Ka than' i moçmi: 

 "Unë dua të rroj gjersa ta shoh të bukurë të dashurën Shqipërinë tonë, të lirë e të madhe dhe pastaj me gëzim le të vijë vdekja"

                                                                                        -Jeronim De Rada

Romana Vlahutin: Paratë e taksapaguesëve nuk mund t’u jepen televizioneve private

Nga Media 0

Andi Bushati – Znj Vlahutin, Parlamenti shqiptar po përgatitet të shqyrtojë një ligj që ka dhe mbështetjen e kryeministrit Rama që i detyron taksapaguesit shqiptarë të paguajnë për televizionet private. Cili është mendimi juaj për këtë?

Romana Vlahutin – Me sa kuptojmë nga informacionet prej burimeve të hapura, Ministria e Financave nuk është e gatshme ta marrë në konsideratë këtë mundësi me argumentin se tarifa për televizorët është një nga burimet e financimit për veprimtarinë e RTSH-së. Ne do të pajtoheshim plotësisht me këtë pozicion, pasi praktikat e shteteve anëtare të BE-së tregojnë se asnjë shtet anëtar i BE-së nuk e ndan tarifën e licencës që nga fillimi për të financuar transmetuesit e shërbimit publik nga njëra anë dhe transmetuesit komercialë privatë nga ana tjetër. I vetmi shtet anëtar i BE-së që mbështet mediat private, i subvencionon ato me një maksimum prej 0,1% të të ardhurave totale të tarifës së licencës dhe ekskluzivisht për kanalet vendore.

Vetëm disa ditë më parë, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias ka shprehur gjithashtu shqetësimet e tij, por ajo që kuptojmë është se ky propozim tani është hedhur poshtë zyrtarisht.

Andi Bushati – Në ndryshimin e propozuar të ligjit parashihen dhe përqindjen që do të fitojnë televizionet private. A nuk ngjan ky më shumë me një pazar?

Romana Vlahutin – Disa nga idetë dhe argumentet janë mjaft të pazakonta. Është e çuditshme që një kompani mediatike private të kërkojë para publike për të patur një cilësi më të mirë të asaj që përbën biznesin e vet kryesor; të paraqesë informacion në bazë të fakteve që janë hulumtuar siç duhet. Programet që në disa vende marrin subvencione janë ekskluzivisht ato të natyrës jokomerciale, si programet për pakicat ose ato me përmbajtje kulturore apo artistike jokomerciale. Ato ndonjëherë subvencionohen në disa vende, sepse tregu i medias nuk mund dhe nuk duhet të nxitet vetëm nga përmbajtja fitimprurëse.

Andi Bushati – Pavarësisht nga modelet e ndryshme ndërkombëtare, ku ekzistojnë edhe financime shtetërore për programe edukative këtu, sipas studimeve serioze, mbi 50 % e tregut mediatik kontrollohet vetëm nga katër familje. Në kundërshtim me apelet e OSBE dhe Këshillit të Europës, Shqipëria e shfuqizoi ligjin që i kufizonte një pronari të vetëm pasjen e 100 % të pronësisë mbi një media kombëtare. Pra, pyetja është: edhe nëse ndonjë ditë do të duhen të jepen mbështejte me fonde publike për TV private, a nuk duhet që më parë ato të shndërrohen nga biznese familjare në institucione të vërteta?

Romana Vlahutin – Këto janë dy çështje të ndryshme; njëra është përqendrimi i tregut dhe monopoli, dhe rrjedhimisht influenca, dhe tjetra është mbështetja për programet.

E para, është një çështje që Shqipëria do të duhet ta trajtojë sipas normave të rregullave të pronësisë së tregut mediatik. Subvencionet janë diçka shumë ndryshe. Siç e thashë, në ato shumë pak vende që kanë subvencione të tilla, ato përdoren në një fushë shumë të ngushtë, për të mbështetur media të vogla dhe të reja ose media vendore, apo programe jokomerciale, dhe jo për mediat e mëdha dhe shumë të pranishme që tashmë ekzistojnë. Subvencionet përdoren për hir të pluralizmit dhe për të ndihmuar mediet më të vogla apo programet jofitimprurëse për të mbijetuar në një treg të kompanive të mëdha mediatike.

Andi Bushati – Ka një perceptim se diplomatët kryesorë në Shqipëri janë omniprezentë në jetën e vendit. Duke folur për politikanët, gjyqtarët, prokurorët, të kërkuarit nga policia, LGBT, gratë e dhunuara e të tjera. E vetmja pikë, ku ka një konsensus heshtjeje janë oligarkët e mediave që shpesh marrin vendime dhe ndikojnë edhe mbi qeveritë. Si shpjegohet kjo?

Romana Vlahutin – Nuk pajtohem me këtë. Mediat e lira dhe liria e fjalës janë standarde themelore te të cilat askush nuk duhet të guxojë të ndërhyjë apo të ndikojë dhe komuniteti ndërkombëtar është shumë i qartë për këtë. Gjithashtu, siç e dini mirë, liria e shprehjes është një pjesë shumë e rëndësishme e Raportit Vjetor të Komisionit Europian dhe një nga elementët e pesë prioriteteve kyçe për Shqipërinë. Ekziston një monitorim i vazhdueshëm i kushteve të punës dhe sigurisë së gazetarëve, aftësisë së tyre për të raportuar lirisht dhe sipas standardeve më të mira profesionale, vetërregullimit të mediave dhe çdo presioni të mundshëm mbi lirinë e fjalës.

https://lapsi.al/2018/06/21/vlahutin-per-lapsi-al-tv-te-private-nuk-mund-te-financohen-me-parate-e-taksapaguesve/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej