Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Rrëfimi prekës i shqiptares: Fitova zgjedhjet në Belgjikë, por u dorëzova kur…

Nga Media 0

Deniza Miftari, shqiptarja me origjinë nga Gjilani, ka arritur që të fitojë zgjedhjet lokale në Belgjikë. Miftari, është shqiptarja e parë që bëhet pjesë e komunitetit të asamblesë në qytetin e Roeselares, në Belgjikë.

Deniza, ka rrëfyer copëza kujtimesh nga jeta e saj, largimin e dhimbshëm nga Kosova si pasojë e luftës. Ajo ka folur për sakrificat e familjes, përballjen me një realitet të ri aspak të lehtë.

Vullneti dhe pasioni, tregon Deniza, janë motiv i mirë për mos t’u dorëzuar. Ajo arriti të thyej barrierat dhe paragjykimet. Denizën sot, është një nga zërat më të fuqishëm të të rinjve në Belgjikë.

Familja juaj emigroi drejt Belgjikës kur ju ishit 3-vjeç.  Çfarë kujton Deniza nga fëmijëria?

Kam qenë fëmijë shumë aktiv dhe i interesuar në gjithçka përreth meje. Kisha dëshirë t’i dëgjoja të mëdhenjtë duke folur dhe të shikoja lajmet. Më pëlqente muzika, arti, teatri dhe shkrimi. Që e vogël kisha një pasion të madh për të shkruar dhe lexuar. Aktiviteti im i preferuar i javës ishte kur shkonim në bibliotekë. Kisha leje të zgjidhja 7 libra për tërë javën por ndodhte që i lexoja që të gjitha në 2-3 ditë. Kisha gjithmonë dëshirë ta ndryshoja botën që të mos jetonte askush në varfëri. Si nxënëse isha shumë e përkushtuar dhe e disiplinuar. Detyrat vinin në plan të parë, pastaj koha e lirë. Në kohën e lirë shkoja në shkollën e  muzikës ku këndoja dhe luaja piano për 3 vite. Vetëm sportet nuk më shkonin përshtat. Ato ishin talent i vëllait tim.

A jeni e lumtur që jetoni në Belgjikë dhe jo në vendin tuaj të origjinës?

Tani mund te them që jam e lumtur dhe falënderuese ndaj prindërve që u shpërngulur gjatë luftës. Por ky s’ka qenë gjithmonë realiteti. Derisa mbusha 18 vjeç e kisha në plan të kthehem ne Kosovë dhe të jetoj atje sepse me mungonte familja. Edhe gjatë pubertetit, përderisa të gjithë janë duke e kërkuar identitetin e tyre, e kisha të vështirë të kuptoja se kush jam. Jam Shqiptare apo Belge? Tani jam 23 vjeçare dhe e kuptoj se në Belgjikë i pata disa mundësi që nuk do i kisha pas në Kosovë. Jam shumë e lumtur që jetoj ne Belgjikë por zemrën e kam në Kosovë.

Ju aktualisht jeni studente. Për çfarë keni zgjedhur të studioni?

Jam në vitin e fundit për shkenca sociale në VIVES Kortrijk ku jam dhe kryetare e këshillit studentor.

Po gjuhën shqipe si e keni mësuar? Jo e flisni dhe shkruani mjaft mirë.

Merita e gjuhës është e mamit sepse ajo ende sot na ndalon të flasim Holandisht në shtëpi. Kur ishim të vegjël, nuk kishte skype apo Facebook që të komunikonim me familjen ne Kosovë. Atëherë përdornim telefona shtëpie dhe letra. Mami na mësoi alfabetin shqip dhe më mësoi gramatikën e gjuhës shqipe teksa na detyronte të shkruanim letra apo të mbanim ditar. Për shkak të saj unë ende shkruaj dhe shprehem përmes shkrimit.

Nga iu lindi dëshira për t’u marrë me politikë?

Politika është një gjë shumë komplekse, e kuptova ketë vit. Ëndrra për të ndryshuar botën jeton me mua që kur isha e vogël. Atëherë mendoja se ‘të mëdhenjtë’ do i rregullojnë të gjitha problemet e botës.  Sikur  janë varfëria, padrejtësia, lufta, etj. Por asgjë s’ka ndryshuar dhe padrejtësia vetëm po rritet në të gjitha anët e botës. Unë ndjehem përgjegjëse për zgjedhjet që bëj dhe stilin e jetës që kam. Jetoj shumë thjesht dhe nuk jam materialiste që të shkoj pas luksit sepse konsumerizmi i tepërt është negativ për natyrën dhe ambientin. Me kujtohet një moment kur isha në klasën e 3-të apo të 4-të kur pamë së bashku një video nga Severn Suzuki e cila si 12-vjeçare dha një fjalim rreth ngrohjen globale në Rio de Janeiro në Kombet e Bashkuara. Ai moment për mua ishte një shenjë që edhe unë mund të jem sikur ajo dhe kjo me inkurajoi që edhe unë të përpiqem të bëj një ndryshim. Ëndrra ime është patjetër të jem aktive në Kombet e Bashkuara. Paralelel me këtë kisha edhe babanë i cili ishte aktivist në Gjilan gjata kohës së luftës. Ai u merrte me politikë dhe gjithmonë me thoshte që një ditë do të bëhem politikane. Ngaqë flisja shumë dhe isha e interesuar për të drejtat e njeriut. E injorova gjatë por pasioni im u rrit dhe aktivitetet jashtë-shkollore vetëm u bënin më shumë e më shumë politike.

Çfarë emocionesh ju dha fushata elektorale?

Ishte një ndjenjë e çuditshme të bëhesh fytyrë publike në qytetin tendë dhe të të njohin të gjithë. Por ta shohësh veten në çdo cep të rrugës, erdhi një moment që u lodha nga fytyra ime! Fushata më dha emocione të ndryshme ngaqë kisha edhe gjëra tjera me të cilat kisha nevojë te mësohesha si: vdekja e babait tim!Ishte plani që ai do më ndihmonte me fushatën por jeta vendosi ndryshe, fatkeqësisht. Shumë shpesh isha në prag të dorëzimit sepse më mungonte ai dhe nuk dija se si të veproja me zhgënjimit dhe stresit. Por, dashuria që kisha për të më ndaloi që të hiqja dorë. Ai ishte fansi im më i madh dhe i ruante të gjithë artikujt që shkruanin gazetat dhe revistat për mua. Madje edhe një dokumentar që u bë rreth jetës sime para dy vite e içizoi dhe e ruajti. Këto gjërat më jepnin forcë dhe vullnet.  Ishte vështirë, pasi nuk e kisha përkrahjen e tij, por prapë se prapë ia dola mban. Besoj se ai ishte me mua, por jo fizikisht!

Cilin ishin momente më të bukura dhe më të hidhura që përjetuat në fushatë?

Momentet më  të bukura ishin kur njerëzit me inkurajonin dhe me thonin që do më votonin. Si fillestare ishte shumë e vështire dhe mendoja se si do dilnin rezultatet e mija. Momentet më të hidhura ishin kur nuk kisha dëshirë  të merrja pjesë në fushatë, pasi mund të kisha kaluar një ditë jo të mirë nga ana emocionale.  Isha numri i dy në listë dhe kryetare e të rinjve të partisë, kisha shumë përgjegjësi dhe nuk mund t’i zhgënjeja. Ndonjëherë njerëzit janë edhe mosmirënjohës dhe politika është një botë shumë e vështirë dhe e ashpër. Këtë e mësova gjata fushatës sepse nuk i ke të gjithë miq. Të fitosh si studente, fillestare dhe e huaj është e vështirë për të tjerët sepse nuk presin që ti do marrësh më shumë vota. Kjo ishte më e hidhura. Edhe pse janë të sjellshëm me ty, mbas shpinës ata janë konkurrentë dhe duan të të ulin poshtë e të rrisin vlerat e vetes.

E prisnit fitoren, apo ishit skeptike?

Nuk e prisja sepse kam pas mundësi që të bëja më shumë për fushatën. Jam shumë  perfeksioniste dhe dua t’i bëj të gjitha. Rasti i  vdekjes së babit ma bëri shumë të vështirë sepse ndonjëherë ndihesh  vetëm. Fitorja erdhi në një moment të papritur.

Jeni ndjerë të mënjanuar për shkak të origjinës tuaj?

Po edhe jo. Po sepse si e huaj, mendojnë që nuk ke kapacitete edhe pse ke emër të mirë dhe përgjegjësi tjera ku e ke treguar veten. Nuk kanë dëshirë të besojnë që je e aftë. Nga ana tjetër ata e shohin si plus që e kanë ‘një të huaj’ në listë sepse komuniteti i saj do e votojë atë dhe me ketë rast edhe partia fiton vota. Ketë ndjenjë e kam në çdo organizatë që shkoj. Ne të huajt duhet ta tregojmë veten më shumë sepse paragjykimet ndaj nesh janë më të forta. Kam fatin që në shikim të par nuk dukem si e huaj dhe kjo me ka ndihmuar në shumë raste.

Fitoret ju ia keni dedikuar babait tuaj të ndjerë, mund të na flini për raportin që kishit me të?

Babi ishte shoku im më i ngushtë. Me atë mund të bisedoja për çdo temë që ekzistonte dhe dëshira e tij ishte që unë të jem femër e pavarur dhe të arrij sa me lart të mundem. Si fëmije isha ‘çika e vogël’ dhe kështu më thërriste edhe kur mbusha 22 vjeç. Ai më llastoj me fjalë, vëmendje dhe mbështetje por më mësonte që  gjerat materiale nuk janë asgjë në jetë. Gjithmonë thoshte: “ duhet të lësh pas një fjalë të mirë. Vetëm ajo vlen”. Nuk më qortonte kurrë dhe gjithmonë besonte se isha e aftë t’i merrja vendimet e mija. Nuk bëja asgjë pa e diskutuar me  të apo pa mendimin e tij dhe në këto gjëra të vogla më mungon shumë. Këto biseda ishin thuajse të përditshme. Më beso, isha shumë krenare për të! Madje dhe kur blinte një këmishë të re më dukej sikur ishte burri më i pashëm në botë.

Po me anëtarët e tjerë të familjes çfarë raportesh keni?

Jemi familje shumë e afërt dhe e ngushtë. Unë i kam ngjarë babit kështu që raportet më të mira i kisha me atë. Me mamanë kam një lidhje interesante sepse na duket sikur nuk e kuptojmë njëra -tjetrën. E di që brengoset shumë për mua sepse nuk jam gjithë kohës në shtëpi dhe udhëtoj shumë por e di që më mbështet dhe me përkrah. Vëllai im i vogël shpeshherë sillet si vëlla i madh. Si të vegjël gjithmonë e ngacmonim njëri- tjetrin dhe tani kemi raporte shumë të mira. Ai është tip shumë ndryshe nga unë sepse më herët gjithmonë ishte i interesuar për sportin. Jetojmë pak a shumë në botë të ndryshme por kjo e bën të gjithë familjen interesante. Jam krenare dhe falënderuese për të dy.

Veç politikës, keni pasione të tjera?

Shkrimi dhe arsimi. Në këto momente jam duke e shkruar librin tim të dytë për jetën e babait tim. Një ode për të. Shkrimin e kam edhe si terapi kështu është shumë i rëndësishëm për mua. Kisha pas shumë dëshirë të marr edhe një diplomë që të bëhem profesoreshë ne fakultetin ku jam tani. Arsimi është çelësi i suksesit. Dua te inspiroj të tjerët.

Cila është motoja juaj në jetë?

Well behaved women rarely made it to history.

Dhe së fundmi, ti je frymëzim për rinë shqiptare. A keni një mesazh për të?

E thash ketë edhe me një intervistë më parë por rinia shqiptare nuk mund te dorëzohet dhe të demotivohet. Ne kemi tepër kapacitete dhe nuk duhet t’i lëmë gjeneratat e kaluara të na marrin të ardhmen. Mos harroni që nesër është radha jonë që të  udhëheqim botën. Informohu, edukohu dhe kurrë  mos u dorëzoni!

https://tiranatoday.com/ekskluziverrefimi-prekes-i-shqiptares-fitova-zgjedhjet-ne-belgjike-por-u-dorezova-kur/?fbclid=IwAR2kN237NQ8DCxznlq3trjjEzLnnFs2k-aU_K6WUkF0nae7mq6oFxzS0Pug

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej