Ka than' i moçmi: 

"E çka duhet me ba ma tepër për me kenë shqiptar?!"

Dom Ndre Zadeja

Protestë për “Velierën” në Durrës në mbrojtje të trashëgimisë kulturore nga betonizimi

Nga Ejona 0

Një marshim-protestë është organizuar kundër punimeve për ndërtimin e Sheshit “Veliera” në Durrës.
Protesta nisi nga qendra e qytetit të Durrësit, për t’u zhvendosur në sheshin para portit detar, aty ku prej ditësh kanë dalë në dritë themelet e një godine të periudhës osmane, dy topa lufte dhe disa dhjetra predha sferike guri për hedhje me katapultë.

Mirela Jorgo, avokate, përfaqësuese e shoqatës “Menv Group” deklaroi se Durrësi i përket të gjithëve dhe ndaj duhet mbrojtur nga të gjithë, jo vetëm nga durrsakët.

Jorgo shtoi ndër të tjera që “…Po murosen vlerat antike të popullit shqiptar. Durrësi duhet të jetë i ndërgjegjshëm se po varroset e shkuara e tij dhe kjo po ndodh me të gjitha qytetet muze në vend. Betonizimi nuk mund të varrosë vlerat e kombit tonë, ndaj të bashkohemi. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se po varroset origjina e kombit shqiptar. Kjo nuk po ndodh vetëm në Durrës, por në Gjirokastër, Korçë dhe në çdo qytet-muze.

Sipas protestuesve, janë kryer tri shkelje bazë gjatë zbatimit të projektit. Së pari, është kryer ndërtim në zonën arkeologjike, ku ndalohen ndërhyrjet për shkak të nëntokës së pasur me dëshmi të identitetit tonë kombëtar. Së dyti, strukturat prej betoni janë të ndaluara dhe në VKM-në 237 të datës 23.3.2011 për miratimin e rregullores “për administrimin e zonës arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit”. Në këtë VKM përcaktohet qartë se në çdo lloj ndërhyrjeje për rikonstruktim rrugësh, a punime në rrjetin inxhinierik ujësjellës-kanalizime, ndriçim, telefoni e të tjera, të miratuara këto më parë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, duhet mbikqyrja arkeologjike. Kjo mbikqyrje duhet të jetë e vazhdueshme gjatë zbatimit të punimeve nga specialistët e Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike. Ndërkohë në pikën 3 të nenit 2 thuhet qartë: “Vendosja e konstruksioneve të lehta, dru, xham, plastikë, metal me lartësi maksimale 3 metër, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara. Konstruksionet vendosen dhe përdoren nga institucionet shtetërore të specializuara, duhet të jenë të lëvizshme dhe që në asnjë rast nuk dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik dhe nevojave të tjera që lidhen me veprimtarinë arkeologjike në veçanti dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi”.

Një tjetër shkelje, sipas lëvizjes “Reago për drejtësi” dhe “Bicycle Durrës”, është shpimi me sondë dhe derdhja e betonit midis mureve dhe varreve të zbuluara. Protestuesit kërkuan mbrojtjen e gjetjeve të reja në nëntokën e Durrësit dhe shpalljen e tyre monument kulture, ndërsa në mënyrë simbolike vendosën shirita për të ndaluar vazhdimin e punimeve të firmës zbatuese dhe në pjesën tjetër të sheshit ngjitur me Torrën Veneciane, ndërsa ngritën zërin përballë godinës, ku banon kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako me thirrjet: “Mos ma prek Dyrrahun!”.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej