Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Plani vdiq, Rroftë Plani!

Nga Media 0

Nga Gentian Kaprata*

Tirana post diktaturë edhe pas 26 vjetësh në ribërje urbane nuk ka një Plan Territorial. Na e premtoi zoti Rama, kryeministri i sotëm, zoti Basha, kryeministri i së ardhmes së afërt, zoti Veliaj, kryeministri i së ardhmes së largët, por askush nuk ja doli. Paradoksi është se Tirana ka patur Plan që nga vitet 1920 dhe deri në vitin 2010. Më saktë, deri në shkurt të vitit 2010, kohë kur për arsye të pleqërisë vdiq Plani i Tiranës socialiste i vitit 1990. Fiks 20 vjet pasi lindi. Me një fjalë, Tirana e demokracisë ka pasur formalisht vetëm një Plan dhe ky ishte Plani i Tiranës socialiste. Sigurisht që koncepti Plan ka evoluar që nga vitet ‘20 e deri më sot. Ai nuk ka më të njëjtin kuptim si nga forma e as nga përmbajtja. Por, megjithëse nuk jemi duke folur për të njëjtën gjë, duhet pranuar paaftësia jonë e sotme për të bërë një gjë që 90 vjet më parë arritëm ta bënim. Pranuar këtë impotencë tonën, mund të kalojmë te një dimension tjetër i konceptit Plan që ka evoluar bashkë me evoluimin e organizimit shoqëror tonin, që nga Mbretëria e viteve ‘30-’40, te diktatura e viteve ’50-’90, e deri te kjo e tanishmja që ne e quajmë demokraci e viteve ’90-‘10.

E kam fjalën për aspektin: “për kë hartohet dhe kush e harton Planin?”! Ç’ka është jo vetëm aspekti më i rëndësishëm i planifikimit bashkëkohor territorial dhe i evoluimit të kësaj shkence përgjatë kohës, por edhe shkaku bazik që shpjegon impotencën tonë shoqërore për të hartuar një Plan për territorin që kemi pushtuar. Duket se lideri ynë i sotëm nuk e kupton ose nuk i konvenon të pranojë që Plani urban, i kohës ku jetojmë, hartohet për qytetarët dhe nga qytetarët. Dhe kjo është arsyeja që, për të disatën herë, ne na duhet të themi: “Plani vdiq, rroftë Plani”! Nuk do zgjatem më shumë sesa t’i përmend Planin Rama 2012 dhe Planin Basha 2014, sepse kemi folur më parë, por edhe se nuk paraqisin asnjë specifikë të ndryshme nga Plani Boeri-Veliaj 2017, tek i cili do ndalojmë për të kuptuar pse të anashkalosh banorin, qytetarin dhe grupet e interesit në një proces planifikimi territorial, të drejton në dështim të plotë e për një kohë shumë të gjatë. Shikoni me kujdes diskursin e kryebashkiakut Veliaj dhe të kryearkitektit Boeri. Të gjitha herët që ata janë shprehur për Planin e tyre për Tiranën, kanë folur vetëm për pallate e kulla!

Kujtdo mund t’i kujtohet esenca e intervistës zotit Boeri, muaj më parë në Top Channel, për një “rregull të tretë urban” që prish pallatet e Enverit për të ndërtuar të reja. Apo fjala e javëve të fundit të zotit Veliaj mbi përparësitë e “kullave 10-të katëshe”. Merrni e studioni të gjitha intervistat e tyre, askund nuk do ta gjeni fjalën banor. Sepse Plani i tyre nuk është për banorët. Mirëpo, nuk ka shkollë urbanistike që nuk ka për yll polar banorin. Nuk mund të jetë ndryshe sepse, kjo është detyra e Planit: të shpërndajë funksione jetësore të banorëve të qytetit nëpër territorin e qytetit! Bën parashikime të rritjes demografike, përcakton numrin e individëve sipas grupmoshave, lexon mungesat dhe nevojat për rrjet rrugor, hapësira të hapura apo ndërtesa, ku çdo grupmoshë të kryejë ato aktivitete jetësore, për të cilat ka interes. Dhe këto nevoja e kërkesa: për të banuar; për të punuar; për t’u arsimuar; për t’u kulturuar; për t’u mjekuar; për t’u rekreatuar; për të ushtruar sport; për të bërë blerje; e të tjera; e të tjera; madje edhe për t’u varrosur, i shpërndan nëpër njësitë ekzistuese urbane apo nëse është e nevojshme dhe argumentohet, edhe në shtesa të reja të territorit urban të qytetit.

Vëzhgoni, gjithashtu, proceset përgjatë të cilit ky plan është “hartuar”! Tre janë shfaqjet publike, në të cilat është folur për të. Shfaqja e parë ishte takimi publik e mediatik midis ministres së Zhvillimit Urban dhe kryebashkiakut të Tiranës, që ditën e dytë në detyrë të këtij të fundit, në të cilën u shpall që dy institucionet nisën bërjen e Planit. Shfaqja e dytë ishte intervista e para tetë muajve të kryeurbanistit Boeri, në të cilën u shpall se Planin do e bënte vetë dhe sipas modeleve të tij berlineze, londineze e milaneze. Dhe shfaqja e tretë ishte ajo e para disa javëve e zotit Veliaj, ku u shpall se Plani kishte përfunduar. Shkëlqyer! Problemi i vetëm është: ku janë qytetarët dhe komunitetet që preken apo duhet të kontribuojnë në zhvillimet e propozuara nga Plani!? Sepse, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të atyre që do e financojnë (me investime e taksa) apo do kontribuojnë (me pronësi e punë) në implementimin e tij, Plani degradon në një set pikturash shumëngjyrëshe si ato të Kryeministrit. Kështu që edhe këtë mot dështuam, e ajo që na mbetet të themi është “plani i qytetarëve për qytetarët vdiq, rroftë plani i elitarëve për ndërtesat!”

* Urbanism & Democracy

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej