Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

“Prishtina e gatshme për dialog”/ Ekipi negociator i Kosovës nesër në Bruksel

Nga Klodiana 0

Ekipi negociator i Kosovës takohet nesër në Bruksel me të ngarkuarën e BE-së për politikën e jashtme evropiane, Federica Mogherini. Grupi negociator i Kosovës që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi i tij në Kuvendin e Kosovës në nëntor të vitit të shkuar, megjithë kundërshtimin e partive opozitare. Çështja e të pagjeturve është tema e vetme e konfirmuar që do të diskutohet në Bruksel, ndërsa, thuhet se ky takim i pari i këtij lloji më shumë cilësohet si një takim konsultues, sesa negociues. “Shërbimi i Jashtëm Diplomatik (EEAS) e ka ftuar Ekipin e Dialogut nga Kosova për konsultime, më 8 janar, pas themelimit të tij nga Kuvendi”, citohet të ketë thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Federica Mogherinit.

Takim konsultativ
Ndërkohë, njëri nga kryesuesit e  ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj, para nisjes ka thënë se “në Bruksel, do të tregojnë përkushtimin e Republikës së Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë”. “Do të shkojmë për të dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për dialog. Më tepër është një takim konsultativ, për të parë dhe për të informuar njëri tjetrin, se si do të vazhdojmë me dialog. Do t’i paraqesim qëndrimet e delegacionit të Kosovës në Bruksel”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, duke bërë të ditur se ekipi negociator është i koordinuar mirë edhe për temat, për të cilat do të flitet  në Bruksel. Nga ana tjetër ekipi dialogues i Kosovës ndeshet me kundërshtimin e ashpër të partive politike opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosja. Këto dy subjekte politike thonë se “ky delegacion nuk përfaqëson vullnetin e shumicës qytetare”, pasi “ai përbëhet nga parti shumë të vogla”. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, kërkon që opozita të japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës.

Akuza e kundër akuza
Gjatë fundjavës ka pasur akuza e kundër-akuza nga vetë krerët e partive politike në pushtet dhe të atyre në opozitë lidhur me pjesëmarrjen -përkatësisht – mospjesëmarrjen e opozitës në grupin e dialogut, edhe pse në këtë grup ata kanë dy vende të rezervuara. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se “asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës”. “Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë, në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë”, shkroi Enver Hoxhaj.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se LDK, nuk do t’u shërbejë partive në pushtet. “Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e Kosovës: shtet-formuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë. I merr vendimet vet. Të gjithë atyre që brengosen dhe derdhin lotë krokodili për LDK-në, nga fakti se LDK nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste, u them se ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, sepse ky është edhe një argument shtesë se nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. LDK është e Kosovës dhe ajo vendos vetë si do t’i shërbej në mënyrën më të mirë Kosovës”, shkroi kreu i LDK-së Isa Mustafa.

Kosova kushtëzon heqjen e taksës së mallrave ndaj Serbisë
Sidoqoftë, dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi tash për tash është i ngrirë që nga koha kur qeveria e Kosovës ngriti taksën prej 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Autoritetet e Serbisë thonë se ato nuk marrin pjesë në dialog, derisa Prishtina ta heqë taksën. E qeveria në Prishtinë sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, “nuk e ka ndërmend që ta heqë taksën”,  përderisa siç thotë, “Serbia ta ndalë agresionin politik e diplomatik ndaj shtetit të Kosovës”.

Disa shenja më optimiste vijnë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se “nëse i jepet rrugë e qartë dialogut me synim arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, Kosova mund ta shqyrtojë mundësinë e heqjes se taksës.” “Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The ëashington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi në profilin e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi./ DW

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej