Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Parlamenti si atlasi i Lombrozos

Nga 27.al 0

Nga Ilir Babaramo

Dhimitër Anagnosti është pa dyshim kineasti më i madh shqiptar. Mes dhjetëra episodeve të filmave të tij, që kanë ngelur në kujtesën tonë kolektive, është dhe batuta: “… e shikoni pra që krisma nuk ka patur. Gjithë aparati represiv i pushtuesve përpiqej të paraqiste si vdekje aksidentale vrasjen e një jetimi. Vetëm dikush guxoi të belbezojë : dëgjuam krisma. Paniku i verbër kaploi kuestorin. Pasi shkundi nga leckat gjithë jetimët e uritur ngriti zërin e deklamoi frazën cinike. Pas ngjarjes së Fushë Krujës gjithë shoqëria shqiptare ngjason me jetimët e “Lulëkuqet mbi mure”. Kështu të topitur janë të gjithë; qytetarët, media e shoqëria civile.
Skandali si reaguan gjithë institucionet shqiptare, të cilat pasi nuk arritën ta fshehin dot marrjen peng, përdhunimin, rrahjen barbare deri dhe shuarjen e cigareve në trupin e një jetimeje nga djali i një deputeti të partisë në pushtet po përpiqen ta relativizojnë. Po përpiqen ta minimizojnë dëmët duke vepruar si xhenjerët që vendosin një dordolec mbi një minë të aktivizuar për të shpëtuar nga rrezja goditëse gjithë të tjerët që ia mbathin me vrap. Rasti më i fundit është klasifikimi që i ka bërë ngjarjes prokurorja e çështjes. Pavarësisht se që ditën e parë ka në dosje një raport mjeko-ligjor dhe fotot që dëshmojnë dhunën barbare në trupin e gocës, prokuroria e klasifikon veprën si “përndjekje”. A thua se djali i deputetit ka shkelur kodin rrugor dhe jo atë penal. Dhe prokurorisë ju deshën plot dhjetë javë, plot dhjetë javë për të kërkuar masën kundër tij, pasi skandali tashmë kishte plasur dhe gjithë opinioni publik kërkonte shpegime. S’do shumë mend që një të shtyrë në përcjelljen cinike nga komisariati në komisiariat vajzës për ditë me radhë ia ka dhënë dhe prokuroria.
Gjëja më e mirë që duhët të bëjë shoqëria dhe politika shqiptare është ta lërë gocën nga Fushë Kruja të kurojë plagët e trupit dhe shpirtit në heshtje. Ajo që për të cilën duhet të vëmë këmbanat e alarmit janë rrethanat e këtij krimi shtetëror. Përse u deshën dhjetë javë dhe jo dhjetë orë për të kërkuar arrestimin e një pinjolli par excellence të Rilindjes? Çfarë ndodhi në këto dhjetë javë duhet të jetë shqetësimi ynë i vetëm. Askush me dy pare mend në kokë dhe pak cipë në faqe nuk mund të mendojë se gjithë zyrtarët që u përfshinë në hetimin e kësaj çështje nuk u përpoqën ta mbyllin këtë krim si një histori pasioni mes dy të rinjsh.
Ka një zell të paparë për ta diabolizuar nënkomisarin që denoncoi skandalin. E megjithatë le ta marrim të mirëqenë se ai është një pazarxhi që kërkoi favore nga familja e deputetit, që nuk i shpëton vetting-ut, për shkak të vëllait si pjesëtar i një bande se denoncimin e bëri për të fituar strehim politik në Zvicër, por a e fshehin të gjitha këto akuza krimin. Një fushatë e jashtëzakonshme e ngjashme me politikën sovjetike “ad hominem” ende nuk po ia del dot të dominojë opinionin publik për ta futur atë në kurthin se kush e thotë dhe jo çfarë thotë. Kaq vetëvrasëse është kjo propagandë sa zyrtarët e policisë deklaruan se sot vajza është marrë në mbrojtje. Po deri sot, po plot dhjetë javë përse vajza është lënë në mëshirë të fatit, mund të pyesë dhe më naivi në botë.
Le të mos merremi me vajzën, por me djalin e deputetit. Portreti i të atit të tij na bën të kuptojmë gjithë ngrehinën e pushtetit që po na qeveris prej pesë vjetësh, Rilindjen. Besoj e keni parë tashmë në të gjitha telezionet ndonëse emrin kurrë nuk ia kishim dëgjuar më parë. E patë se fjalori i tij nuk i kalonte 30 fjalë. Mbi të gjitha e patë se dëshmia e tij për ngjarjen ishte si atyre dëshmitarëve mbrojtës në gjyqet e Palermos së viteve ’70. E patë që nuk kishte pikë brerje ndërgjegjie që kishte një bir të tillë. Dhe mbi të gjitha e patë që nuk kërkoi ndjesë viktimës në emër të familjes .
A ju ka bërë përshtypje se asnjë nga deputetët e partisë në pushtet nuk ka dalë publikisht të tregojë një minimum përbuzje për Rrahmanin? Kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve? Përgjigjia e kësaj pyetjeje duhet të na bëjë të kuptojmë se cfarë ka ndodhur. Ka shumë vetë në grupin e PS që e përbuzin por këtë nuk mund ta bëjnë publikisht. Sepse, janë në sallë me votat e rrahmavëve. Për disa zgjedhje rresht Edi Rama ka ngritur një strukturë elektorale perfide gati-gati kriminale. Territorin e ka ndarë duke vendosur në krye të çdo ngastre një rrahman. Madje dhe aty ku ka vendosur në krye të listës së deputetëve ndonjë zonjë të hirshme gjithësesi i ka bashkëngjitur një rrahman. Detyra e tyre është e qartë. Të blejnë votat dhe të intimidojnë këdo që është kundër. Pikërisht për këtë arsye parlamenti i sotëm dhe ai i kaluar ngjasojnë me atlasin e Lombrozos. Një shekull e ca më parë, kriminologu i famshëm italian përpiloi atlasin e tij. Thelbi është që në bazë të portretit mund të përcaktohet lloji i krimit. Eshtë një lloj Tabele Mendelejevi i krimit. Thuajse të tillë janë dhe dy parlamentet e fundit. Shikoni kokat me qoshe të shumë prej tyre për të zbuluar se kush është përdhunes, kush xhepist, cili proksenet e kështu me rradhë.
Parlamenti i viteve ’92-’96 duket si një ëndërr. Nëse gjysma e tyre ishin me PHD nga universitetet më të famshme të Evropës, ndonëse Shqipëria kishte çuar jashtë vetëm një grusht studentësh për 45 vjet rresht, për parlamentin e sotëm duhet përdorur tjetër kriter. Mjafton që Taulant Balla në fillim të mbledhjes së grupit të pyesë: Kush shkrimtar e ka shkruar “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”?

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej