Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Populizmi që të le tek pullë

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Klodian Leka dhe Bislim Lakna janë dy studentët që ndaloi policia, sepse shkruajtën sipas porosisë së Ben Blushit emrat e Edi Ramës, Eduard Shalsit dhe Taulant Ballës në koshat e plehrave në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Ligjvënësi mbajti një fjalë në foltoren e Kuvendit, ku la dy porosi; e para, ishte e kjo e emrave dhe e dyta, deputetëve që votuan këtë ligj t’u zëmë pritë dhe t’u hedhin plehrat në kokë.

Është një një fjalim populist, i cili më shumë se sa i shërben çështjes, i shërben siglës së re që do të shfaqet në skenën politike dhe që ka ngazëllyer ballinën e faqes së Niko Lesit, pasi duket sikur redaksia e dikurshme e gazetës “Koha Jonë” që shiste 70 mijë kopje në ditë, tash është themeluar parti.

Në Greqi, Spanjë, Itali, Britani janë disa forca politike që u ngritën në bazë të populizmit. Natyrisht, shembulli i Syriza, “5 stelle”, Podemos apo UKIP janë joshës dhe nuk është e vështirë që të gjejnë ideues edhe në Shqipëri. Është pak a shumë si puna e formateve të programeve televizive që tashmë i gjen thuaj të njëjtë kudo. Forcat politike që përmenda më sipër janë bazuar në thirrjet populiste, zakonisht të ekstremit të majtë, por shpesh qëllojnë të jenë ksenofobike, fashiste, anarkiste apo fashiste. Me një fjalë, ideologjia e tyre mund të gjejë strehë tek shprehja e famshme kineze: “turbulloje, se do të kullojë”.

Nuk e di dhe nuk më intereson se cilët janë mëtonjësit e kësaj filozofie politike, nëse e quajmë të këtillë për marrëveshje fjale. Thjesht, e shoh populizmin një nga reziqet më të mëdha që mund t’i shtohet Shqipërisë, një vend me paqe sociale të brishtë.

Çfarë ka kërkuar me dy porositë e tij politikani që përmenda në krye të shkrimit?

Ai në mënyrë krejt të rëndomtë, banale ka dashur që të shenjojë ata që votojnë një ligj që nuk i pëlqen jo vetëm atij, por shumë të tjerëve. Me një fjalë ka përcaktuar cilët janë “të këqinjtë” për një gjindje të emocionuar, aspak të rafinuar në thellësinë e analizës ndaj kundërshtarit. Shenjimi si mjet politik është përdorur me sukses drithërues ndaj hebrenjve prej nazistëve, Ku Klux Klan-it, komunistëve ndaj ish-pasunarëve, së fundmi ndaj refugjatëve që vinin në Ballkan prej zonave të luftës. Shenjimi është frymëzim që vjen nga urrejtja për tjetrin dhe përdorimi i populizmit në këtë këndvështrim mund të sjellë aksione konkrete, të cilat padyshim kanë për të ndikuar (nëse kanë sukses) në jetën e gjithë popullatës.

Them “nëse kanë sukses”, sepse asnjë aksion populist nuk merr formën e duhur, në qoftë se nuk udhëhiqet nga shpikësi i tij. Rasti i Ben Blushit është tipik. Ashtu si përherë, kur i ka lënë shokët në mesrrugë, ashtu u soll edhe me të rinjtë. I indoktrinoi, u la porosinë, por nuk i udhëhoqi. Edhe një herë fitoi parimi trimërues: “çuna, zëre se jeni vetëm”. Ata dy studentë i panë “shtatë penxheret”, ideologu siti miell krejt’ i lirë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej