Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Përse e bllokon parlamenti Autoritetin e ish-Sigurimit të Shtetit?

Nga 27.al 0

Prej 1 vit e gjashtë muaj më parë, në 30 prill të 2015 Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj që më në fund do të pengonte  bashkëpunëtorët e Sigurimit, të bënin karrierë politike, partiake dhe institucionale. Por prej ditës kur qeveria emëroi drejtuesen e Autoritetit për informim në dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit, nuk ka ndodhur më asgjë. Asgjë. Jo vetëm dosjet që nuk janë hapur, por as komisioni me 5 anëtarë i Autoritetit nuk ekziston si pasojë e vullnetit të munguar të parlamentarëve aktualë, që me gjasë ruajnë të shkuarën e tyre, por edhe të miqve e bashkëpunëtorëve.

Edhe pse ligji falë lobimit të të “prekurve” nga pasojat e tij e përjashtoi lustracionin, që do të ishte mënyra më e mirë për t’i pastruar institucionet publike, do t’i furnizojë ato me informacion mbi të shkuarën me apo dosje të kandidatëve përkatës. Debati i zhvilluar shpesh për qajse të kujdesshme ndaj së shkuarës dhe frikës së hakmarrjes është një alibi e vetë mbajtësve të këtyre dosjeve, të cilët ja kanë dalë që edhe gjatë dekadave të demokracisë të infiltrohen në struktura partiake dhe majat e pushtetit.

Sikundër është edhe dështim i shoqërisë civile dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut që janë nëpërkëmbur nga këta individë në të shkuarën komuniste. Është edhe fitore e turpëruese për “viktimat” e dosjembajtësve, që padrejtësisht vazhdojnë të ngrenë postblloqe duke shkelur ligjet e miratuara. Si mundet Kuvendi të mos miratojë strukturën e një Autoriteti të sanksionuar me ligj për më shumë se një vit më parë? Interesat vetjake nuk mund të dalin mbi ligjin pavarësisht mungesës së vullnetit për t’u vetëpastruar, sidomos pak muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ku me gjasë mercenarët e djeshëm janë të vlefshëm edhe për politikën e sotme me mentalitet po aq komunist sa gjatë diktaturës.

Përse është kaq e vështirë për klasën politike shqiptare të largojë njerëzit me dosje nga radhët e saj? Por edhe nëse justifikimi është lidhja shumë e ngushtë shpirtërore, ligji në Shqipëri duhet të jetë mbi të gjithë dhe zbatimi i tij nuk do të jetë më cështje e vullnetit individual. Reforma në drejtësi është e vërtetë që mori pjesën më të madhe të energjive të Kuvendit dhe të aktorëve kryesorë politikë në vend, por angazhimi për të respektuar ligjet e miratuar po nga këta deputetë duhet të përkthehet në vullnet të prekshëm edhe për shkak të drejtësisë së re që do të fillojë të ngrihet në vend.

Ish-spiunët kanë qenë dhe janë aktivë e shumëpërdorimësh, siç besohet gjerësisht, së pari për nivelin pështirues të servilizmit të tyre ndaj kryetarit të radhës së partisë dhe së dyti për shkak të “kapjes” përmes së kaluarës së tyre. Në ditët e sotme ata dhe ato që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit kanë bërë zgjedhje individuale, disa të qortueshme dhe disa të pranueshme. Por, kjo është analizë e moralit të gjithsecilit, që nga pikëpamja ligjore nuk ka asnjë vlerë.

Kategoria e njerëzve që i kanë ende dosjet në arkivat e shtetit, të cilat besohen se janë prekur dhe deformuar gjatë viteve që pasuan diktaturën duhet të jenë të detyruar të largohen me ligj nga jeta publike. Dhe me jetë publike nënkuptohet përshfirja në struktura partiake dhe institucionale, këshillimi i krerëve partiakë majtas, djathtas, në qendër, pjesëmarrja me analiza në shtypin e ditës dhe shumë mënyra të tjera që ata shpikin për të “helmuar” ende opinionin publik.

/javanews.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej