Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Qëndrim dinjitoz në takimin e Kretës

Nga Klodiana 0

Nga Shpëtim Idrizi

Takimi i pas pak ditëve në Kretë mes dy ministrave të jashtëm është mundësi e mirë për të tejkaluar çështjet e mbetura mes dy vendeve tona, veçanërisht njollat e zeza dhe të përgjakshme të së kaluarës jo dhe aq të largët mes dy kombeve.

E kam fjalën për Ligjin e Luftës së 1940, dhe gjendjen e Luftës që ekzistoi dhe ekziston mes nesh, krejtësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe firmës së Traktatit të miqësisë.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të helmojë atmosferën edhe kështu të rënduar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Perkundrazi, unë mendoj se fshehja e problemeve, intimidimi deri në kompleks, mungesa e reciprocitetit dhe dipllomacisë publike, nuk na ka ndihmuar në këto 25 vjet të kemi mardhënieve të fqinjësisë së mirë me Greqinë.

Dua thjesht, pa komplekset profesionale që i kaplon ministrat tanë të jashtëm, të vendos pikat mbi i, për problematikën kryesore mes dy vendeve.

Jam i vetëdijshëm për qasjen dinjitoze të diplomacisë sonë në marrdhëniet me fqinjin tonë verior, por na duhet më shumë guxim, i themeluar e i frymëzuar mbi diturinë e lëndës që kontestohet.

E vlerësoj përmendjen e çështjes çame, si çështje për tu zgjidhur në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, por dua të nëvizoj, lidhjen dhe vendin e kësaj çështjeje të përgjakur në gjithë kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe.

Po e nis me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, midis Shqipërisë komuniste dhe Greqisë së juntës ushtarake në 1971, me një firmë të hedhur në mjediset e OKB-së në Nju Jork.

Greqia, në mënyrë të paprecedent, në marrëdhëniet ndërkombëtare, mbajti mes dy vendeve në fuqi jo thjesht Ligjin e Luftës, por dhe gjendjen e luftës që do të thotë: dispozitivë lufte të ushtrisë greke në kufijtë me ne; legjislacion special në zonat kufitare; si dhe mbajtje në këmbë të pretendimeve territoriale, dhe ndoshta dhe armë konvencionale deri në 2001, të fokusuar kryesisht kundër Shqipërisë si ka bërë me dije shtypi grek.

Pse është mbajtur në këmbë Ligji i Luftës?

Sepse Greqia ka dashur të mbajë në këmbë pretendimet territoriale mbi Jugun tonë; ka dashur të bllokojë pronat e qytetarëve shqiptarë në territorin e vet, por dhe për të bllokuar lëvizjen e lirë të tyre në drejtim të trojeve ku kanë lindur, shtëpive të të parëve.

Edhe pas nënshkrimit të Traktatit të miqësisë 20 vjet më parë, Greqia e mbajti në këmbë Ligjin e Luftës.

Për pretendimet territoriale, de jure ka hequr dorë siç thotë Traktati në nenet e para, dhe siç ka pranuar vetë Presidenti Stefanopulos në një konferencë shtypi me homologun Moisiu.

Por Pasuritë që vlerësohen mbi 10 miliard dollarë mbetën të bllokuara.

Në prefekturat e veriut ku kanë jetuar shqiptarët, ka patur dhe ka ende regjim special juridik: nuk lejohej shitblerja e pronave, lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, e gazetarëve dhe veçanërisht, i anëtarëve të komunitetit çam, ishte e kufizuar deri në mohim.

Traktati ka patur zbatim vetëm për të drejtat e palës greke dhe asnjë zbatim për ne. Kështu është dhe sot.

Thelbi është në mënyrën sesi Greqia e ka shikuar dhe e shikon Shqipërinë e Luftës së dytë botërore.

Ky shikim antihistorik, kundër të gjithëve, kundër vetë Greqisë së Metaksait, e konsideron Shqipërinë në mënyrë absurde si shtet sulmues, apo pushtues të Greqisë në tetor 1940!

Këtu është nyja gordiane: me këtë pretekst janë bllokuar pasuritë, me këtë pretekst komuniteti çam u internua dhe më pas ju nënshtrua genocidit të egër në përfundim të Luftës gjoja si popullsi bashkëpunëtore e pushtuesve.

Prej këtij preteksti nuk lejohet as gëzimi i të gjithë të drejtave të popullit shqiptar, dikur banues në Greqi, dhe në veçanti, nuk lejohet lëvizja e lirë e komunitetit çam.

Kjo qasje kokëfortë greke është kundërthënëse: a nuk ishte Metaksai, një fashist i madh që u gëzua naivisht pas pushtimit të Shqipërisë se do ta kishte Italinë komshije dhe në Jug?

A nuk hoqi Greqia misionin e vet diplomatik në Shqipëri me pushtimin italian të saj?

Çfarë statusi i dha ajo mbretit Zog?

Po si mund të mashtrojë Greqia për rolin e popullsisë çame, diçka që është zbuluar dhe nga vetë historianët grekë?

Ambasadori amerikan i kohës Mac Weagh, e dëshmon se popullsia çame nuk ju bashkua pushtuesve.

Këtë e pranon dhe vetë Konti Çiano, ideatori i pushtimit grek, që tha se nëse shqiptarët e Çamërisë do të kishin bashkëpunuar; nëse shqiptarët nuk do kishin dezertuar, atëherë fati i luftës me Greqinë do të ishte krejt tjetër.

Greqia do të mbulojë dhe sot këtë njollë turpi, në historinë e vet të afërt nëpërmjet një falsifikimi historik.

Në një fjalim të vetin, ish kalorësi i humanizmit modern europian, Presidenti Havel tha: një shtet i pastruar etnikisht, është më i rezikshem se komunizmi.

Greqia nuk spastroi vetëm çamët. Ajo spastroi dhe sllavomaqedonasit, ashtu si dhe në fund të luftës pati numrin më të madh të hebrenjve të denoncuar tek nazistët.

E pranon historiani grek Margaritis që i quan çamët dhe hebrenjtë, bashkëpatriotë të padëshiruar.

Ai me kurajë thotë se Shqipëria komuniste nuk bëri ndaj minoritetit grek, atë që bëmë ne ndaj shqiptarëve dhe se kjo i nderon shqiptarët.

Unë sot dua të pyes palën greke:  nuk do përfundimisht të pranojë ekzistencën e çështjes çame?

Pse vallë, apo pse nuk ka prova?

Nuk po flasim për asgjësimin e krerëve të Çamërisë në 1913, u thirrën në takim nga autoritet greke pushtuese dhe të prerë në besë 72 krerë të Çamërisë u masakruan në Perroin e Selanit, apo genocidin e kryer në 1915.

Po flasim  ngjarje të afërta në histori: për vrasjen e afro 5000 grave, fëmijëve, pleqve nga bashkëpunëtori i nazistëve Zerva; për dhunimin e qindra grave; për shkatërrimin e xhamive, pronave, në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë a do Greqia të flasim për çështje shqiptare në Greqi, që përfshin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Veriut? Apo do të flasim për një çështje ballkanike të spastrimit etnik të shqiptarëve, hebrejve dhe sllavomaqedonasve? Apo do të flasim për një shembull të turpshëm global sesi Greqia sot pretendon se është një vend pa minoritete, pasi flaku jashtë dhe me ndihmën e nazistëve, hebrenjtë, maqedonasit dhe sllavët?

Greqia duhet të zgjedhë: ose të merret vesh me ne, ose të pranojë një ndërkombëtarizim të sinkronizuar të kësaj faqeje të turpshme të historisë së saj.

Ne nuk kërkojmë asgjë antihistorike, asgjë jashtë rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Por ne do duhet të rreshtohemi dhe globalisht nëse Greqia nuk do tërhiqet.

Së pari, Greqia duhet të heqë dorë nga cilësimi i Shqipërisë si vend armik, si vend sulmues gjatë Luftës së dytë botërore. Le të lexojë historianët e vet më të mirë dhe do bindet. Ne nuk jemi Gjermania dhe as Komuniteti çam nuk ishte si gjermanët e Sudeteve.

Ne kemi njësitë tona partizane në Greqi, me batalionin Ali Demi pjesë e ELAS Grek në Çamëri dhe Batalionit Çamëria në Shqipëri me rreth 1000 partizanë në dy anët e kufirit.

Ne kemi viktima të pushtimit; ne nuk kemi asgjë për tu turpëruar nga historia e marrëdhënieve me fqinjin tonë.

Së dyti, Greqia duhet të heqë dorë nga Ligji i Luftës, dhe gjithë Ligjet e tjerë që mbajnë peng të drejtat e shqiptarëve në Greqi; të kërkojë falje për genocidin ndaj popullsië çame; të lejojë lëvizjen e lirë të të moshuarve veçanërisht të këtij komuniteti; të zbatojë zgjidhje kolektive mbi pasuritë shqiptare sipas një ligji ad hoc; ose të zbatojë vetë Ligjin e luftës që nënkupton heqjen e sekuestros mbi pronat shqiptare në fund të konfliktit;

Sot në vitin e shfuqizimit të Traktatit firmosur njëzet vjet më parë, le të miratojmë një Traktat të ri miqësie, që të parashikojë mekanizma zbatimi real dhe të shpejtë të kuadrit të lirive dhe të drejtave reciproke në vendet tona!

Ka një zgjidhje të thjeshtë Greqia nëse nuk do të bëjë bujë, apo nëse nuk do të na vendosë në pozitë të privilegjuar ne shqiptarët: të amendojë ligjin e riatdhesimit të refugjatëve të 1971, që diskriminon ata ish shtetas grekë që nuk kishin kombësi greke.

Greqia nuk mundet të na vendosë në pozita fajtori, apo borxhliu, sepse është e vërtetë e kundërta.

Ajo është fajtore dhe borxhlie ndaj nesh.

Ne duhet të jemi të vendosur në mbrojtjen e të vërtetave historike duke themeluar mbi to, listën e të drejtave tona.

Këtë shkrim po e mbyll me një thirrje për z. Bushati. Rreshtova një listë argumentash pse zoti ministër, unë dua që ju t’i tregoni profesorit të sociologjisë Kotzias, se pasardhësit e partizanëve grekë të Luftës së dytë botërore, nuk mundet të mbajnë ndaj shqiptarëve të njëjtën sjellje si zervistët e EDES-it.

Shqiptarët janë vend i NATO-s.

Nëse Greqia nuk pranon t’ i zgjidhë mbi baza dypalëshe çështjet e së kaluarës, pse i sheh ato me syzet e errëta të saj, atëherë ne do duhet t’ i drejtohemi NATO-s, BE-së, gjithë forumeve ndërkombëtare ku bëjmë pjesë.

Në fund kam një sugjerim profesional zoti ministër.

Vini në punë vartësit tuaj, që të lexojnë raportet diplomatike të paraardhësve të tyre të Mbretërisë.

Lexojini dhe ju, qëndrimet e paraardhësve tuaj të asaj kohe.

Kjo vlen dhe për Kryeministrin tonë që duhet t’ i referohet edhe më shumë, jo vetëm në shijet  estetike urbanistike, Mbretit Zog.

Me diplomatë të klasit të parë si Mehdi Frasheri e Rauf Fico.

Apo po të doni referojuni dhe Fan Nolit për mbrojtjen që i bëri popullsisë Çame në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, për zbatimin e padrejtë të traktatit të Lozanës mbi shkëmbimin e popullsive.

Do të mësoni më shumë mbi reciprocitetin, mbi mbrojtjen e autoqefalisë së Kishës; mbi hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, mbi dinjitetin diplomatik të mbështetur në dituri.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej