Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Përkulju kapeles!!!

Nga 27-shi 0

Nga Dritan Shano

“Legjislacioni” për Shpifjen, në mos një shkelje e nenit 22 të Kushtetutës për Lirinë e Shprehjes dhe Censurën, është një përthyerje e fortë e tij që tenton dy gjëra: 1) rikthimin e frikës për të folur tek të gjithë shqiptarët; dhe 2) lehtësimin alternativ të çrregullimeve të forta mendore të imagjinuesit të shpifjes.

Mendoj se ky legjislacion, më shumë se me mbrojtjen nga “shpifja” të të shpifurit, ka të bëjë me gjunjëzimin përfundimtar të çdo mendimi ndryshe. Kjo përdhuni më e fundit i ngjan Kapeles së qeveritarit Gessler në vitin 1307 – ky e nguli kapelen e vet në një hu në mes të sheshit dhe çdokush që kalonte atje duhej t’i përkulej asaj; ky fakt çoi në rebelimin personal të fshatarit me dinjitet William Tell, heqjen qafe të Gesslerit prej tij, që më pas çoi në lëvizjen për çlirimin e Konfederatës Zvicerane nga sundimi austriak.

Sot, 7 shekuj më vonë dhe 27 vjet në demokraci, në Shqipëri jemi në një situatë, kur me dhunë nervoze po shkohet tek: a) përdorimi i frikës nga “ligji” për të vendosur dhe mbajtur një autoritet që në realitet nuk e ke; por dhe tek b) përdorimi i ligjit për të zëvendësuar ilaçet që kurojnë çrregullimin e personalitetit. Pra, nesër shqiptarët nuk do jenë në gjendje të thonë se filani është debil, psikopat, edhe kur ky filan është në realitet i tillë. Po e thanë, do gjobiten ose burgosen.

E megjithatë, nuk mund të mos vërej se ky diskutim, ky legjislacion ka të bëjë me rreth 300 veta gjithsej në Shqipëri – që tashmë në nivel palaçosh, kur nuk janë duke u pasuruar, vazhdojnë të mos lenë fjalë pa thënë kundër njëri-tjetrit prej 27 vjetësh në këtë vend, paguhen nga taksat tona dhe mbahen me të madh si burra shteti. Turpi që kam jetuar në të njëjtën kohë dhe i kam patur qeveritarë këta tipa dhe kam parë e dëgjuar shqiptarët t’i bëjnë hosana atyre, do më shoqërojë derisa të mbyll sytë. Shqipëria po shuhet prej tyre. Shqiptarët që ikin nga vendi, ikin prej gojës dhe bëmave të tyre në këto tri dekada.

Shqiptarët e tjerë, që kanë mbetur në Shqipëri, nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpitë tyre, dhe atë curril që u vjen e paguajnë sa qimet e kokës.

Anës detit, të palarë?! S’ka gjë! Veç përkuljuni kapeles o shqiptarë !!!

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej