Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

As Shabani dhe as Artani

Nga Media 0

Nga Lorenc Vangjeli

Ajo që po ndodh në Shkozë është akti i radhës i një drame që ka nisur shumë herët. Prishja e shtëpive në periferi të Tiranës, një pjesë e të cilave me leje të hershme ndërtimi, por pa hipotekë, disa pa asnjë lloj lejeje si ndërtime abuzive dhe të gjitha së bashku, të ndërtuara në gjurmën e Unazës së madhe të Tiranës, është një problem shumë kompleks. Me shumë aktorë dhe me shumë fajtorë. Dhe fatkeqësisht, edhe vetë viktimat, shumica e tyre, janë pjesë e mëkatit duke qenë totalisht fajtorë e totalisht pa faj.

27 vjet mbas shpalljes së pluralizmit dhe migrimit të brendshëm të popullisë, zbritjes së tyre nga zonat e thella malore drejt qyteteve dhe Ultësirës Perëndimore, pak gjëra mund të thuhen me siguri. E para që ai ishte një proces objektiv dhe një e drejtë njerëzore e tyre dhe se kaosi që pasoi, e bëri Shqipërinë më të vogël dhe më të varfër. Shqipëria u tkurr për shkak të marrëzisë së individëve, për shkak të paaftësisë dhe mendjengushtësisë së frikshme të klasës politikë në vite dhe mënyrës ballkanase të zgjidhjes së problemit: duke krijuar probleme të reja.

Në Shkozë, familjet që janë lajmëruar për prishjen e shtëpive, janë në të drejtën e tyre. Ato nuk kanë alternativa të tjera përveçse të ngrenë sytë nga qielli dhe shteti. Ato e njohin standartin e sjelljes në të tilla raste. Zhurmë në fillim, përplasje, mediatizim dhe pastaj tërheqje e palëve drejt një kompromisi gjysëm të heshtur. Të mësuar të jetojnë në realitetin virtual të fushatave elektorale, kur gjithkujt i duket vetja i rëndësishëm dhe duke u kthyer në realitetin e zakonshëm, që i njeh thjesht si numra të bezdishëm dhe si zaptues të tokës publike, ata janë tërësisht të pafuqishëm të ndryshojnë fatin e tyre. Do të duhet të ikin në rrugë për t’i lënë vendin ndërtimit të rrugës. Dilema e vetme është sesa do të jetë dëmshpërblimi që do t’u japë shteti. Duke besuar se e meritojnë një të tillë, vetëm për një shkak: të tjerët që kanë gabuar si ta, që kanë ndërtuar pa leje dh kuturu, kanë qenë në mënyrë paradoksale kategoria më e përkedhelur e politikës.

Përballë fatkeqëve të Shkozës është shteti shqiptar, dyngjyrëshi politik, i majtë e i djathtë në gjithë këto vite pluralizëm. Sjellja shtetërore me ndërtimet pa leje, më saktë, me atë shumicë shqiptarësh që u sollën me tokën më keq se pushtuesit e huaj, ka qenë tërësisht burracake, e pandershme dhe një akt që në fakt godiste qytetarët e tjerë që nuk kishin shkelur ligjin. Parimi që kur dikush vjedh një copë tokë bën krim, por kur e bëjnë një gjë të tillë qindra mijëra vetë, këta janë rezervuar elektoral që ju duhet marrë vota, është përdorur majtas e djathtas.

Shteti gaboi edhe kur i lejoi ndërtimet, edhe kur gjeti mekanizmat e papërshtatshme për legalizimin e tyre pothuaj pa kushte, edhe kur e vazhdoi procesin për inerci, edhe kr vuri ngjyrat në garë se kush do të ishte më zemërgjerë me ndërtimet pa leje. Shfaqjet e ndarjes së tapive të legalizimit kanë vetëm një diçiturë: ti vodhe, por unë të kap për xhakete dhe të bëj pronar të saj dhe ta sjell dokumentin tek dera e shëpisë. E gjitha kjo në një shfaqje live për të treguar se njëra ngjyrë qeverisjeje vlen më shumë se tjetra, një shfaqje që shihej në Shkozë e gjetkë, madje edhe në qeli burgu ku ndodhet ende dikush që ka tentuar të zëvendësojë pa leje tjegullat e çatisë së tij.

Kur kanë faj të gjithë, faji është i askujt. Kjo është aksioma që bind se në Shqipëri qytetarët nuk janë të barabartë përballë ligjit. Si rrjedhojë, edhe Shabani i djeshëm, i ashpër e serioz i të djathtës, edhe Artani i sotëm, gojëtar dhe shkronjëtor i mëngjërt, nuk në faj. Për të ndërtimet pa leje dhe dramatvetjake të tyre, paguajnë ata që janë marë vetëm me dheun e vazove me lule në ballkone dhe që nuk kanë plaçkitur Shqipërinë, as në territor dhe as për vota. Por për këtë akt të rradhës së një drame me shumë akte të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, nuk flet askush. Sepse ata janë shumica e heshtur që nuk e dëgjon askush.

/Javanews.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej