Ka than' i moçmi: 

"Dy bija të përmallshme, gurë të paçmuar, si hyj po ndritni ju, Kosovë e Çamëri."

- Asdreni

Përse duhet të takohen përfaqësuesit e politikës shqiptare në Maqedoni?

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos ketë një program koordinimi afatgjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët e këtushëm. Mëritë personale të udhëheqësve partiakë reflektohen në inate kolektive. Mëritë për unin, kryeneçësinë individuale kanë çuar në acarrime të thella mes krerëve të politikës shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë, duke bërë që shpesh herë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në Europë dhe Ballkan. Ajo çka është shqetësuese sot janë marrëdhëniet e e egra që gjallojnë midis liderëve, të cilat me dasje apo padashje përcillen tek anëtarësia e thjeshtë.

U fol e u përfol shumë takimi i disa liderëve të partive shqiptare në Maqedoni si Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Vejsel Mehmeti dhe Gëzim Ostreni për unifikimin e një programi politik shqiptar për krijimin e qeverisë në Maqedoni. Nuk ka asgjë të keqe, nëse përfaqësuesit shqiptarë takohen, diskutojnë me sho-shoqin, por duhet që në këto takime të gjithë të jenë të barabartë. Në takimin në fjalë u duk se diçka nuk ishte e barabartë, pasi Ali Ahmeti ishte bashkë me Teuta Arifin e cila prej disa motesh i qëndron mbi kokë si çekiç, ndërsa Sela, Vejseli dhe Ostreni ishin bashkë.

Do të ishte më e ndershme që në takimin e radhës mes përfaqësuesve të shqiptarëve të jenë edhe përfaqësuesit e “BESA” dhe PDSH, duke mos u bërë bisht bisedave për unifikimin e qëndrimeve kombëtare, sepse nuk është fundi i botës, nëse pinë një kafe për të diskutuar për të mirën e shqiptarëve. Kjo, pasi çdo herë pinë kafe bashkë, kur bëhet fjalë për të mirën e sllavo-maqedonasve, duke i buzëqeshur Brankos dhe Gruevskit e herë Sashenkos e Zaevit.

Çështja është që në takim të gjithë të ndihen të barabartë, ku Sela dhe Vejseli duhet të jenë vetë i dytë ashtu sikurse kishte marrë me vete Aliu çekiçin. Ndërsa prania e Gëzim Ostrenit është e tepërt, sepse partia e tij nuk ka ndonjë ulëse në Kuvendin e Maqedonisë, ndaj nuk ka pse të qëndrojë atje, sepse në politikë nuk ekziston parimi “rëndësi ka të marrësh pjesë në garë”.

Koha kërkon që drejtuesit politikë shqiptarë të Maqedonisë të  zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politikë sllavo-maqedonas. Të shohin mundësinë e krijimit të Këshillit të koordinimit të politikës shqiptare mes forcave politike, shoqatave, të iniciativave qytetare e më gjerë. Për të jetësuar të drejtat e shqiptarëve; zgjedhjen përfundimtare të çështjes së gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001, ekështu me radhë, liderët shqiptarë në Maqedoni duhet të çlirohen nga ndikimet e Shqipërisë dhe Kosovës, por të funksionojnë në mënyrë institucionale, pra nëpërmjet funksionimit shtetëror. Në rast të kundërt injorimi i strukturave shtetërore do të shfrytëzohet nga politika përçarëse.

Ka ndonjë lider partie që çirret që është më “patrioti”, se paska luftuar me armë në tre luftëra, patriot që punon për “Shqipërinë dhe shqiptarët” e natyrisht ëndërron që një ditë emri i tij të lartohet krah burrave të shquar të kombit shqiptar si Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Faik Konicës, Frashëllinjëve, Ismail Qemalit, Adem Jasharit. Kjo është e drejta e çdokujt të mendojë si të dojë, por radhitja në listën e emrave të lartpërmendur nuk bëhet duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Duke dalë shpëtimtar i një qeverie, në momentin kur ajo është mospërfillëse ndaj kërkesave themelore të shqiptarëve.

Liderët e sotëm politikë duhet të udhëhiqen nga shembulli i etërve të Kombit, pra të jenë të bashkuar e jo të përçarë.

Meqenëse disa politikanë të këtushëm janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të mia, të jenë të qetë e të mos shqetësohen, nëse mizën nuk e kanë nën kësulë.

Prandaj uroj që në takimi e radhës tryezës së bisedimeve t’ju shtohen edhe të tjerët sa nuk është vonë e mos të luajnë rolin e të vështirit. Të ulen e të bisedojnë të gjithë tok, sepse kjo nuk do të thotë që kanë ulur kryet përpara njëri-tjetrit, por të merren vesh njerëzishëm e të punojnë për mbarësibe e shqiptarëve të Maqedonisë.

Në këtë shkrim mund të flisja edhe me fakte më konkrete, por interesi kombëtar e kërkon që të bashkohemi dhe jo të përçahemi.

I shkruajta këto rreshta dhe mendime për ata që kanë dy pare mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej