Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Pastiço ose “rrëmuja” e shtëpisë, kënaqësia e kuzhinës shqiptare

Nga Media 0

Pastiçoja është një nga gatimet më të pëlqyera të shqiptarëve.

Ajo e gjen vendin në tryezat tona të paktën një herë në javë. E mira e pastiços është se mund të bëni krejt lehtë shumë tava dhe të kënaqni të gjithë familjen apo të ftuarit.

Pastiçoja është një kombinim fantastik i makaronave, djathit dhe kremit beshamel.

Shumë receta të pastiços rekomandojnë përdorimin edhe të mishit të grirë si në rastin e lazanjës.

Por e vërteta është se jo të gjitha amvisat kanë kohë ta gatuajnë atë, ndaj djathi është varianti ideal dhe më i shpejtë për ta pasuruar pastiçon.

Fjala pastiço vjen nga Italishtja që përkthehet rrëmujë apo siç thuhet, mishmash.

Secila prej fazave të përgatitjes së pastiços krijon shumë rrëmujë dhe kaos në kuzhinë, madje dhe përzierja e përbërësve është e tillë.

Por pasi ajo të jetë pjekur e të ketë marrë ngjyrën e artë, çdo kokëçarje harrohet shpejt.

Përbërësit:

1 pako makarona të gjata

5 kokrra vezë

1 litër qumësht

Çerek kg djathë

Çerek kg gjalpë ose vaj ulliri

300 gramë djathë kaçkavall, nëse dëshironi

Për kremin beshamel:

2 lugë gjelle me miell

1 lugë gjelle me gjalpë

Të verdhën e një veze

1 gotë qumësht

Përgatitja:

Ziejmë makaronat në një tenxhere me ujë të valuar me pak kripë.

Makaronat nuk duhet të jenë plotësisht të ziera, sepse gatimi i tyre përfundon gjatë pjekjes në furrë.

Heqim tenxheren nga zjarri. Makaronat i hedhim në një kullesë dhe i shpëlajmë me ujë të ftohtë

Në një enë qelqi të madhe hedhim vezët dhe i rrahim bashkë me qumështin.

Shtojmë pak kripë dhe i përziejmë. Shtojmë djathin e bardhë duke e shkërmoqur dhe i përziejmë të gjithë përbërësit mirë. Më pas shtojmë makaronat pasi kanë kulluar plotësisht.

Lyejmë tepsinë me pak gjalpë dhe hedhim makaronat me djathë, vezë e qumësht dhe e lëmë mënjanë.

Nisim përgatitjen e salcës beshamel. Skuqim miellin në gjalpë deri sa të marrë një ngjyrë të artë.

Largojmë tiganin nga zjarri dhe hedhim mbi miellin qumësht deri sa masa të bëhet e njëtrajtshme. Shtojmë të verdhën e vezës. Lëreni masën të marrë një valë deri sa të trashet.

Lyejmë sipërfaqen e pastiços me salcën beshamel.

Grini djathin kaçkavall në rende dhe ia hedhni sipër nëse dëshironi.

Faza e fundit është gjalpi të cilin mund ta shkrini në tigan ose mund ta hidhni sipër pastiços me copa të vogla. Më pas futeni tepsinë në furrë të piqet në 180-200 gradë për 30-40 minuta.

Pastiçoja është e bërë kur e gjithë sipërfaqja ka marrë ngjyrë të artë dhe djathi është shkrirë duke krijuar bulëza.

/AgroWeb/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej