Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Shërim të shpejtë e faleminderit Ҫim Xhepa!

Nga Media 0

Nga Rudina Xhunga

Një të enjte të shëmtuar Shqipërie, mbledhur e rrudhur një dorë nga sherre banale, debate sterile, ulërima hajdutësh; kapni hajdutin, lajmesh për vrasjen gabimisht, me 41 plumba.

Një të enjte të tillë ku sikur të mos mjaftojnë të tërë prishet dhe serveri i Lotarisë Amerikane, lexon edhe për vdekjen e Dritan Priftit, nga një sëmundje e rëndë, në moshë të re.

Dhe e gjitha mbyllet me lajmin e shumës modeste që Rama ka aprovuar për Ndriҫim Xhepën.

Këtu ndalon, nuk vazhdon më, del nga lajmi, shkon te njeriu, fëmija, vajza, spektatorja, gazetarja që e njeh këtë artist nga më të dashurit e shqipes. Ndalon ti, ndalon edhe lexuesi yt.

Sëmundja e Ndriҫim Xhepës është lajmi më i lexuar këtë të enjte në dritare.net, lajmi me i komentuar.

Me dashuri, me merak, me urimin për shëndet, me fjalë zemre për aktorin e zemrave.

Kur lexon kaq shumë njerëz të shkruajnë me të njëjtat fjalë, ndihesh mirë, që kemi ende mes nesh, nga ata që ua shkëpusin lotin dhe fjalën e mirë, shqiptarëve, gjithë halle e mllefe.

Se Ҫim Xhepa veҫ i ka dhënë këtij vendi, s’i ka marrë kurrë asgjë, ndaj e duan, i urojmë shërim e nuk lexon kënd të qahet për 5 milionë, siҫ mallkojnë, kur i merr ndonjë ndryshe.

Për Ndriҫim Xhepën duket pak, ngjan asgjë dhe kaq.

Ndriҫim Xhepa është ylli i skenës, Lorik Cana është yll i fushës. Sa me krenari do e kujtojë i biri, ate ҫast kur ishte aty, ndërsa stadiumi falënderonte me lot Kapitenin.

Sa gëzim do ndjejë gjithë jetën fëmija i Ndriҫim Xhepës, kur të shohë filmat e të atit.

Ҫfarë pasurie po i lënë fëmijëve, këta njerëz që e deshën këtë vend dhe ky vend i do.

Po këta, këta që ziheshin sonte nga parlamenti, mandej nëpër stola e dritare televizioni, këta ku do i lënë fëmijët, mes kaq urrejtjeje kolektive ?

E kanë menduar? Mbase e kanë menduar, ndaj i ҫojnë jashtë./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej