Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Për fierakët vetëvrasës

Nga 27.al 0

Nga Gerta Kapllani

Ka disa kohë që kam vendosur të ndryshoj stilin e jetës. Për shembull në mëngjes hapja e celularit për t’u mbushur me ajër virtual, nuk është më gjëja ime. E nis ditën me shëtitje për të thithur pak ajër të vërtetë, për t’u ushqyer me jetë mes zhurmës, kaosit të metropolit. Kështu veprova edhe këtë mëngjes. Ime më më merr në telefon dhe pyet vazhdimisht “Si je?”, e shqetësuar duke më bërë të besoj se ishte telefonatë rutinë. E kush e beson vallë? Marr autobuzin, teksa dëgjoj zëra që gumëzhijnë: “ E more vesh, e tmerrshme, ah kjo rini e sotme!” Refren në kokë më mbeti “vajza nga Fieri”, “vetëvrasje”. Një tjetër vetëvrasje nga Fieri mendova. Rreth meje njerëz, kaq shumë njerëz të gjallë e të ndjeshëm, por me paragjykime, përbaltje, të gatshëm për të drejtuar gishtin dhe fjalën e fundit për ta thënë të parën.

“Eh këta fieraket, kaq të guximshëm…për të vdekur !!”

Unë jam nga Fieri dhe kjo fjali më vrau për së gjalli. E vërtetë. Vetëvrasjet me identitet nga Fieri, për ironi të fatit nga Fieri janë shtuar sidomos kohët e fundit. Rrugëtime të lëna në mes, ëndërra të fikura, shpresa të mbytura në lule të jetës. Realisht, nuk di të ketë një klasifikim të qyteteve më të lumtura të Shqipërisë, të njerëzve më të qeshur, më të vrarë apo të guximshëm, por di të them që është detyra jonë, e të gjithëve ne të solidarizohemi, të japim pak nga vetja kundrejt fenomenit dhe jo individit. Sa herë dëgjoj për një tjetër vetëflijim më mundojnë dhe torturojnë përse-të dhe aspak sepse-të. Duke u nisur nga vetja mund të jap 1001 arsye e konkluzione, por kush jam unë për të dhënë verdikte, për të vënë pikat mbi “i”. E shumta që mund të bëj është të jem sot një mik i mirë. Të paktën të hesht, kur lexoj sytë e njerëzve të tillë, njerëz në luftë me veten dhe më e shumta t’u ofroj një shpatull për t’u mbështetur.

Kur më pyesin përse e dua kaq shumë Frojdin (Freud), autorin tim të preferuar u përgjigjem se është njësoj sikur t’u them përse unë nuk e dua fare veten. E kjo përgjigje u duket e tmerrshme, tingëllon vrasëse, vetëvrasëse. Gati në sulm për të më masakruar, sepse ata e dinë, u duket sikur bota ime është rozë e jeta ime mrekulli. Po, u duket. Po çdo të thotë të duash veten? Ti që ndryshe nga unë e do kaq shumë veten. Sa e do ti veten?

A nuk je ti që tymos pa fund e pa shkas? Ti që rri tre ditë pa ngrënë se duhet të veshësh fustanin e ngushtë-ngushtë për t’u dukur bukur në një festë që gjithsesi do mbarojë e në darkë do kthehesh sërish vetëm në shtëpi. Ti që i jep gaz për pesë minuta më shpejt dhe përndiqesh nga pas nga lutja e nënës “Zoti të ruajtë!”. Ti që punon dy-tre punë për një të nesërme më të mirë e koha të fluturon para syve.

Me thuaj, sa e do ti veten? Sa shumë? Sa pak? Aspak?!

Është kaq e thjeshtë të veshësh këpucët e tjetrit e të përgjigjesh, por gati e pamundur në të tuat.

Pranoje, jemi nga pak vetëvrasës të gjithë. Secili duke luftuar me veten një luftë të brendshme… për t’u mbajtur gjallë në emër të një motivi.

Ndaj dua t’i them sot asaj zonjës në palestër, zotërisë te parku, gjyshes në autobuz që vetëvrasja është një sëmundje që prek qelizat e shpirtit, agoni në mendje të mbytur. Nuk ka gjini, moshë, prejardhje, qytet, kombësi. Kini pak respekt për veten , fëmijët tuaj, për motrat dhe vëllezërit shqiptarë, për çdo human në botë që në këtë çast ka dilemën për të vazhduar mes dhimbjesh pafund apo për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë, sepse ndryshe nga ne ata e kanë humbur rrugën, motivin për t’ia dalë mbanë gjallë.

Nga Fieri apo jo, jemi në garë duke vrapuar për të kapur majat. Harrojmë të ndalim, të marrim pak frymë. Pas çdo dështimi na kanë mësuar se duhet të ngrihemi shpejt e më shpejt pa humbur kohë drejt një fillimi të ri. Po në këtë garë, garën e jetës për të qenë madhështor duhet pranuar sa të vegjël jemi, për t’u forcuar, duhet pranuar sa të dobët ndjehemi, se kemi nevojë për ndihmë dhe pak fjalë të sinqerta për të ngrohur shpirtin. Unë besoj te magjia e fjalëve. Le të themi pak më shumë: Të Dua e të pyesim pak më tepër “Si je?”.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej