Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët zbresin prej pellazgëve. Kush mendon ndryshe, në qoftë i huaj është gomar, në qoftë shqiptar është tradhëtar".

                                                                                        -Faik Konica

PD-ja e Berishës vdiq. Rroftë PD-ja… e Bashës!

Nga Media 0

Nga Alfred Peza

Për të gjithë ata që mendojnë se Lulzim Basha është duke ecur në gjurmët e Edi Ramës, për tu bërë një ditë, si edhe ai Kryeministër i Shqipërisë, mjafton që t’i hedhin një sy vendimeve të mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar të PD, për tu bindur për të kundërtën.

Më shumë sesa rrugëtimin përkrah Edi Ramës, Lulzim Basha po tregon se për të arritur në pikën e shndritshme që i ka vendosur ambicjeve të veta në horizontin politik, ai po ndjek rrugën e kundërt me atë të paraardhësit të tij. Më shumë sesa një akt kopjimi, ai po tenton një akt “atvrasje” politike. Më shumë sesa një filozofi pohimi ndaj një modeli tjetër të suksesshëm, ai po tenton të zbatojë teorinë e mohimit të mohimit, që me sa duket pret që ta çojnë drejt zhvillimeve politike që do e ngjisin në majën e pushtetit.

Eshtë e vërtetë që në hapat e parë, Lulzim Basha kopjoi Edi Ramën, kur nga ministër, garoi për tu bërë Kryetar i Bashkisë së Tiranës, përpara se të merte drejtimin e Partisë Demokratike. Ishte një standard që kryetari i PS e vuri herët, të cilën tentoi ta kalojë përballë tij edhe i ndjeri Sokol Olldashi më parë, duke humbur siç edhe dihet. Fakt që me siguri ka ndikuar në mënyrën se si Berisha, e mbajti barazpeshën e peshores në garën direkte për kreun e ri të PD, mes dy ish sfidantëve të Ramës për kryeqytetin.

Lulzim Basha paska qenë më i qartë se sa na dukej të gjithëve, pasi u ul në poltronin e kryetarit të Partisë Demokratike, njërës prej dy pasurive më të mëdha të sistemit politik të Shqipërisë. Ai paska qenë koshient se kishte të paktën 8 vite në dispozicion gjatë qëndrimit në opozitë, për realizimin e strategjisë së vet.

Strategjia e Lulzim Bashës tashmë është e qartë se mbështetej mbi tri kolona kryesore:

E para, do ta shndërronte dalëngadalë PD nga pikëpamja e burimeve njerëzore, nga qendra e në gjithë territorin e vendit nga një parti të vjetër të Sali Berishës, në partinë e re të Lulzim Bashës. Një parti pa personalitete publike, qëndrore apo lokale, pa konkurrentë dhe pa figura që mund t’i bëjnë hije e që mund të venë në dyshim lidershipin absolut të tij në të ardhmen.

E dyta, do krijonte një ekip drejtues në shumicën dërrmuese me njerëz të rinj, pa identitet dhe pa kontribute, por të promovuar prej tij. Një trupë e cila si në Grupin Parlamentar, Kryesi, Këshill Kombëtar dhe në Kongres, në çfarëdo lloj rrethane e çfarëdolloj vendimarrje dhe votimi, Basha të mos ndihej asnjëherë i rrezikuar. Duke i dhënë luksin vetes, përtej zhurmave mediatike, që të punojë më pas i qetë dhe pa presionin që të sjell një strukturë me kontribute të vjetra, me identitet dhe e pabindur.

E treta, për t’i dhënë “legjitimitet” dy kolonave të para, duhej rishkuar libri i rregullave. Kohë të reja, parti e re, njerëz të rinj, huqe, rregulla të reja. Pra, duhej edhe një Statut i ri.

Debati katër orësh që çoi në miratimin e “kushtetutës së re” të PD në mbledhjen e sapo zhvilluar të Këshillit Kombëtar, është ndoshta akti i fundit i një forumi demokratik, i cili legjitimoi udhëheqjen e përjetëshme të Lulzim Bashës. Pas kësaj, ai nuk është i detyruar që të japi dorëheqjen si Kryetar Partie, edhe nëse humbet çdo betejë elektorale që PD do të zhvillojë tani e tutje, nën drejtimin e tij.

Edhe pse askush brenda PD nuk e vuri asnjëherë në diskutim legjitimitetin e Sali Berishës për të qëndruar në krye të saj qoftë edhe përjetësisht, ai as e mori mundimin që ta fiksonte këtë në librin e rregullave të funksionimit të partisë.

Partia Demokratike gjatë jetës së saj ka qëndruar dy herë në opozitë të gjatë. Herën e parë nga 1997 e deri më 2005, kur Kryetar ishte Sali Berisha dhe herën e dytë nga 2013 e deri tani, kur në krye të PD është Lulzim Basha. E nëse i krahason dy qasjet, dy sjelljet, dy stilet dhe dy filozofitë e lidershipit të tyre, aq më shumë bindesh se kanë ndjekur dy rrugë krejt të kundërta nga njëri tjetri, në synimin e njëjtë për ti rikthyer demokratët në pushtet.

Nisur edhe nga mënyra sesi iku nga pushteti në marsin e 1997, Sali Berisha bëri një opozitë epike. Një opozitë qëndrese. Ringjallje si prej Sfinksi nga hiri. Ringjallje të bazuar tek militantët. Ringjallje që u ngjiz çdo ditë e nga pak në rrugë, me protesta, me aksion permanent opozitar dhe në beteja të vërteta politike në Parlament dhe media.

Sa më shumë që i largohej 1997 dhe sa më shumë e kërkonte nëpërmjet një ambicie superbe rikthimin në pushtet, Sali Berisha e kuptoi se aq më shumë i duhej që të demokratizonte sjelljet e tij, strukturat, forumet, qasjen me mediat, opinionin dhe shoqërinë. E mbi të gjitha, aq më shumë duhej ta hapte partinë, duke ofruar të gjithë kontributorët e saj ndër vite, që nga themeluesit, e deri tek armiqtë e tij më të mëdhenj.

Ndërsa opozita e Lulzim Bashës, po ecën në një rrugë krejt të kundërtën me të parën. Duke e bërë PD që t’i ngjajë gjithnjë e më shumë një OJQ-je në mënyrën e funksionimit dhe të të bërit politikë. Por mbi të gjitha, një parti që në vend të bashkimit, po krijon gjithnjë e më shumë rregulla të shkruara me germë dhe një frymë të brendshme me ndarje, armiqësi, përjashtime dhe mbyllje për cilindo që nuk është i rrethit të prurjeve të reja dhe besnikëve të bindur të Kryetarit dhe bërthamës rreth tij.

Këto dhe shumë argumenta të tjera ndoshta, të bëjnë të besosh se përderisa kemi dy PD, me dy kryetarë të ndryshëm, në dy kohë të ndryshme e që ecin në rrugë të kundërta nga njëra tjetra, atëherë edhe fatet e tyre politike do të jenë të kundërta. E logjikisht, derisa mënyra sesi Berisha e udhëhoqi PD e riktheu atë pas 8 vjetësh në pushtet, mënyra e udhëheqjes nga Lulzim Basha, parathotë një qëndrim gjithnjë e më të gjatë në opozitë.

E vetmja gjë që mbetet pas kësaj, është që të perifrazojmë thënin e njohur: PD-ja e Berishës vdiq! Rroftë PD-ja… e Bashës!

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej