Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Paradoksi, konsumi rritet ndjeshëm në T II, por ngec paraja në qarkullim!

Nga Skenderi 0

Konsumi ka shënuar rritje të ndjeshme prej 3.93%, me bazë vjetore, në tremujorin e dytë të vitit, sipas të dhënave të INSTAT në publikimin për prodhimin e brendshëm bruto të së njëjtës periudhë. Ky është zgjerimi më i fortë që prej tremujorit të katërt 2014 dhe larg prej rritjes anemike në tre tremujorët e kaluar, apo rënies së gjashtëmujorit të parë (shih grafikun e parë).

Sipas INSTAT, konsumi final i popullatës u zgjerua me 4.32% në tremujorin e dytë, nga -2.15% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 2.23% në janar-mars 2016. Në përmirësim ka qenë dhe konsumi final i administratës publike, me rritje 1.59%.

Por, ndërsa të dhënat e konsumit janë shpresëdhënëse, një tjetër tregues, ai i rritjes së ofertës së parasë në ekonomi po shënon ngadalësim të ndjeshëm, duke pasur një lidhje të zhdrejtë me konsumin, kur praktikisht duhet të ishte e kundërta (kur njerëzit konsumojnë më shumë duhet të shtohet dhe paraja që qarkullon në ekonomi).

Në korrik, paraja që qarkullon në ekonomi (oferta e parasë) ka shënuar rritjen më të ulët vjetore të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, agregati M3 (paraja në qarkullim përfshirë depozitat) u rrit me 15 miliardë lekë në korrik 2016, në raport me korrikun 2015, nga 39 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe më i ulëti historik që kur raportohen të dhënat (shiko grafikun e dytë).

Sipas teorive makroekonomike standarde, një rritje në ofertën e parasë duhet të ulë normat e interesit në ekonomi, duke çuar në më shumë konsum dhe huadhënie, ndërsa është e vërtetë dhe e anasjellta (një ngadalësim i ofertës së parasë ndikon negativisht në konsum dhe huadhënie).

Por, si shpjegohet që, ndonëse rritja e ofertës së parasë është ngadalësuar ndjeshëm, konsumi po zgjerohet fort?! Sipas ekspertëve, shpjegimi më i mundshëm është që rritja zyrtare e konsumit, më shumë sesa shtimin real të blerjeve, reflekton formalizimin e ekonomisë, teksa dyqanet e vogla, që zënë rreth 90% të tregut të pakicës, kanë raportuar xhiro më të lartë (edhe rritja e indeksit të tregtisë me pakicë në tremujorët e fundit është udhëhequr pikërisht nga dyqanet e paspecializuara).

Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. P.sh., paraja gjithsej po rritej me shpejtësi në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, me përjashtim të Japonisë, derisa arriti kriza e 2008-s. Që prej asaj kohe rritja është ngadalësuar ndjeshëm dhe tendenca është ende tkurrëse në pjesën më të madhe të vendeve të pasura. Një rritje në ofertën e parasë, në mënyrë tipike, normat e interesit, që nga ana e tyre gjenerojnë më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet. Bizneset përgjigjen duke porositur më shumë lëndë të parë dhe duke rritur prodhimin. Rritja e aktivitetit të biznesit shton kërkesën për punë. E kundërta mund të ndodhë në rast se oferta për para bie, ose ritmet e rritjes së saj ngadalësohen.

Pavarësisht rritjes zyrtare të konsumit, treguesit e tjerë mbështetës nuk e reflektojnë këtë trend. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit, e stimuluar nga Banka e Shqipërisë që ka reduktuar ndjeshëm normën bazë vitet e fundit, në 1.25% aktualisht, nuk po ndihmon paranë të lëvizë në ekonomi. Kredia për bizneset dhe individët dy vitet e fundit ka shënuar ritme negative rritjeje, me -2% në 2015-n dhe në korrik 2016 rritja me bazë vjetore ishte zero.

Të tjerë tregues mbështesin ekonominë e ndrydhur si rënia e eksporteve me gati 7% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2016; performanca e dobët e depozitave; ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat,  nga rritje dyshifrore në muajt e parë në më pak se 10% për 7 mujorin, teksa në korrik të hyrat nga TVSH (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), ranë me 0.5%.

Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’i dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.

grafiku grafiku11

/monitor.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej