Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Rinia e shisha-s dhe nargjiles

Nga Media 0

Nga Kujtim Xhaja

Sot dëshiroj të flas për trendin më të ri tek të rinjtë shqiptarë. Nargjila, shisha, hookah, kaljan janë emërtesat e së njëjtës gjë. Bëhet fjalë për mitin e “tymit të filtruar”… Dhe për ta prekur këtë realitet nga afër vendosa të shkoj në një Shisha Lounge, përballë një gjimnazi të njohur në kryeqytet…

Zakonisht, nuk shquhem si një person që frekuenton vënde të tilla, por kurioziteti më shtyu për të parë se ç’bëhet në këto bare, të cilat po shtohen dita-ditës, jo vetëm në qendër, por edhe në periferitë e Tiranës.

Nisem…

Vendi nuk është shumë i vështirë për t’u gjetur. Diku, në një rrugicë mjaft të populluar të Tiranës, në një zonë urbane. Futem brenda, vendi duket i qetë dhe mjaft miqësor. Dritat janë të zbehta, volumi i muzikës është ulur për të dhënë një atmosferë qetësuese. Është diku nga mesi i ditës, rreth orës njëmbëdhjetë. Në atë orar supozohet se të gjithë nxënësit janë në mësim, por isha unë ai që gabohesha. Pas gjysmë ore, një turmë të rinjsh, vajza dhe djem vërshojnë drejt hyrjes së bar-it. Të veshur bukur dhe me stil, sipas modës së fundit, të japin përshtypjen që janë fëmijë të prindërve të kamur. (përderisa frekuentojnë vende të tilla, mendoj).

Ata bëjnë të futen brenda lokalit, disa syresh seç i bëjnë një shenjë kamarierit, i cili ndodhet përballë tyre. Ky i fundit buzëqesh me mirësjellje dhe iu bën një shenjë me dorë në formë konfirmimi…

Siç duket, këta të rinj janë vizitorë të përhershëm të këtij vendi dhe ky është një kod i tyre i komunikimit. Dritat ndizen, ambjenti mbushet me adoleshentë të një moshe që nuk i kalon të 16-17-at, muzika sa vjen e bëhet më e zhurmshme.

Pak minuta më vonë, shfaqet kamarieri me një enë të qelqtë mbi tabaka…

Ajo ishte e famshmja “shisha”, apo “nargjilja”…trendi i ri i të rinjve të sotëm.

Mendohet se ky ritual, apo zakon vjen nga një kulturë e vendeve të Lindjes së Mesme. Vendi i origjinës është i vështirë për t’u përcaktuar. Shumë studime e lidhin këtë traditë me Indinë, Turqinë dhe me Persinë e largët. Ajo është e ndërtuar thjesht:

Duhani dhe qymyrguri, mbulohet me letër alumini, i cili e ndihmon të digjet me temperaturën e tij, më pas shtrihet një pjesë, e cila pret duhanin e djegur. Një tub më pas, e lidh kokën e enës së qelqtë me gypin me ujë. Rradhën ia lë valvulës, e cila bën kalimin e tymit për në pipë, me anë të së cilës thithet tymi aromatik.

Adoleshentët duket se ia kanë marrë dorën mirë përdorimit të kësaj pajisjeje. Ata rreshtohen, afrohen bashkë me njëri-tjetrin dhe fillojnë kalojnë pipën me radhë. Me një pompozitet të veçantë ata marrin qëndrim, thithin e lëshojnë tymin. Ca të tjerë bëjnë foto me pipë ndër duar për ta postuar atë në rrjetet sociale e për t’iu bërë karshëllëk bashkëmoshatarëve të tjerë, të cilët mbase nuk e kanë mundësinë, por edhe dëshirën për të qenë aty. Ata mundohen të përqafojnë një still të ri. Një stil, i cili proklamohet shpesh në tekstet e këngëve me reperë, të cilët ata ndjekin edhe adhurojnë. Zyrtarisht, orari i mësimeve nuk ka përfunduar ende, por ata gjenden këtu, në këtë ambjent, të cilin duket se e kanë bërë të përhershëm. E kanë bërë një stil jetese.

Duket një ritual mëse oriental. Vras mëndjen se c’lidhje ka kjo traditë me vendin tonë. C’kënaqësi ndjejnë ata nga ky rit?

Afrohem tek grupi që kisha pranë dhe i pyes se çfarë i tërheq me kureshtje:

“Shisha më relakson, aq më tepër pas orëve të mësimit, nëse nuk e bëj, më duket sikur më mungon diçka”– më thotë njëri prej tyre.

“Ajo është bërë pjesë e rutinës sonë, e tymosim atë dhe na shijon kur mblidhemi në grup”- më tregon një vajzë nga grupi.

I pyes nëse prindërit e dinë që ata frekuentojnë vende të tilla dhe marrë një buzëqeshje tallëse si përgjigje.

Ndoshta këta të rinj, nuk kanë dëgjuar për studimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat e krahasojnë një orë tymosjeje në shisha të barabartë me pirjen e 100-200 cigareve. Ata dhe prindërit e tyre gënjehen nga miti i “tymit të filtruar”, duke menduar se ky zakon është më pak i dëmshëm. Aromat e këndshme dhe ëmbëlsia e saj arrijnë t’i mashtrojnë ata më së miri, por nikotina sërish mbetet aty, thekson një studim.

Nargjila krijon të njëjtën varësi me duhanin, madje ajo shkakton probleme të rënda shëndetësore si kanceri, çrregullimet e zemrës, impotencë tek moshat e reja, infertilitet tek gratë dhe plakje të parakohshme.

Mundohem t’i tregoj të gjitha këto efekte anësore të këtij “riti modern “ adoleshentëve që kam përballë, i pyes nëse janë të informuar mbi këto studime. Ata mbledhin supet dhe më shohin me habi.

Të gjitha këto informacione ata s’i dinë, aq më keq, ato nuk i dinë as prindërit e tyre, të cilët me mendje të qetë i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollë, i kanë pajisur edhe me ca të holla të mira në xhepin e tyre.

Të rinjtë duken sikur nuk iu intereson, ashtu, me një menefregizëm të palëkundur ata vazhdojnë e tymosin. Kjo iu shijon akoma më shumë kur kanë lënë edhe një orë mësimi…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej