Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Penxherja e gazetarisë së frikës

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Është një këngë e vjetër e Shqipërisë së Mesme, krejt orientale, e cila ka një kumt të rëndë qysh në krye:

…doli hoxha në penxhere, për me pa se kush ka vdek’…

Kjo këngë më erdhi ndër mend, kur pashë një gazetare që doli në penxhere për me pa se kush po kthehej nga Greqia. Ishte kaq e shqetësuar zonja, tek rrëfen dy histori njerëzore të vërteta (jam i bindur që nuk i ka sajuar) dhe në fund për hir të këtyre fateve dramatike, reflekton që duhet ta mbyllim sqepin, sepse greku na kthen ata që kemi emigrantë. Me deduksion arrijmë në përfundimin se kush i mban me bukë gjitha ata të këputur që janë në Greqi dhe e hanë atje tasin e groshës.

Por, dje u qetësova, sepse Ambasada greke na e la kopilin në derë neve, gazetarëve që raportuam kthimet në kufi. Me siguri kolegia jonë e ka mbyllur dritaren dhe ka fjetur gëzueshëm, sepse grekët nuk do ia cekin personazhet e rrëfenjave të saja.

Në lëmin e komunikimit manipulimi i opinionit publik nëpërmjet historive personale, është padyshim një armë fituese. Në çastin, kur tregon historinë e dikujt që halli i ka zënë derën, e ke të thjeshtë të bësh përgjithësimin e një përfundimi politik, qoftë të gabuar. Ky ishte qëllimi i kthimeve greke, të kallte datën, nëpërmjet historive individuale. Natyrisht, dikush që ka frikë të kalojë nga njëra këmbësore tek tjetra, kur e ka semaforin me dritë të gjelbër, mund të mendojë që të tërë kanë frikë dhe nga gjithçka. Fobitë personale shpesh mund të bëhen udhëheqëse të jetës individuale dhe të çojnë të mendosh që kaq e trembur është gjithë gjindja që të rrethon. Prandaj, përhapja e frikës si valë është një tekonologji fitimtare që e përdorin diktaturat, autokratët dhe shërbyesit e tyre, kryesisht mediatikë. Hitleri e mori pushtetin duke filluar të kallë datën nëpërmjet propagandës. Të parët që ranë pre e saj ishin dhjaksët e më pas sahanlëpirësit.

Çfarë po ndodh në Shqipëri? Pas deklaratave të Komisionerit Hahn janë rihapur çështjet që kanë mbetur varur mes dy vendeve. Greqia nuk dëshiron të ulet në bisedime, as për marrëveshjen e ujrave, as për sheltin territorial, as për Çështjen Çame. Ndaj kërkon të ngjallë frikë dhe panik. Kthen aq sa ka mundësi në kufi për të shkaktuar tek propagandistët atë efekt që na doli në dritare.

Por, grekët përherë kanë përdorur përzënien e dhunshme në historinë e tyre moderne për të spastruar territore. Fjala vjen, a mund t’i rrëfejmë në penxhere përzënien e dhunshme për tre orë të gjithë hebrenjeve të Selanikut, bashkë me ta dhe shumë shqiptarë.

Po në marrëveshjen e ishujve që po ankohet sot qeveria turke a e di njeri sa familje shqiptare i shkulën nga pronat e tyre dhe i zëvendësuan me kolonë grekë? Kjo është arsyeja që sot kemi një komunitet aq të madh shqiptarësh në Izmir. Po kur i kthyen shqiptarët gjatë kohës së Mbretit Zog a e di njeri si u ndalën? Greqia u kërcënua që sa shqiptarë do të kthehen, aq minoritarë do u çojnë në derë. Por, le të bëhemi pak më modernë. A ka më mizorë se operacionet “Fshesa”? Qysh në emër të ngjallin krupën.

Natyrisht, dramat njerëzore, nëse i përdor, ke dhe më shumë sukses. Problemi është si do u përgjigjemi dramave të tjera njerëzore që na duhet t’i dënojmë me harresë. Ildize Jupes, 80 vjeç që nuk e lanë më të hynte në Greqi, sepse mbajti fjalim Edi Rama ç’do i themi? Ajo as që e ka idenë. Është një e moshuar që kishte dhjetë vjet që jetonte me djalin, nipërit e mbesat në vendin fqinj. Pas dhjetë vjetësh i thanë kthehu mbrapsht në Cërrik, sepse e ke vendlindjen Arpicë, për hir të së vërtetës, sepse ka mbajtur Edi Rama fjalim. Ka gjë më të poshtër se kaq? Dhe ka gjë më të poshtër se sa të bësh propagandë për të ulur kokën, se mos na shtohen raste të këtilla. Natyrisht, nuk ka. Tek e fundit edhe në kohën e shokut Enver mund ta shtyje po të qepje gojën, por jo të gjithë e qepën.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>