koalicionin opozitar dhe marrëveshjen ne e kemi diskutuar në forumet e partisë, sidomos në Kryesi e Këshillin Kombëtar. Pra, nuk është një vullnet i thjeshtë kryetarit të partisë, por formueve të saj. Në këtë këndvështrim besoj se kemi përmbledhur aspiratën e anëtarësisë dhe votuesëve tanë.

Në koalicion me PD-në është edhe PBDNJ e Vangjel Dule, a përbën për ju ndonjë problem bashkëpunimi me ta në të njëjtën llogore dhe a keni patur mundësi që të flisni nga afër për këtëçështje me zotin Basha apo qoftë edhe me vetë me zotin Dule? Cili ka qënë reagimi i tyre?

Tani, ne kemi nënshkruar një marrëveshje me Partinë Demokratike, me zotin Lulzim Basha dhe si garant kemi patur Presidentin e nderit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotin Migliori. Ne jemi në një koalicion opozitar, me atë përbërje që ka opozita, por marrëveshjen e kemi me kreun e opozitës dhe partinë e tij. Unë e di shumë mirë cilët janë pjesëtarët e koalicionit, sepse lexoj edhe gazetat, por marrëveshja është programore dhe jo individuale. Kur ti punon për një marrëveshje programore nuk mund të bësh negociatat në të pëlqen apo jo një tjetër anëtar i koalicionit. Ajo që më pëlqen është që Çështja Çame është në programin e opozitës dhe do të jetë në programin e qeverisë së saj. Kaq. Ne kemi tonin. Besoj se është e qartë që ne kemi bërë marrëveshje me kryetarin e PD-së dhe mesa di unë që PD ka në koalicion dhe rreth 30 parti të tjera e gjysmat e tyre nuk i njoh. Ju mos prisni që unë t’i them Bashës fjala vjen ndonjë fjalë për Nard Ndokën, megjithëse edhe ky ka ankesa. Ne jemi politikanë që funksionojmë në bazë programesh, jo sentimentesh individuale.

Cila është përgjigja juaj për ata që PDIU-në e quajnë si parti klienteliste…?

Nuk kam asnjë përgjigje për njerëz punëkotë që merren me thashetheme. Ne nuk kemi qenë kurrë në pushtet, nuk kemi patur asnjëherë 1 ministër dhe qenkemi “klientelistë”. Na kanë vjedhur votat, na kanë djegur mandatet dhe qenkemi “klientelistë”??? As 1 për qind të pushtetit nuk ka ushtruar PDIU dhe qenka “klienteliste”??? Ne kërkojmë hapjen e dosjeve për politikanët dhe qenkemi “klientelistë”??? Ne kërkojmë bashkimin kombëtar dhe qenkemi “klientelistë”???

Por, unë e di përse e bëjnë; kanë një agjendë denigruese, e cila nuk kanë për shënjestër vetëm një parti politike, por një komunitet të caktuar; atë të çamëve. Është e njëjta metodologji denigrimi, raciste, separatiste që përdorte dikur Enver Hoxha që po përdorin këta sot. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me gjobaxhinj mediatikë, të cilëve nuk u janë paguar më tryezat e tavave të peshkut. Në rastin më të keq antishqiptarë që marrin para në Athinë.

Si e shikoni opozitën nën drejtimin e Lulzim Bashës? Çfarë duhet të përmirësojë ajo që tëmundëEdi Ramën?

Me një fjalë do ta përmblidhja me togfjalëshin “opozitë denoncuese”. Ka bërë mirë nxjerrjen në dritë të skandaleve dhe problemeve të mëdha që po e firojnë përditë këtë vend e që nis nga supremacia e kurajo në vend që krimi ka marrë e sigurisht problematikat e thella ekonomike. Shoh një opozitë më të motivuar, e cila po punon për të rritur besueshmërinë dhe që nuk fsheh gabimet e së shkuarës së afërt. Kjo është padyshim shenjë e pjekjes së opozitës dhe e kryetarit të saj. Por, sigurisht që kjo nuk mjafton. Që opozita të ngjallë shpresë do duhet që të sjellë një program ekonomik e social që do drejtojë ekonominë nga prodhimi e do ndihmojë shtresat në nevojë. Opozita duhet të ketë një program të qartë se si do e mundë krimin e korrupsionin galopant që po shkatërrojnë çdo iniciativë biznesi e rritje ekonomike. Është urgjente që opozita së bashku të fillojë një organizim në terren e shtrirje në mënyrë kapilare të evidentimit e përfshirjes së mbështetësve, simpatizantëve e personave të tjerë që janë prekur nga qeverisja problematike e sotme. Bashkimi i të tre këtyre komponentëve na krijon të gjitha kushtet që të hyjmë në zgjedhje e të kthejmë nga pozitiviteti e ndryshimi rrënjësor këtë vend.

Cila ofertë i duhet opozitës së bashkuar kundër qeverisë Rama”?

Një dhe vetëm një; shpresa. Nëse ua ngjall qytetarëve shpresën, atëherë rrëzimi i qeverisë është i mbaruar. Duhet t’i kthejmë njerëzve shpresën që me largimin e Rilindjes, vjen zhvillimi, rregullat e lojës, dhe jo një tjetër grup kriminal në pushtet. Shpresa nuk i detyron shqiptarët të marrin kurbetin, sepse askush nuk ikën me dëshirë nga vendi i tij. Këta po i përzënë, sepse kanë “vrarë” shpresën. Ne duhet ta kthejmë atë që të dalim para njerëzve ballëhapur. Ka vetëm një ofertë që opozita do sjellë në këtë vend, ndryshimi i gjendjes më shumë se të vështirë që po kalon vendi e kthimi në normalitet. Kjo opozitë sot është realisht mazhorancë numerike. Ne kemi të gjitha numrat për të qenë forcë drejtuese e vendit, por kjo nuk mjafton. Do i sjellim shqiptarëve një mentalitet të ri në qeverisje e alterantivën se si të kemi një vend normal. Të kemi një ekonomi që prodhon, të kemi një program se si shqiptarët të punojnë në vendin e tyre, të paguhen denjësisht, të shkollohen e të begatohen në shtëpitë e tyre. Do duhet të sjellim një program reformator të një shumice reale, atë që për fat të keq për shqiptarët nuk e bëri dot asnjë ditë kjo qeveri. Ka ende shumë për të bërë që njerëzit ta besojnë plotësisht këtë opozitë dhe ta shohin si alternativa e vetme ndaj qeverisjes aktuale. Po e arritëm këtë, pushteti i Rilindjes bie shumë shpejt.

Sipas jush kush tjetër duhet t’i bashkangjitet frontit të djathtë që të fitojë zgjedhjet e ardhshme vendore?

Gjithkush që kërkon ndryshimin. Nuk ka rëndësi në është i majtë apo i djathtë. Rëndësi ka, nëse do të jetojë në një vend të paqtë dhe me rregulla, ku shteti nuk kapet peng nga “të fortët”. Gjithsecili është i vlefshëm në këtë front që nga bujku i thjeshtë deri tek shoqëria civile apo partitë e tjera politike.

Kjo do të arrihet, kur të shkojmë së bashku në zgjedhje për ndryshimin e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore. Shqiptarët kanë kuptuar që kanë përballë një mazhorancë joreale e që ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve e sot po keqpërdor pushtetin. Oferta jonë duhet të jetë e qartë, njerëzit duhet të dinë për kë e për çfarë do duhet të votojnë e jo për tepsia e kusia.

Çfarë garancie keni marrë nga kreu i opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e Çështjes Çame?

Nuk ka garanci të fshehura e marrëveshje kulisash. Kemi një marrëveshje të nënshkruar nga unë, Basha dhe i nderuari Riçardo Migliori. Tani kemi një dokument detyrues për të gjithë ne. Nuk na shkoi kurrë mendja të linim litarin jashtë, kur punonim për draftin që u kthye në marrëveshje. Nëse nuk beson në rregullat që përcaktojnë një koalicion opozitar, si mund të shpresojmë në rregullat e një koalicioni në pushtet nesër? Prandaj PDIU dhe PD kanë një marrëveshje, si e vetmja garanci në këtë rrugëtim të vështirë, por që kam bindjen që përfundon me fitoren e sigurtë.

Cila ka qenë përgjigja e kryeministrit Rama dhe ministrit Bushati për Çështjen Çame?

Heshtja. Sa njomën buzët me gotën e parë të uzos heshtën me shqiptarët. Por, nisën të bëhen fjalamanë dhe të papërmbajtur me grekët. Në informacionet që unë kam, kanë sajuar një hartë që po i merr det e toka Shqipërisë. Por, ne nuk do i lejojmë. Ata ndoshta nuk e dinë që Homeri e ka thurur Odisenë në ato toka, se atje ka lindur, tek Orakulli i Dodonës. Prandaj, pëlhurën e Penelopës, ne çamët e dimë shumë mirë si thurret, por edhe si çthurret.

Pas bashkimit me PS-në ju keni deklaruar sePër herë të parë një kryeministër artikuloi për Çështjen Çame”. Çfarë ndodhi më pas…?

Për këtë duhet pyetur Edi Rama. Ne nuk ia përmbysëm gotën, siç bëri ai. Por, ai vetë e ka thënë se e përdori Çështjen Çame që të ulte grekët në tryezë. E përdori si kokëdash për të hapur dyert e Athinës. Sa u ul me ta e hodhi pas krahëve retorikën e deridjeshme.

A jeni gati ti kërkoni falje publike Edi Ramës nëse në bisedimet me Greqinë ata e kanë zgjidhur Çështjen Çame…?

Jo vetëm Ramës, por edhe gjithë rilindasve një nga një. Por, të jeni e bindur kanë bërë një vrimë në ujë, të cilën do të përpiqen ta shesin si fitore. Këtyre u janë zhveshur të gjitha lëkurët. U ka mbetur vetëm cipa e propagandës.

A morët një përgjigje nga kryeministri Rama për deklaratën e Presidentit Grek se çamët kishin sjelljen e sunduesit dhe bashkëpunonin me nazistët?

Sigurisht që deklaratave arrogante të Presidentit të Greqisë, Pavlopulos, duhet t’i përgjigjej Kryeministri, Presidenti e ministri i Jashtëm. Unë e kuptoj pse ju e kërkoni nga Rama. Por, ka kohë që Ramës që sokëllinte fort për Çështjen Çame në parlament i ka ikur zëri në raport me Greqinë e tashmë hesht si “fija e barit”.

Por, ka ardhur koha që t’i japim fund kësaj maskarade, ku shteti grek që mendon se i ka duart më të forta, i ndihmuar nga idiotët e dobishëm të Tiranës, të mund të përmbysë pa asnjë argument, pa asnjë fakt të vërtetën e madhe të masakrimit të mijëra shqiptarëve të Çamërisë, pleq, gra e fëmijë, të vrarë në shtëptë e tyre e jo në luftë.

Përballë 1 mijë partizanëve çamë të inkuadruar në dy anët e kufirit në Batalionin “Ali Demi” në Çamëri dhe të Batalionit “Çamëria” në Konispol, Greqia nuk paraqet një fakt, një foto, një formacion çam, apo cilat ishin krimet e çamëve në shtëpitë e tyre.

Pse Greqia në 74 vjet nuk ka kërkuar kurrë nga Shqipëria që të ekstradohet në Greqi, qoftë dhe një çam i vetëm që ka bashkëpunuar apo ka bërë krime…?

Prandaj, ne i kemi kërkuar publikisht shtetit shqiptar që të kërkojë hapjen e debatit publik me historianë për atë që ka ndodhur në Çamëri.

Boll më me retoriken e një Presidenti që dhe për vetë moshën duhet të ishte i kujdeshëm, kur vajti pikërisht në Paramithi, ku filluan masakrat me 27 Qershor 1944 e ku u masakruan 680 shqiptarë të Çamërisë.

Ne nuk kemi bërë përgjegjës popullin grek apo qeverinë e sotme greke, por është e rëndë për vetë popullin grek, që Presidenti i Greqisë të deklarohet si pasardhes i kriminelit Napoleon Zerva.

Ta harrojë Pavlopulos dhe idiotët e dobishëm të Tiranës që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Athina.

Idrizi: Parti klienteliste? PDIU nuk pati kurrë një ministër

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej