Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

“Qeni i Sharrit”, i Rusisë në Ballkan

Nga Media 0

Nga Mero Baze

Vladimir Putin ka marrë dhuratë një qen Sharri nga Presidenti serb Vuçiç. Sipas gjasave, Vuçiç ka dashur t’i tregoj Putinit, se “Qeni i Sharrit”, është simbol i forcës dhe aftësive për kafshim të Serbisë në rajon.

Shanset janë që të shpërthejë një debat dhe më i gjerë se aq dhe ta injorojnë simbolikën e Vuçiç. Në Ballkan nuk virtet njeri për atë që është por për atë që duhet të jetë.

Shqiptarët prej kohësh janë angazhuar që Qeni i Sharrit të jetë simbol i tyre. Maqedonasit po ashtu. Biles ata kanë argumente se Aleksandri Madh, të tillë qenë i ka marr me vete në karvanë deri në Indi. Ne kemi dhe dokumentarë rreth “origjinës ilire” të tij. Maqedonasit kanë një skicë që këta qentë kanë shoqëruar Akeksnadrin e Madh. Por me ata e kemi më lehtë, se e nxjerrim Aleksandrin gjysmë shqiptar. Pastaj rasti i Aleksandrit Madh na ndihmon ne, pasi serbët që kanë ardhur në shekullin e gjashtë e kanë gjetur Qenin e Sharrit këtu….

Të tilla argumente mund të dëgjojmë pa fund këto ditë. Sidomos të mbushura me zemërim për vjedhjen e Qenit të Sharrit, pas vjedhjes së Lahutës nga serbët.

Ky detaj ilustron më së miri sa e ngulitur është në Ballkan origjina, edhe kur bëhet fjala për kafshët.

Debati për Qenin e Sharrit po bëhet sikur edhe qentë edhe njerëzit janë e njëjta kategori, pra sikur janë të dy palët njerëz dhe flitet për origjinën e tyre etnike. Në fakt së paku qentë nuk kanë origjinë etnike. Ata natyrisht që kanë lidhje me gjeografinë dhe kushtet e vendit ku rriten, por nuk mund të themi se ka qenë shqiptar, serb, apo maqedonas, por qenë që riten në Shqipëri, Serbi apo Maqedoni. Fjala vjen “qen serb” nuk ka kuptim pozitiv kurrë. Përdoret zakonisht kur dëshiron të shash serbët. Ky është rasti i parë që një qen serb lakmohet nga të gjitha palët.

Dhe kjo tegon esencën e konfliktit në ballkan, nevojën që edhe qentë t’i ndajmë sipas entisë. Serbia këtu është vërtet shembull.

Por Vladimir Putini, nuk është në Serbi për të bërë debat mbi origjinën e qenit të Sharrit. Ai në fakt është aty, për t’i dhënë një dorë fuqisë së Rusisë në Ballkan, dhe t’i japë zemër klasës politike serbe, që të refuzojë Perëndimin duke e shkëmbyer me Rusinë.

Jozif Broz Tito në vitin 1948 u bë lider i parë komunist që refuzoi Rusinë, dhe krijoi një Jugosllavi të pavarur nga Moska, duke bashkëpunuar me Perëndimin. Ai ishte i pari që refuzoi Stalinin dhe diktatin e tij sovjetik mbi Ballkanin. Ne ishim të fundit që u ndamë nga Stalini 40 vjet pasi kish vdekur.

Tashmë Aleksandër Vuçiç është presidenti serb, që preferon të jetë “Qeni i Sharrit”, i Rusisë në Ballkan. Shqipëria është ndërkohë vendi më proamerikan dhe më antirus në rajon. Diferenca është dramatike dhe bazë e një ndarje të madhe në Ballkan, që duket se nuk mbushet lehtë.

Por ujërat janë turbulluar pas zërave se pas planit amerikan për Marrëveshjen shqiptaro-serbe, bazuar tek ndryshimi i kufijve, ka dhe një dakordësi ruse.

Por për çudi për këtë nuk ka debat. Debati i vetëm është pse na ka vjedh Serbia “Qenin e Sharrit” dhe ja ka bërë dhuratë Putinit si qenë me origjinë serbe.

Kjo ndoshta mund të detyrojë Hashim Thaçin që kur ta takojë Presidentin Trump për Marrëveshjen, t’i bëjë një dhuratë simbolike për ta eklipsuar vjedhjen e “Qenit të Sharrit”. T’i çojë p.sh., një kafaz bosh dhe t’i thotë na e vodhi Putini qenin dhe tani s’ka kush na mbron. Vetëm kështu Presidenti Trump mund të kthjellohet dhe të kuptojë se këtu lufta është gati dhe për një qen, e jo më për tokë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej