Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Rama nuk shpëton, diga është çarë

Nga 27.al 0

Nga Ilir Babaramo

Një mizë në pjatën e supës në mencën e studentëve të Prishtinës shërbeu si detonator për revoltën e vitit 1981. Ato mbeten ende protestat më të mëdha dhe më të përgjakshme studentore në historinë e shqiptarëve. Ata që duan ta shikojnë protestën e këtyre ditëve thjesht si një punë tarifash janë ose tërësisht naivë, në rastin më të mirë ose shërbëtorë të Ramës, të thirrur për t’i bërë shërbimin e radhës. Ata që protestojne janë pika e fundit që derdhi gotën e zemërimit ndaj një qeverie që po vjedh gjithçka.

Shërbëtorët e përjetshëm të Ramës e morrën mesazhin dhe e gjetën menjeherë fajtorin. Sipas tyre është Lindita Nikolla. Ka dhe ndonjë kallogre mediatike që Ramës i ka mbetur në derë prej dy dekadash, të cilës duhet t’i gjejë punë sa herë e heqin nga ekrani, e cila beson se shqiptarët do ta hanë, nëse Rama shpëton prej ortekut të zemërimit popullor duke bërë kokë turku ministren e arsimit. Madje, i propozon që të zëvendesojë Nikollën me ndonjë nga ata pedagogët arqiomarksistë. Ditëzeza është kaq e hutuar sa harron që këtë eksperiment Rama e bëri një muaj më parë. Çoi zëvendesministër arsimi dikë që iku i lebetitur nga qeveria, kur pa se ministrat duhet të raportonin në mbledhje të qeverisë, nëse e kishin realizuar normën e share dhe likefacebook.

Në daljen e tij të fundit, Edi Rama u përpoq të gjejë një tjetër bouc emissaire: korrupsioni i pedagogëve. Rama kishte 100 për qind të drejtë në gjithçka që tha për gjendjen e universiteteve. Asnjë pikë nuk mund t’i hiqet. Por, koha dhe ca më tepër rrethanat kur e thotë përbëjnë një kodoshllëk të madh politik.

Korrupsioni i pedagogëve nuk është shkaku i gjendjes. Është pasoja. Rama do ishte i besueshëm pesë vjet më parë, atëherë kur aprovoi reformën në arsimin e lartë, kur aprovoi ligjin përkatës. Tani i bie që të hedhë në kosh ligjin që hartoi vetë dhe e trumbetoi si reformën më të madhe të bërë ndonjëherë në Shqipëri. Dhe atëherë studentët i kishte kundër. I kishte kundër, kur i thoshin se ishte një ligj klientelist që favorizonte Çilouniversitetin , që i vinte kazmës arsimit te lartë publik. Rama u mburr se mbylli universitetet kioska. S’ka gënjeshtër më të madhe se gjysëm të vërtetat. Tarifat e universiteteve publike u shumëfishuan duke i bërë studentët të tundohen nga sektori privat. Këtë sektor, në mënyrë perfide e favorizoi në gjithçka. Mjafton një shembull; prej pesë vitesh asnjë universitet publik ose privat nuk mund të japë doktoratura në degët që ka Çilouniversiteti. Thelë shumë e madhe kjo për Linditën e shkretë. Shikoni gruaja e kujt është në bordin e këtij universiteti apo babai i kujt është rektor për të kuptuar se kush i voli frutet e Çiloreformës.

Rama beson se duke sulmuar pedagogët do mbyllë skandalet ulëritëse që ka lënë pas. Është tepër vonë. Dhe sikur në këtë çast protesta e studentëve të mbyllet, s’ka më asnjë shpresë. Diga është çarë. Pushteti i tij është si ai, kur Spiro Koleka tërhoqi medaljen e cilësisë së ushqimit në Meksikë. Nuk ka Çiloreformë që e shpëton.

https://www.syri.net/op-ed/216197/rama-nuk-shpeton-diga-eshte-care/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej