Ka than' i moçmi: 

“Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: Ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve”.

                                    -Faik Konica

Shkolla franceze e infermiereve në Tiranën e 1926-ës

Nga Media 0

Krijimi i Shkollës franceze të infermeiereve u bë i mundur falë një marrëveshjeje midis Kryqit te kuq shqipatar dhe atij francez.  Qëllimi i saj ishte të përgatiste infermiere në një vend ku nuskat dhe bekimet e klerikëve i ipnin akoma udhë Zotit për të shëruar të sëmurët e shumtë të një vendi fetar.

Ajo u hap në Tiranë në vitin 1926 në një shtëpi të vjetër dy katëshe, nga ato karakteristike e që prej të cilave kanë mbetur akoma fare pak, në rrugën që sot quhet “Maliq Muço”. Dikur e kam parë, sepse ishte pranë shkollës “10 korriku”, ku kam kryer atë që quhej unike. Ndodhej midis “Zërit të popullit” dhe Ambulancës, nga e cila ka ende  gjurma, të transformuara në lokale. Ndonjë banor i mbetur akoma në ato anë duhet ta sjellë mirë në mend, ashtu të bardhë, e me suva të rjepur, ku dukeshin muret  prej qerpiçi, pa oborr, e me disa pemë dhe shkurre…Nuk kam  foto të saj, por ja, krahasojeni në ide me banesën e toptanasve, por më e vogël dhe jo aq madhështore, apo me ndonjë tjetër, të mbetur diku nëpër qoshe rrugicash të Tiranës…

Sot ajo ndërtesë nuk është më, u shemb dikur, nuk e di se pse, ndoshta vetë, apo si karakatinë, e për të ndërtuar atë Ndërmarjen e shpërndarjes së librit… Dhe më vonë, tani, Kishën  e Krishtit, poshtë emrit të së cilës shkruhet me germa të mëdha “World English Institute”, e përbri,  mbi një portë prej hekuri: “VATRA E DIJES”. Shkolla ishte dy vjeçare. Nëna ime e ka ndjekur atë shkollë gjatë një viti, sepse pastaj kaloi në shkollën e Dakos. Ajo më ka treguar disa kujtime, natyrisht nga ato që u bëjnë më tepër përshtypje nxënseve të asaj moshe. Shkolla drejtohej nga madam Kuodon, një grua franceze, serioze dhe kërkuese. Është ajo në mes të fotografisë, ndoshta e vetmja fotografi që ka mbetur dhe që merr vlerë arkivi. Bashkë me të ishin edhe dy infermiere, po franceze, në rolin e mësueseve. Në foto nëna ime është e para në rreshtin sipër, ku shkruhet: Rina. Nëna ime quhej Irini Noti.

Në shkollë u morën disa vajza, por pak, nga disa qytete të Shqipërisë, një, nga një qytet, por nga Fieri, dy. Pse? Ndoshta këto do të ishin kryeinfermieret e së ardhmes në spitalet tona…Ato duken në foton bardhë e zi. E kam pyetur nënën time se si quheshin ato vajzat e ardhura nga rrethet…Por koha ka bërë të vetën. Mbante mend vetëm Nazuqen, të cilën kam patur rastin ta njoh. Të tjerat janë vetëm kujtime…Thonte: kjo dhe kjo tjetra në rreshtrin e sipërm janë nga Fieri, por për të tjerat mblidhte supet…Ndoshta mund të jetë dikush, pasardhës, që mund ta plotësojë këtë shkrim përkujtimor…

Ndërtesa, veçse si shkollë, shërbente edhe si konvikt për vajzat e ardhura nga rrethet. Gjatë vitit të parë mësimet ishin përqëndruar në sanitet, duke përfshirë edhe praktikat përkatëse. Për shembull ato mësonin për pastëritnë në të gjitëa shtrirjen e saj dhe rolin  në ecurinë e sëmundjeve, se çfarë ndikimi përmirësues, apo përkeqësues  kishte, sidomos në kirurgji. Mësonin se si laheshin çarçafët dhe ndrresat, që t’u përgjigjeshin këktesave sterilizuese të spitalit, pse hekuroseshin, si ndërrohej çarçafi tek të operuarit, ose ata me trauma, se si u ndërroheshin veshjet, e se si matej temperatura, orarin, etj. Ndokush mund të çuditet për këto gjëra që mund t’i marri me mend, por nuk është kështu. Duhet ta provosh të ndrrosh çarçafin tek një i operuar, apo i traumatizuar, të mos dish çfarë të bësh që të mos e lëndosh të sëmurin, të mos i shkaktosh dhimbje dhe në fund të fundit të mos i hapësh plagët e operacionit.

Duke u shmangur paksa nga linja e shkrimit po ju tregoj një rast kur kam qenë vetë dëshmitar i domosdoshmërisë së këtyre teknologjive. Ishte operuar vëllai im nga zemra, në spitalin e famshëm “Onasios” të Athinës. Ndodhej në reaminacion dhe i pavetëdijshëm nga ndikimi i narkozes dhe qetësuesve më shumicë. Qëndronte shtrirë në kurriz, e me jastëkë të shumtë, ashtu siç e kishin vënë ata të spitalit. Mirëpo kishte rrëshqitur paksa anash. Atëhere ne e kapëm nga krahu dhe filluam ta tërhiqnim me kujdes, për ta pozicionuar. U hodh përpjetë infermierja e dhomës, sepse çdo i operuar kishte infermieren e vet në dhomë, na bërtiti dhe na largoi. “Nuk lëvizet kështu, duke e tërhequr, se mund t’i hapni plagën, por shtyhet ngadalë nga ana e kundërt e plagës!”. Dhe duke e parë, u bindëm se ka një teknologji mjeksore se si i shërbehet të sëmurit.

Gjithashtu vajzat mësonin për ushqimet dhe ndikimin e tyre në vartësi të sëmundjes, se si ushqeheshin të shtruarit në spital, etj. Natyrisht edhe shërbimin sanitar ndaj të operuarve dhe atyre të pamundurve, për t’u kujdesur për higjenën e tyre. Për nga ana  e shërbimit mjekësor njiheshin me barnat dhe se si ipeshin ato, oraret, marrja në shënim e ankesave të të sëmurve, çfarë gjendje paraqisnin, etj, etj. Ose si masazhohej dhe se si rehatohej një i sëmurë, se si do të ulej tempertayra e lartë duke e pështjellë me çarçafë të lagur me ujë. Viti i dytë ishte edhe më i specializuar dhe mësimi zhvillohej në spital. Atje e shikonin më realisht gjendjen. Mësonin sterilizimin e instrumentave mjekësore, kujdeseshin për të operuarit, pastronin e sterilizonin plagët, përdornin pomadat dhe të tjera barna shëruese në plagë. Natyrisht që praktikoheshin edhe në bërjen e injeksioneve.

Një aspekt tjetër i mësimit  ishte pediatria. Dhe kjo u bënte më tepër përshtypje. Në shkollë kishin marrë një fëmijë të një oficeri, të cilit i kishte vdekur e shoqja, duke i lënë djalin disa muajsh. Vajzat kujdeseshin për të, duke e larë dhe ndërruar, duke i dhënë ushqim dhe duke e vënë në gjumë. Kishin një  krevat të vogël, të thurur me thupra, njëlloj si kaçilet. Këtë krevat-kosh, ku kishin shtruar edhe rrobat, gjatë ditëve të ngrohta e lidhnin me litar në degën e trashë të një peme, vinin djalin dhe e tundnin në hije…  Sot nga ajo shkollë nuk ka mbetur asgjë, madje as nxënëset e saj që mësuan se si të shkëputen nga injoranca mjekësore dhe të ecnin me shkencën e kohës. Madje ngadalë po shuhet edhe kujtimi i saj, për të humbur përgjithmonë… Dhe që të mos humbasë historia e Tiranës dhe e arsimit, a nuk duhet vendosur atje një pllakë përkujtimore?

Çdo lloj fotografie e ka edhe një anë sentimentale të saj. Kështu edhe fotografia e vajzave të Shkollës franceze të infermiereve, ku së bashku me mësueset e tyre, paraqiten me uniformën e infermieres. Ndonëse e dëmtuar ajo tregon shumë, por po ta kthesh nga mbrapa lexon edhe më tepër. Fotografinë nëna ime i a dërgonte Vangjelit, vëllait të saj. Në të shkruhet:

“Fort i dashuri vëllai im Ngjelo. (Të) puth syt me shumë mall. Jam mirë. Atë dëshëroj dhe për ty. Ngjelo prit ket fotografi ku kam dalë bashk me vajzat e shkollës me qenë (se) në nji letër shkruaje të dalç (me) robat e shkollës, pra shum e gëzuar (do të) jem kur ti të më dërgosh fotografi. Më mori malli shum. Rina”.

http://shqiptarja.com/lajm/shkolla-franceze-e-infermiereve-ne-tiranen-e-1926s

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej