Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Rama-Basha vs Nano-Berisha

Nga Media 0

Asgjë nuk ka ndryshuar, s’ka kulturë të re politike veçse pakt për të garantuar pushtetin personal të liderëve autokratë, sundues të Shqipërisë së varfër

Historia e këtyre 27 viteve ka treguar se marrëveshjet politike që janë bërë nga drejtuesit e politikës kanë rezultuar me pasoja negative për shoqërinë shqiptare. E tillë duket të jetë edhe marrëveshja e djeshme Rama-Basha e cila finalizohet me disa ndryshime qesharake në qeveri. Marrëveshja parashikon  zëvëndësimin e gjashtë ministrave me njerëz teknikë të propozuar nga opozita, gjithashtu opozita merr drejtimin e disa digastereve të rëndësishme që për  “rastësi” janë drejtori ku janë përqëndruar  para publike e ku korrupsioni lulëzon më shumë. Duket të jetë më shumë një pazar i pranuar nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili la në mes kauzën për zgjedhje të lira për të marrë në dorë disa ministri e drejtori, ku mund të përfitojë para e pushtet për tre muaj. Shkurt e thjeshtë, i bie që njerëzit e Bashës të mund të marrin ç’të marrin për tre muaj në drejtimin e disgastereve kryesore ku lëvrohen  shumica e parave të buxhetit të shtetit. Ndërkohë që për Ramën tre muaj pushtet e para të humbura, nuk janë ndonjë humbje e madhe ndërkohë që ai rikonfirmohet në zgjedhjet e 25 qershorit më i fortë se asnjëherë, por e gjitha kjo po na ofrohet si marrëveshje historike.

Ka ndodhur edhe më parë kur liderët politike shqiptarë, me  qëndrimet e tyre ekstreme kanë çuar në zgrip vendin dhe janë shfaqur pastaj si heronj duke ofruar marrëveshje mes tyre. Duke nënshkruar marrëveshje gjoja për hir të stabilitetit të vendit, a thua se kriza nuk ishte vepër e tyre.

Është marrëveshja Nano-Berisha e vitit 2002 që u arrit në kushte të ngjashme me marrëveshjen aktuale Rama-Basha. Si sot edhe asokohe, Nano e Berisha ishin vendosur nëpër llogoret e tyre duke krijuar një konflikt të ashpër politik për Shqipërinë. Si sot edhe ateherë ndërkombëtarët u angazhuan fort për të ulur tensionet dhe për të detyruar dy liderët të bëjnë marrëveshje.

Si sot edhe asokohe, Ilir Meta ishte faktor i rëndësishëm në këto zhvillime.  Në atë kohë, Ilir Meta po zhvillonte një betejë të ashpër për pushtet brenda Partisë Socilaiste. Beteja Nano-Meta ka zgjatur për tetë vitet e qeverisjes së socilaistëve 1997-2005, dhe ishte pikërisht momenti para marrëveshjes Nano-Berisha kur acarimi mes Nanos e Metës kishte arritur kulmin. Pikërisht në këto moment, Nanos i duhej një marrëveshje me kundërshtarin  politik për të mundur kundërshtarët e tij brenda Partisë Socialiste.

Ishte shkurti i vitit 2002,  kur Fatos Nano u shpreh për zgjedhje të parakohshme, me qëllim rikonfirmimin e maxhorancës në Parlament. Ai kërcënohej nga Ilir Meta dhe grupi i tij brenda PS-së. Meta doli kundër këtij propozimi. Në fillim të prillit u arrit një tjetër pakt midis faktorëve politikë në PS. Pakti parashikonte mbështetjen për Kryeministrin Majko, por lihej mënjanë ideja e zhvillimit të referendumit apo e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë, dy kërkesa këto, që vinin nga grupe kundërshtare në PS, përkatësisht Nano e Meta. Më pas, më 5 prill 2002, Nano e Berisha nënshkruajnë marrëveshjen maxhorancë-opozitë për reformën zgjedhore. Nisi një erë e re politike në Shqipëri në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Ishin ulur tensionet në të dy fushëbetejat, brenda PS por edhe me PD-në.

Namik Dokle dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Parlamentit dhe në vend të tij u zgjodh Servet Pëllumbi. Dokle u bë kështu, një ndër “viktimat” e konfliktit mes grupeve në PS.

Nano shpalli publikisht kandidaturën për president, duke kërkuar mbështetjen e mazhorancës socialiste. Pas disa mbledhjesh dhe takimesh intensive midis faktorëve në PS, u vendos që Presidenti i Republikës të zgjidhet në mënyrë konsensuale me opozitën. Atëherë Nano u tërhoq nga gara për postin e Presidentit dhe u takua me kryetarin e opozitës, Sali Berishën, për të nënshkruar një marrveshje mes tyre, lidhur me zgjedhjen e Presidentit, si dhe për disa reforma në institucione, kryesisht të propozuara nga opozita.  President u zgjodh Alfred Mosiu, me propozimin e PD-së dhe me konsensusin e të gjitha partive.

Kur hoqi dorë nga posti i Presidentit, Nano kishte bërë marrëveshje me faktorët brenda PS, që të kthehej në postin e Kryeministrit dhe ashtu ndodhi.  Majko ishte gjithnjë i gatshëm të jepte dorëheqjen. Shumë shpejt KPD ndryshoi statutin e partisë, duke bashkuar postin e kryetarit të partisë me atë të Kryeministrit, dhe Pandeli Majkos i mbeti veçse të deklarojë zyrtarisht dorëheqjen. Nano u zgjodh përsëri Kryeministër .

KPD e 11 korrikut 2002 vendosi njësimin edhe të mandatit të sekretarit të përgjithshëm me atë të kryetarit të grupit parlamentar. Gramoz Ruçi u zgjodh edhe kryetar grupi parlamentar. Në qeverinë e re me Nanon kryeministër, u emëruan Ilir Meta – zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ndërsa Pandeli Majko – ministër i Mbrojtjes.

Pak javë më pas u prish pakti Rama-Berisha dhe konflikti politik u rikthye. Ndërkohë u rikthye edhe betja brenda Partisë Socilaiste e cila u finalizua me largimine Ilir Metës dhe një grupi deputetësh të PS-së për të themeluar Lëvizjen Socilaiste për Integrim. Nga marrëveshja Nano-Berisha nuk pati efekte positive përveçse uli tensioned për moemntin. Reformat e nënëshkruara në atë marrëveshje nuk u realizuan ndërsa zgjehdjet e 3 korrikut 2005 do ti jepnin një tjetër drejtim zhvillimeve politike. Në ato zgjehdje fitoi Partia Demokratike, Fatos Nano dhe dorëheqjen dhe në vënd të tij në krye të PS-së u zgjodh Edi Rama.

Konflikti politik Rama-Berisha u rikthye njësoj siç kishte qënë mes Nanos e Berishës për të vazhduar për tetë vitete e qeverisë Berisha.  Me largimine  Berishës nga post ii kryetarit të PD-së erdhi Lulzim basha por përsëri nuk ndryshoi asgjë në klimën politike. Konflkti ka mbizotëruar skënën politike për katër vitete  qeverisë Rama. Ka pak gjasa që kjo marrëveshje Rama-Basha të sjellë një epokë të re, siç po përpiqen ta servirin njerëzit pranë Ramës e Bashës. Ka pak gjasa të besohet se qeveria e re e ndarë mes Bashës e Ramës të realizoje reformat e premtouara e aq më pak të realizoje zgjehdje të lira e të ndershme për një javë kohë më shumë, nga 18 në 25 qershor.  Nga përvoja e këtyre 27 viteve, kemi mësuar se të gjtiha marrëveshjet janë nënshkruar  në funsskion të pushtetit personal të liderëve që kanë dominuar skenën politike shqiptare. Edhe kësaj here s’ka se si të besohet e kundërta. Rama e Basha nënshkruan pushtetin e tyre personal që do të ketë kosto të njëjta në mos shumë më të larta për shqiptarët, krahasuar me të gjitha marrëveshjet e mëparshme.

Pas kësaj marrëveshje, Shqipëria nuk do të jetë më pak e varfër, më shumë demokratike sepse nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike,  nuk do të ketë më pak drogë, më pak kriminle në parlament, nuk do të ketë më pak korrupsion, përkundrazi.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej