Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

PD duhet të ndryshojë ose të shuhet

Nga Media 0

Nga Luljeta Progni

Mbi 60 mijë shqiptarë azilantë në BE gjatë vitit të shkuar, deklaroi ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johan Sattler. Mbi 200 mijë aplikuan për llotarinë amerikane të vitit të kaluar. Mijëra të tjerë kanë kërkuar azil gjatë këtij viti, ndërsa që prej dy ditësh e gjithë Shqipëria është pushtuar nga ethet e aplikimit për llotarinë amerikane të kësaj vjeshte. Janë shifra katastrofike për një vend “demokratik”. Shqipëria renditet krahas vendeve, ku ka luftë e varfëri ekstreme si Siria, Afganistani e të tjera.

Nga Shqipëria sot duan të ikin të gjithë: duan të ikin të rinjtë, të ikin mjekët, inxhinierët, mësuesit e intelektualët e të gjitha fushave. Edhe ata që nuk kanë mundësi të ikin vetë, duan t’ju ikin fëmijët e të afërmit.

Është një vend që po varfërohet përditë dhe jo vetëm ekonomikisht, por mbi të gjitha shpirtërisht e mendërisht. Për fat të keq, në Shqipëri po mbeten më të pamundurit dhe ata që të lidhur me partitë e gjejnë më lehtë “kafshatën” e përditshme.

Shqipëria po bëhet njëkohësisht vend i të nënshtruarve, ku shpejt nuk do të ketë më asnjë zë reagimi ndaj çfardolloj qeverie që do të jetë në krye.

Numri i azilkërkuesve është argument i padiskutueshëm kundër kësaj qeverie, por kjo protestë e heshtur s’ka si të dëgjohet nga ata që nuk dëgjojnë edhe kur ju bërtasin në vesh. Nuk ka nevojë të përmenden treguesit e shumtë të keqqeverisjes, madje as drama e cannabis-it, e plehrave apo e 14 hidrocentraleve mbi Valbonën e bukur. Shifrat katastrofike të braktisjes së Shqipërisë nga qytetarët e saj përmbledhin çdo gjë. Është një dëshmi e qartë se qeverisja aktuale është gati kriminale kundër popullit dhe të ardhmes së tij. Por është edhe një shifër që dëshmon pa as më të voglin dyshim se kemi edhe një opozitë të mbaruar.

Është një situate, kur qeveria tmerron me arrogancë, ndërsa opozita nuk ngjall asnjë shpresë dhe qytetari normal nuk sheh asnjë rrugëdalje tjetër veç mërgimit. Nga “Rilindja” tashmë nuk pritet më asgjë e re, përveç korrupsionit, konçesioneve shkatërruese të vendit në çdo qosh, plehrave, drogës e krimit. Në një vend normal në këtë situatë opozita do të kishte ngritur me lehtësi një alternativë serioze dhe të besueshme. Çfarë duhet pritur më?

Alternativa sot mungon, sepse opozita është e ngjashme me qeverinë, në mos bashkëfajtore. Niveli i opozitarizmit sot në Shqipëri,  është shumë më i ulët edhe se në kohën e monizmit. Thjesht quhen opozitarë, por kanë frikë të flasin kundër qeverisë aty ku duhet folur, më keq se në vitin 1946. Opozita e sotshme përbëhet më së shumti nga njerëzit që lanë kolluqet e pushtetit vetëm pak kohë më parë dhe nuk kanë asnjë mundësi të ofrohen si alternativë përballë kësaj qeverie.  Asnjë besueshmëri, asnjë fuqi, asnjë mundësi nuk do të ketë as PD-ja dhe as Shqipëria, nëse vetë ajo, partia më e madhe opozitare, nuk hapet për njerëzit e mirë dhe të ndershëm të këtij vendi, të cilët nuk duan dhe nuk janë përzier as me plehrat, as me koncesionet, as me cannabis-in, as me korrupsionin e as me krimin; për njerëzit që kanë pasion punën dhe që duan të jetojnë në vendin e tyre me fëmijët e tyre.

Mund të jetë shansi i fundit që i vjen Partisë Demnokratike, pikërisht për shkak të degradimit rrënues të çdo standardi normal të një qeverisje dhe shoqërie normale. Është koha që PD të shembë të vjetrën e saj, të largohet prej saj duke nisur nga ish-lideri Berisha dhe të përqafojë një tjetër qasje. Një filozofi tjetër nga ajo e deritanishmja, një filozofi të së ardhmes që do të sjellë besimin për sot e për nesër, për ata 300 mijë shqiptarë që duan të ikin dhe për fëmijët e tyre.

Ata nuk e gjejnë dot shpresën tek kjo PD që është sot, me ata ish-ministra e ish-deputetë, forca e të cilëve është tek e shkuara dhe ende kërkojnë të mbahen prej saj, PD-ja e vjetër, në gjirin e të cilës lulëzuan dhe u pasuruan. PD-ja e Lulzim Bashës nuk mund të jetë një shartesë mes PD-së së Sali Berishës dhe PS-së së Edi Ramës, mes të cilave Lulzim Basha noton prej tre vitesh.  Opozita sot vuan përditë, vuan për të renë! Dhe idetë e reja nuk mund të vijnë nga cepat “akademikë” ku prodhohen posaçërisht pedagogë për të mbrojtur qeverinë e rradhës dhe sharlatanë elokuentë që këshillojnë kryeopozitarin.

Është koha për një partitë të re demokratike, ku të gjejnë veten ata që po ikin; një parti që u jep hapësirë e zë njerëzve të mirë e të zotë që nuk i kanë ngjitur shkallët e karrierës përmes korridoresh të errëta biznesesh të dyshimta, apo servilosjes ndaj shefave hijerëndë të partive politike.

Nëse PD-ja nuk ndryshon vetë, ajo nuk mund të ndryshojë dot Shqipërinë. Përndryshe, nëse pret rradhën për të marrë pushtetin për t’u sjellë me të njëjtën arrogancë, nuk ka më arsye pse të ekzistojë, nuk ka pse të përpëlitet ende. Për mirë apo për keq ajo e përmbushi misionin që historia i ngarkoi 26 vjet më parë. Tani, ose duhet të bëhet parti e së ardhmes, ose të mbetet vetëm në histori, sikurse u ndodhi simotrave të saj në Europën Lindore, ku të gjitha partitë e para antikomunsite u shuan në pak kohë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej