Ka than' i moçmi: 

“ Hani, vidhni, hiç mos mbeten, mbretër sa të hani veten...”
                                                                                        -Petro Marko

Parashikimi i ndërtuesve dhe imobiliarëve: A do rriten çmimet e apartamenteve në 2018-n?!

Nga Klodiana 0

Ndërtuesit dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme kanë pritshmëri të ndryshme lidhur me ecurinë e çmimeve të apartamenteve gjatë këtij viti. Hajredin Fratari, ndërtues, tha se çmimet do të jenë në rritje. Ai tha se arsyeja kryesore për rritjen e sektorit të ndërtimit rezidencial është kërkesa dhe planet urbanistike të Bashkisë. Fratari pohon se kërkesa për banesa me kosto të lirë dhe mesatare në periferi do të jetë në rritje të qëndrueshme edhe për këtë vit, duke shtuar se ka një trend rritës për banesa që kalojnë edhe të 900 eurot. Sipas tij, çmimet pritet të rriten më tej për 2018 me rreth 100 euro për metër katror. Fratari tha se të gjitha objektet që do të ndërtohen më 2018 do të paguajnë taksë infrastrukture 8% në bazë të vlerës së shitjes së tyre.

Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, parashikon se çmimet do të jenë në varësi të ndërtimit, çka nënkupton vendin dhe cilësinë e objektit. Ai tha se në qendër dhe brenda zonës së Unazës së Madhe, çmimet do të jenë në rritje, ndërsa në periferi pritet të ketë ulje.
Ndryshe nga ndërtuesit, këtë vit agjencitë e pasurive të paluajtshme parashikojnë stabilitet. Në 2018-n do të aplikohet edhe taksa mbi pronën, e cila ndryshon në objektet për banim dhe ato për biznes. Sipas aktorëve të tregut, kjo taksë e re nuk do të transferohet në çmim, por të mbahet nga pronarët.

Vitin e kaluar, çmimet e apartamenteve u rritën në muajt e parë të vitit me rreth 10% në zonën brenda unazës, duke reflektuar kërkesën e shtuar, teksa u rrit dukshëm blerja e apartamenteve në cash. Në gjysmën e dytë tregu u stabilizua, pas shtimit të ofertës si rrjedhojë e rigjallërimit të ndërtimeve, duke shënuar rënie të lehtë në zonën e qendrës. Por, në periferi apartamentet u shtrenjtuan me 50-100 euro për metër katror, duke arritur në 450-600 euro për metër katror si rrjedhojë e rritjes së kostos së ndërtimeve.

Në zonën përreth unazës, çmimet luhaten nga 800-900 euro, deri në rreth 3000 euro, afër TVSH-së, që është dhe zona më e shtrenjtë në kryeqytet.

Tregu pozitiv

Viti që lamë pas ishte pozitiv për sa i përket tregut të pasurive të paluajtshme, ku peshën kryesore e mbajtën segmentet e shitblerjes dhe qiraja. Ecuria pozitive gjatë 2017-s konfirmohet si nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe prej ndërtuesve që operojnë në këtë sektor.
Zhbllokimi i lejeve të ndërtimit në kryeqytet rriti ofertën cilësore në zonë e Tiranës historike (njësitë administrative pranë qendrës). Në fillim të vitit që lamë pas çmimet u rritën në zona të caktuara të kryeqytetit.

Sokol Kika, ndërtues i Kika Construction, thotë se aktualisht ka shumë lëvizje të familjeve, zgjerim, të rinj që kërkojnë shtëpinë e parë. Ka hyrë koncepti perëndimor i shtëpisë së parë dhe të dytë, ku në të dytën investohet edhe më shumë. Më parë të rinjtë merrnin një apartament të vogël, tani kërkojnë zgjerim pasi janë bërë me fëmijë. “Unë shikoj një nivel dinamik të kërkesës gjatë 2018-s”, pohon ai.
Për sa i përket segmentit të pasurive të paluajtshme në bregdet, agjencitë i shikojnë kërkesat minimaliste, ndërsa ndërtuesit si një segment të tregut me risk të lartë.

Pritshmëritë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë pozitive për agjencitë imobiliare. Ndërsa ndërtuesit shikojnë me rrezik ndërtimin e kullave, për shkak të vështirësive që ka puna në qendër të Tiranës, rrezikun e firmave të reja të ndërtimit që kanë likuiditete të mjaftueshme, por nuk kanë përvojë, si dhe të firmave të vjetra të cilat do të hyjnë të punojnë në treg me mendësitë e vjetra. Për sa u përket kostove të ndërtimit, ato shihen të qëndrueshme dhe pa ndryshime të mëdha në 2018-n.

Flet inxhiniere Xheni Jahja, nga agjencia Tirana Real Estate

Ndërtimet e reja po shikohen si investime për rihedhje në tregun e qirasë

Mbyllja e 2017-s ka qenë shumë pozitive në aspektin imobilar, krahasuar me fundin e 2016-s. Bizneset janë pozitivë dhe aktivë, kërkojnë ndryshim ambienti. Kërkojnë zgjerim për të rritur numrin e të punësuarve, në aspektin favorizues të biznesit.
Çmimet në 2017-n kanë lëvizur shumë pak, kanë luhatje të vogla. Por janë të kompensuar sipas zonave të ndryshme. Gjatë 2017-s janë sistemuar edhe ata që kanë dashur zgjerim, me një çmim ekonomik, por edhe ata që kanë kërkuar sipërfaqe më të vogla por në zona më strategjike.

Në 2018-n pritet ligji i ri për taksën mbi pronën, mendimi im personal është që nuk do të ndikojë në çmim. Nëse taksa do të reflektohet diku për përmirësim infrastrukture dhe hapësirave të përbashkëta do të ishte diçka shumë pozitive për tregun e pasurive të paluajtshme.
Mbyllja e call center ka rritur sipërfaqet e ambienteve të lira, të cilat çmimin e kanë më të lartë se sa kërkohet në treg. Gjithsesi është një fenomen që e rregullon vetë tregu, kur e mban bosh për një kohë, pronari preferon që ta ulë.
Lidhur me tregun e apartamenteve shpresojmë që kërkesa për blerje të jetë si në 2017-n, sepse ka pasur shumë lëvizje, veçanërisht në shitje, por edhe në qira. Ecuria ka qenë pozitive. Blerësit kanë synuar çmime ekonomike. Shtresa e mesme ka dashur të stabilizohet. Por ka edhe klientë që kërkojnë të bëjnë blerje të dyta dhe të treta.

Për sa i përket bregdetit ka ofertë por kërkesat janë minimaliste. Ndërtimet e reja janë bërë me materiale cilësore. Kanë ardhur me planimetri të rregullta, ndryshe nga më parë, dhe vijnë në bashkëpunim me bankat për të marrë kredi. Gjithashtu kanë çmime interesante. Po bëhen ndërtime në zona jo shumë afër qendrës, por kanë çmime të favorshme. Ndërtimet e reja i shohin shumë për rihedhje në treg për qira. Mbi 50% e tyre janë për tregun e qirasë. Është një investim shumë i mirë, sepse ndodhet në një rreze shumë të ngushtë me investimet e reja që janë bërë. Çmimi i qirasë për ndërtimet e para dhjetë viteve do të ketë rishikime, kuptohet jo në zonat si Blloku.
Edhe komplekset në anën lindore të Tiranës po marrin zhvillim dhe do të ketë kërkesë.

Flet Evis Çeliku, Menaxher Operacional për Real Estate, MANE TCI

Presim gjallërim të tregut në vitin 2018

Viti që lamë pas pati një rigjallërim në sektorin e ndërtimit, sa i përket banesave. Si pritet të vijojë ecuria këtë vit?

Këtë vit pritet të ketë gjallërim të kërkesës së individëve për investim dhe suport nga sistemi bankar për kreditim

INSTAT raportoi në dhjetor rritje të çmimeve të lëndëve të para për ndërtim. A pritet të reflektohet në çmim?

Çmimi sigurisht që i konsideron elementet e kostos, por tenton të ruajë stabilitet në treg gjatë një periudhe afatmesme dhe t’i përshtatet kërkesës për produkt, i cili është indikatori kryesor në çmimet për real estate.

Çfarë veçoni si problematikë tregu?

Si problematikë të tregut vlerësojmë informalitetin dhe kreditimin në ekonomi, për më shumë edhe të të huajve që do donin të investonin në Shqipëri.

Cilat janë planet tuaja për investim në 2018?

Për vitin 2018 ne do të vazhdojmë investimet në turizëm dhe në zhvillimin e projekteve të godinave rezidenciale.

mhttp://www.monitor.al/parashikimi-ndertuesve-dhe-imobiliareve-rriten-cmimet-e-apartamenteve-ne-2018-n/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej