Ka than' i moçmi: 

"E çka duhet me ba ma tepër për me kenë shqiptar?!"

Dom Ndre Zadeja

Pluralizmi shqiptar? Luftë bandash në Kavajë

Nga 27.al 0

Nga Ilir Babaramo

Nëse kërkon të dish historinë 27-vjeçare të pluralizmit shqiptar shiko 10 minutat e asaj që ndodhi dje paradite në sheshin e Kavajës, kur një i fortë në pension u linçua nga të fortët e rinj. Një i dekoruar nga Berisha si “pishtar demokracie” për ngjarjet e vitit ’90 u rrah barbarisht nga trimat e Bashës, përse i ndërpreu fjalën këtij të fundit duke i thënë: “…shiko sa punë të mira ka bërë kryetari i Bashkisë në Kavajë“, të cilit KQZ i ka hequr mandatin për shumë vepra penale, përfshirë dhe përdhunimin e një minoreneje.
Ato filmime që u bënë virale në rrjetet sociale janë emblematike dhe për shkakun se ngjarja ndodhi në Kavajë, qytetin që ka rol parësor në instalimin e pluralizmit në Shqipëri. Kavaja në vitin 1990 ishte një qytet industrial me shumë fabrika që ishin mbyllur, për shkak të kolapsit ekonomik që përfshiu Shqipërinë. Ishte qyteti me papunësinë më të madhe dhe si pasojë, qyteti me kriminalitetin më të madh të rrugës. Në Shqipëri, shëmbja e komunizmit u shoqërua me një keqkuptim të madh. Keqbërësit e rrugës, xhepistët, dhunuesit, halabakët, shkurt gjithë kontigjenti i policisë në çdo vend normal, rrëzimin e diktaturës e kuptoi si rrëzimin e shtetit. Thyerje dhe vjedhje dyqanesh deri dhe shkatërimi i farmacive konsideroheshin si akte disidence kundër diktatutrës shqiptare që në fakt ishte më e egra dhe më idiotja në gjithë Lindjen. Drama e politikës shqiptare fillon, kur kontigjentet e krimit të rrugës ju bashkuan qysh në momentin e parë të parës parti që u krijua. Gjithë intelektualët që dolën kundër kërrmës së PPSH ndjeheshin të befasuar, të bezdisur, madje shpesh të neveritur, kur shikonin që në protestat e tyre, në tubimet për krijimin e PD, një pjesë e rreshtave të parë pushtoheshin nga vulgu. Kavaja ishte shembulli par excellence.
Duke qenë imponues, të dhunshëm, pa din e pa iman, kontigjenti i rrugës arriti të imponojë rregullat e veta. Ky ka qenë handikapi kryesor i PD që në krijimin e saj. Nëse shikon hartën elektorale të dhjetëra votimeve që janë bërë në Shqipëri konstaton një fakt. Në qytetet tradicionale shqiptare, në metropolet e dijes, PD ka fituar tepër rrallë. Shkodra i vetmi përjashtim, për shkak se në këtë qytet regjimi u tregua më pamëshirshëm se kudo. Bastionet e PD kanë qenë kryesisht ato qytete industriale të sajuara në kohën e komunizmit, pa një traditë urbane dhe me kriminalitet rruge të lartë. Drejtuesit e PD menduan se pa këto forca paramiltare nuk mund të vinin në pushtet. E keqja u thellua, kur PD mori pushtetin në mënyrë plebishitare. Në vend që kontigjenti i krimit të dëbohej, ai u forcua. Madje, u tregua një mirënjohje e shumëfishtë. Shumë prej tyre u dekoruan si “pishtarë demokracie”, ndërkohë që prona publike që nisi të privatizohej u falej këtyre gjysëmanalfabetëve përmes një procesi kriminal. Azem Hajdari ishte për ca kohë heroi i tyre, por i kthyen shpinën, kur Berisha e nxorri më pas grup armiqësor brenda PD. Hajdari dhe Pashko ishin më të zellshmit në thirrjet për të shkatëruar pronën publike të trashëguar nga ekonomia socialiste, ndërkohë që Lumpeni besonte në mrekullinë e çekut të bardhë.
Pesha e tyre politike sa vinte dhe rritej kur ju kërkohej për të prishur çdo mbledhje të opozitës së atëhershme. Kanë qenë pikërisht këta që kanë linçuar çdo opozitar të Berishës deri dhe drejtuesit kryesorë të saj. Rrahjet publike dhe sistematike për disa vite rresht që kulmuan 28 majin e 1996 të Pëllumbit, Dokles ,Hajdaragës, Cekës, Gjinushit, Imamit dhe gjithë të tjerëve më radhë ishin kontributi I “pishtarëve”, “nismëtarëve”, “qëndrestarëve” në demokraci. Tek e fundit, ishte e vetmja gjë që dinin të bënin në jetë.
Përmes dhunës u rrëzua dhe Berisha në vitin ’97. Pas një qeverisje tejet të paaftë, kur gjithë kursimet e shqiptarëve përfunduan te Sudja dhe Rrapushi, pas vjedhjes masive të zgjedhjeve një vit më parë, Berisha u përball jo dhe aq me opozitën sa me krimin e rrugës. Qytetet shqiptare filluan të bien njëri pas tjetrit nën zemërimin e turmës. Dhe këtë herë keqbërësit e rrugës, skafistë, delikuentë, matrapzë ishin në rreshtat e parë. Flaka përpiu çdo institucion shtetëror. Bandat e “pishtarëve” nuk dolën të luftonin kundër bandave rivale për të mbrojtur pushtetin e tyre dhe të Berishës. Ishin të “adhnuar”. Kishin humbur dhe ata paratë e tyre në fajde.
Rrotacioni politik në Shqipëri është gjithashtu dhe një rrotacion bandash. Kështu ndodhi dhe në 2005. Fitorja e dytë e PD lidhet me qytete të tilla si Laç, Mamurras e Shijak. Bota e nëntokës u bë kaq e fortë sa u konceptua si e domosdoshme për të ardhur në pushtet. Jemi në vitin 2013, kur nën armë u thirr kryetari i Bashkisë së Kavëjës dhe shumë të zgjedhur të tjerë, përfshirë dhe deputetë, të cilët tashmë kanë rënë dhe do bien në rrjetën e dekriminalizimit. Cinizmi arriti kulmin, kur në celularin e proksenetëve, skifterëve të vilave në Itali deri dhe të dikujt akuzuar për vrasje mbërriti një sms nga ambasadori Lu, ku i paralajmëronte se duhet të shkonin në seancën parlamentare për të votuar reformën në drejtësi.
Linçimi i një “pishtari” të dikurshëm në Kavajë, por që vendosi të ndryshojë bandë përbën emblemën e gjithçkaje që ka ndodhur deri tani. Sepse, aty u projektua modeli dhe fitorja e Kavajës nga PS apo PD konsiderohet nga politikanër shqiptarë aq historik sa Stalingradi apo Normandia në Luftën e Dytë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej