Ka than' i moçmi: 

"Komunizma është një sëmundje e tmerrshme, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por zemrën dhe shpirtin e njeriut."

- Mit'hat Frashëri

Përpjekja e patriotëve të Filatit për ngritjen e bandës muzikore

Nga 27.al 0

Nga Niko Kotherja

Një dokument shumë interesant rrëfen për zhvillimin e lëvizjes patriotike në Çamëri. I datuar në dhjetor të vitit 1909, dokumenti tregon për aktivizimin e patriotëve në Filat për ngritjen dhe organizimin e një shoqërie patriotike dhe muzikore, e cila të përngjante me grupimin “Banda e Lirisë”, e cila ishte themeluar në Korçë, më 1 tetor 1908.

De Annibale Pascuale

Këto zhvillime ndodhin në periudhën e pas kostituimit të regjimit xhonturk, që hyri në fuqi në korrik të vitit 1908, periudhë ku patriotët shqiptarë e përdorën më së miri në çeljen e shkollave shqipe, në botimin e librave dhe periodikëve në gjuhën shqipe, si dhe organizime të tjera me karakter kombëtar.

Pandeli Cale

I tillë ishte organizimi i formacionit muzikor dhe patriotik “Banda e Lirisë” që u ngrit në Korçë. Kryetar i saj u zgjodh atdhetari Pandeli Cale, që më vonë do të jetë një nga nënshkruesit e aktit të Pavarësisë, si dhe një nga ministrat e kabinetit të Ismail Qemal Vlorës. Anëtarë të pleqësisë së shoqërisë ishin emra të njohur, si Mihal Grameno, Sami Pojani, Qamil Panariti, Llambi Bimbli, e të tjerë. Drejtuesi artistik i bandës u dërgua nga Egjipti në Korçë prej atdhetarit Thanas Tashko, babait të artistes sonë Tefta Tashko Koço. Italiani De Annibale Pascuale mbërriti në Korçë dhe mori në drejtim “Bandën e Lirisë”, duke i përgatitur anëtarët e saj që brenda një kohe shumë të shkurtër të luanin në veglat frymore, të cilat u porositën dhe u blenë nga patriotët shqiptarë në Itali, në Austri dhe në Gjermani, bashkë me uniformat. Dirigjenti italian la mbresa pa shlyeshme në kujtesën e lëvizjes patriotike shqiptare, pasi ishte një shqiptarofil dhe njëkohësisht kompozoi disa këngë e marshe patriotike, që këndohen ende sot.

Banda e Lirisë, Korçë

Pas rreth një viti të aktivitetit të saj, “Bandës së Lirisë” i kërkohej nga qytete të tjera që të përhapte shembullin e organizimit të saj dhe kështu të bëhej një pasqyrë sesi mund të ngriheshin edhe formacione të tjera. Një nga kërkesat drejtuar kryesisë së “Bandës së Lirisë” është edhe ajo e hartuar nga patriotët çamë Mehmet Sekjo dhe Qamil Çami. Në dhjetor të vitit 1909, me anë të një letre, dy patriotët bëjnë me dije se po përpiqen për ngritjen e një shoqërie, me anë të së cilës: “…të mundim të hapim ndjenjat kombjare në Çamëri.” Nga letra kuptohet se qendrimi klerit në atë zonë nuk i ka mbështetur lëvizjet e shqiptarëve, siç shprehen dy patriotët: “(…) do të shigurojmë më shumë ca papuj, të cilët na i quajnë lodra lëvizjet kombjare tonat.”

Mihal Grameno
Qamil Çami
Mehmet Sejko

Letra është shkruar në gjuhën shqipe me një alfabet të përzjerë, ku dallohen gërmat latine, si dhe disa gërma që ishin pjesë e alfabetit të aprovuar nga “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll, më 1879. Nga kjo kuptohet që patriotët çamë kishin për përdorim alfabetin me karaktere latine, i cili ishte edhe varianti i parë i vendosur në Kongresin e Manastirit, në nëntor 1908.

Mehmet Sejko është një figurë e shquar e lëvizjeve patriotike dhe shkollës shqipe në Çamëri. Ai ishte themeluesi i shkollës së parë shqipe të Filatit, e cila u hap në gusht 1908 në ambjentet e shtëpisë së tij, duke patur për drejtor mësuesin patrioti Qamil Çami dhe mësues të parë patriotin Musa Demi. Një muaj më pas, Sejko ishte themelues i shoqërisë së shqiptarëve të Filatit “Vëllazëria”. Mehmet Sekjo ishte zgjedhur kryetar i shoqërisë. Si fillim sekretar i saj ishte Musa Demi dhe më pas Qamil Çami, i cili ishte një aktivist i lëvizjes patriotike, që punoi për hapjen e shkollave shqipe në zonën e Çamërisë, por njëkohësisht mori pjesë me armë në dorë edhe në çetat patriotike në periudhën e kryengritjes së përgjithshme dhe deri në pavarësinë e vendit. Pas ngritjes së flamurit, shkoi në Vlorë ku u angazhua në problemet e sistemit të arsimit kombëtar dhe në ngritjen e shkollave shqipe. Më vonë shërbeu si nënpunës i shtetit shqiptar në qytete e fshatra të ndryshme.

Kjo letër është një dokument i panjohur dhe i pa botuar deri më sot, teksti i së cilës vijon më poshtë:*

Filat 21 Shëndre (dhjetor-shën.im N. K.) 1909

Së nderçimes shoqëri së Bandës Lirisë

Në Korçë

Këtu në Filat duam të fillojmë një shoqëri për të vendosur muzikësh, shpresojmë se me këtë qëllim të mundim të hapim ndjenjat kombjare në Çamëri, do të shigurojmë më shumë ca papuj, të cilët na i quajnë lodra lëvizjet kombjare tonat.

Kjo shoqëri, këtu shpresojmë që do të bëjë shumë anëtarë sa do që sot jemi të pakë po thua.

Për këtë gjë jemi së-gjithash të pa dirë, d.m.th. s’dimë si ta nisim, e si do mundim t’e mbarojmë këtë shoqëri, prandaj u lutemi të na kshilloni mëmdhetarisht për këtë çështje. Si do mundim t’e fillojmë, e ç’fe do na duhet, për një mësonjës si mund të sillemi?

Nuk’ e qënë një erë, sa do që ne mos u bëfçim të mbaruar me sa duhet po mundet le ta bëjmë edhe gjysmë, pa më tutje është shpresë e madhe që të mundim me kshilla të plota që shprejmë nga ana e z.së s’uaj (zotërisë suaj-shën. im N. K.) do ta mbarojmë ashtu si i duhet nj’ it Bandë kombjare.

U lutemi prapë të na shkruani gjat’ e gjerë sa të prishura do venë, dhe më shumë si muntë dhe zotria tuaj e mbaruat.

U falemi nderit

Shkronjës                        Kryetar

Qamil Çami                    Mehmet (Sejko)

* Dokumenti origjinal ruhet në arkivin e autorit të shkrimit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>