Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Orët kanë mbetur qysh ditën që unë vdiqa- Cikël poetik nga Sokol Olldashi (17 dhjetor 1972-20 nëntor 2013)

Nga Klodiana 0

(nga vëllimi poetik TEATRI I HIJEVE)

TË DIELËN

Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dalë dielli ende në ndajnatë,
S’do ta zgjoj rojen syfjetur,
Qetësisht do ta mbyll portën prapë.

Do të eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash që të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do gjej të ngul kryqin,
Në dheun nga shirat bërë llohë.

Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiririn të ndez,
E paketën në plis do ta fsheh,
Që ta pi pasi të vdes.

E do të ik…

TË PAKTËN TI

Mos më mundo më kot, nënë!
Mos më fol
Për pranverë,
Lule,
Qiej të kaltër,
Zogj,
Mirësi!
Mos më gënje, të lutem,
As për Mujër, Halilër,
Që kasaphanën ta ndërrojnë me kasaphanë,
Për ëngjëj çengelë,
Ku varur rrinë kombet,
Si lopë të rrjepura, me miza ndër zorrë!

Mos më gënje, zemër!
Të paktën ti …


U JAP NJERËZVE SHANSIN E FUNDIT

Larg do të iki.
Larg kohës,
Larg tingullit,
Larg dritës,
Larg jetës.
Në inekzistencën
E çastit,
Qetësisë,
Errësirës,
Në abstraksionin e humbjes,
Për të mos kuptuar asgjë
Nga ligësia juaj naive,
Nga hipokrizia e lindur.
Më pas do të kthehem,
E
Në qofshi
Siç jeni,
Rishtaz do të shkoj
Për të mos u kthyer kurrë më.

ORËT KANË MBETUR

Orët kanë mbetur qysh ditën që unë vdiqa.
Hija e lavjerrësit,
Prej shekujsh e palëvizshme,
Shtrihet mbi kalendarin,
Prej ku fletët gjith’ janë grisur.
Ka mbetur
Veç kartoni i bardhë i zhgënjimit.
I bardhë
Si çarçafët e një krevati të rrëmujshëm,
Të palëvizur që nga dita
E Dashurisë.

Orët kanë mbetur,
Që kur s’je më ti.

ttps://ttps://www.voal.ch/oret-kane-mbetur-qysh-diten-qe-une-vdiqa-cikel-poetik-nga-sokol-olldashi-17-dhjetor-1972-20-nentor-2013/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej