Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Për tmerrin e Kavajës nuk shërben gjyqi publik

Nga 27.al 0

Nga Loreta Berhami

Megjithëse nuk dyshoj në degradimin moral dhe etik të shoqërisë shqiptare, mendoj që nëse shumica e zërave që reagojnë në lidhje me rastin e Kavajës, vendosin të ngrënë gishtin akuzues kundrejt “shoqërisë” apo “shkollës” apo “familjes”, atëherë me siguri nuk do të shohim asnjë përparim dhe nuk do të marrim asnjë mësim nga ky rast dramatik. Këto janë institucione abstrakte, duan të thonë shumë dhe asgjë; jemi të gjithë ne, jam unë dhe askush.
Prandaj, në vend që të ngushëllojmë njëri-tjetrin duke ndukur faqet e duke shkulur flokët, do të ishte më frytdhënëse, sikur të ngrinim pyetje të këtij lloji:
– Si quheshin personat që ishin në dijeni të ngjarjes dhe nuk reaguan siç duhet?
– Pse nuk reaguan siç duhet? Nuk dinin apo nuk donin?
– A kishin përgjegjësi ligjore (përveçse morale) të reagonin?
– Nëse po, çfarë masash do merren ndaj këtyre?
Duhet kërkuar që këta njerëz të paguajnë gabimin e tyre, ligjërisht dhe shoqërisht. Vetëm në këtë mënyrë, duke ndëshkuar këta persona, mund të kemi shpresë se në një të ardhme të largët, një rast i ngjashëm do të trajtohet ndryshe dhe viktimës do t’i garantohet mbrojtja dhe mbështetja emocionale dhe psikologjike e duhur.
Më pas, duhen kërkuar, fuqimisht dhe me zë, përgjegjësit moralë dhe madhorë në moshë. Prindërit e djemve, paçka se jo fajtorë të drejtpërdrejtë, kanë një përgjegjësi morale.
Duhet kërkuar zëri i tyre, duhet të mësojmë nga gabimet e tyre. Nuk po flas për gjyq publik, po flas për dialog.

Personalisht do të doja vërtet të dija më shumë; të flisja me nënën e një prej djemve. Të më tregojë si e shihte ajo djalin e saj. Ç’lidhje mendonte se kishte me të? Si i duket tani? A ka ndryshuar ai fëmijë në sytë e saj? A mendon se ka gabuar diku? Çfarë do të kishte bërë ndryshe po të kishte pasur mundësi? Vetëm duke kuptuar mund të shmangim përsëritjen e gabimeve në familjet tona. Dhe nuk mund të paragjykojmë gjithçka dhe gjithkënd, duke iu bashkuar korit “këto janë familje jofunksionale”.

Ky po që është një gjyq publik i bazuar në nevojën për të gjetur një fajtor të menjëhershëm, për ta vënë përgjegjësinë te dikush tjetër, për të menaxhuar ankthin që një situatë e tillë na krijon.
Natyrisht që e kuptoj dhimbjen dhe tmerrin që ka shkaktuar kjo ngjarje në shoqërinë tonë. Druaj vetëm se po të vazhdojmë të mbushemi me hiperbolizimin e shfaqjes së ndjenjave, nuk do të arrijmë kurrgjë, përveçse ripërtëritjes të atij zakonit të vjetër sa shqiptarët “çudia më e madhe zgjat tre ditë”.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej