Ka than' i moçmi: 

"Sod nuk don me dijt kush si je, po si dukesh e si paraqitesh."

- Anton Harapi

Pritjet zyrtare të Krishtlindjes dhe një gjest ungjillor

Nga 27.al 0

Nga Dom Gjergj Meta

Nuk kishte se si të mos përfshiheshin nga entuziami shumë njerëz, kur nëpërmjet mediave, kanë marrë vesh se këtë vit Arqipeshkëvia Tiranë-Durrës, ka vendosur që në vend të pritjeve zyrtare të bëjë diçka ndryshe, të shtrojë një drekë për të varfërit.

Po të shkojmë pak në kohë mbrapa, në krijimin e kësaj tradite, vëmë re se në fakt ajo ka lindur nga asgjëja. Megjithatë duhet thënë se kishte një kuptim të vetin normal dhe do të thoja pozitiv në vitet e para pas regjimit komunist. Këto vizita në ato kohë ishin një mesazh i fortë që jepej për rehabilitimin e objekteve të kultit dhe të religjionit në përgjithësi. Përveç kësaj, shprehnin edhe vullnetin e strukturave dhe institucioneve, laike apo fetare, për të punuar bashkë. Në këtë kontekst ishte pozitiv roli i Imzot Mirditës që në ato vjet, së bashku me ipeshkëvinjtë e tjerë dhe krerët e tjerë fetarë dha një kontribut të madh në çështjen e harmonisë dhe në vlerësimin e rolit të besimit në jetën shoqërore.

Por, me kalimin e kohës, në fakt u vu re se kishte diçka që nuk shkonte në këto pritje. Këtë nuk mund ta kuptonin ata që ishin në pritje, por vetëm kush lexonte komentet apo dëgjonte bisedat e njerëzve. Sigurisht, nuk ishin pozitive. Kjo nisi të kthehej më shumë në një qokë se sa në diçka të ndjerë. Të jemi të sinqertë; këtë gjë e shihnim të gjithë ngapak si një barrë, si diçka që duhej bërë, por që nuk sillte ndonjë kënaqësi të madhe.

Megjithatë, pa dashur të bëj komentimin e asaj çka ka qenë, do të doja të thoja se ky vendim është në një vazhdimësi të përsosur me dy magjistere: atë të Papës Françesku dhe atë të Imzot Gjergj Frendo-s. Magjisterin e Papa Françeskut tashmë e njohim të gjithë dhe e dimë se si ai ka ndryshuar shumë gjëra konkrete në Vatikan e më gjerë. Po ashtu, Imzot Frendo, në gjithë kohën që ka qenë famullitar në Sukth, më pas në Durrës e në vazhdimësi në Tiranë, si famullitar, por edhe si Ipeshkëv Ndihmës, ka patur një kujdes të vazhdueshëm për të varfërit dhe të përjashtuarit.

Kush kujton meshën e fillimit të misionit të Imzot Gjergj Frendos, më 3 dhjetor 2016, pikërisht ditën e Shën Françesk Ksaverit, këtij jezuiti që shkriu jetën e tij në vendet e varfëra të Indisë dhe Oqeanisë për të shpallur Ungjillin, do t’i kujtohen edhe fjalët e homelisë kur tha:

Së bashku le të ndërtojmë një kishë sipas modelit që na paraqet Papa Françesku: një kishë që pasqyron shpirtin e Krishtit në thjeshtësi dhe përvujtëri, një Kishë që shërben, afër popullit veçanërisht të varfërve, të braktisurve, të mënjanuarve për shkak të ngjyrës ose të gjendjes së tyre shoqërore, viktimave të padrejtësisë, një Kishë që bëhet zë për ata që s’kanë zë. Prandaj, le t’u buzëqeshim atyre që kërkojnë solidaritetin tonë, le t’u japim dorën atyre të cilëve ua kishim mohuar, le t’i zgjerojmë zemrat tona që të varfërit dhe të mënjanuarit të gjejnë në to vend strehimi.”

Dhe këtë përkujdesje të tij, që ai e kërkon nga të gjithë të krishterët e Dioqezës që drejton, e ka vënë në jetë me këtë vendim të komunikuar nëpërmjet njoftimit për shtyp, ku thuhet pikërisht se:

Për ne të krishterët, Krishtlindja është festa, në të cilën ne kremtojmë hyrjen e Hyjit në historinë e jetës njerëzore me brishtësinë e një fëmije. Në këtë kuptim Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe e atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë.”

Ja pra, pse një vendim i tillë, i cili sigurisht, që nëse ngjall habi te ndokush, te pjesa më e madhe e njerëzve ngjall mirëkuptim, admirim dhe simpati.

Rruga e varfërisë është rruga e Kishës. Është një sfidë e madhe, sepse varfëria ungjillore nuk konsiston vetëm në një fakt material, por është zhveshja nga ato struktura  materiale apo shpirtërore që shpesh rëndojnë apo kthehen në një shkandull (pengesë) në takimin tonë me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër një i krishterë zhvishet, jo si qëllim në vetvete, por për të veshur dikë që ka më nevojë se sa ai. A nuk ishte kjo rruga e Krishtit? Ai zbrazi, zhveshi vetveten, u bë i varfër që të na mbushte, të na vishte e të na bënte të pasur ne (krh 2 Kor 8,9).

/peregrinus.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej