Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Nuk është adhurim për ushtarakët, por për “postin e gjeneralit”

Nga Media 0

Nga Mero Baze

Të përpiqesh të gjesh arsye politike apo administrative pse Edi Rama ka zgjedhur 12 ushtarakë për prefektë të Shqipërisë, është një mision i dështuar. Vendimi në tërësinë e vet duket se ilustron më shumë metodikën dhe mesazhet që kërkon të japë kryeministri, kur merr vendime të tilla, se sa ndonjë sfidë që kërkon formim ushtarak në administrim.

Është pak a shumë si shumë individë të tjerë, që kur nisen të bëjnë diçka, nuk e kanë mendjen tek përmbajtja, por tek zhurma. Përshembull, kur Berisha shpik një lajm, nuk e ka fare mendjen tek përmbajtja. Thotë disa herë me mendje si do të jetë titulli i atij lajmi nëpër gazeta, e përsërit me zë të lartë, dhe pastaj sajon dhe lajmin. Ose kur Fevziu do të shkruajë një libër, në fillim bën ftesën, përcakton hotelin, listën e të ftuarve, lajmet që do bëhen për të, dhe pastaj bën dhe librin.

Edhe Edi Rama kur është ulur të mendojë se duhet të marrë një vendim për zëvendësimin e prefektëve, ka menduar në fillim lajmin. Një prefekt i mirë mund të jetë oficer, inxhinier, ekonomist, jurist, agronom e gjithçka tjetër. Thjesht duhet te ketë aftësi intelektuale dhe menaxhuese. Përfytyrimin e prefektit si oficer, ta jep vetëm imazhi i “Xhandarit të Zogut”, dhe ai si i deleguar i prefektit. Pra Rama thjesht ka zgjedhur të bëjë lajm me ushtarakët. Ka vendosur të bëjë 12 prefektë nga radhët e ushtarakëve, për të vënë fokusin tek dispilina dhe për të prodhuar lajme pikërisht me ngjyrat e uniformës së ushtrisë.

I ka llogaritur të gjitha. Ka llogaritur t’i thonë “që po bën ushtri”, që “po vendos juntën”, që “po kthen enveristët”, por mbi të gjitha, ka llogaritur që njerëzit e partisë të mos plotësojnë kriteret për të qenë prefekt. Jargavitjet e fitimtarëve e shqetësojnë.

I duheshin “oficerë”.

Jo se gjithë njerëzit e disiplinuar janë oficerë, por se thuajse gjithë oficerët, janë njerëz të disiplinuar. Dhe ajo që kryeministri kërkon të delegojë në 12 qarqe, është dispilina.

Disa objektiva i ka përmbushur me këtë që ka bërë. Fillimisht ka arritur t’i hedhë medies si lodër, siç i hidhet maces një top leshi  në putra, për t’u marë me këtë çështje, me shpresë se do të kuptojë pse zgjodhi oficerë.

Nga ana tjetër, ka mundur të krijojë “një ushtri të tij” brenda pushtetit, që nuk kanë shumë interferenca me partiakët të cilët e konsiderojnë si meritë të tyre një post të tillë.

Shpjegime të tjera mos kërkoni. Ai është duke vizatuar portretin e qeverisë së re dhe i duhej ngjyra kaki tek pjesa e prefektëve.

Mos kërkoni as të fyeni oficerët, pasi ata nuk kanë faj që i ka përzgjedhur për shkak të profesionit, dhe jo për shkak të aftësive të secilit. Është një diskriminim pozitiv që i bën figurës së oficerit, një përzgjedhje që synon të fokusohet tek një komunitet dhe jo tek një individualitet. Ata mund të jenë të 12 të aftë dhe mund të jenë prefektët më të mirë që mund të kemi, por kjo s’ka lidhje me kriteret që u përzgjodhën. Kjo mund të ketë lidhje me aftësitë e tyre personale, që nuk i ka hetuar askush, përveç ngjyrës së uniformës.

Për më tepër që historiku i ushtrisë nuk është aspak i lavdishëm. Zogu e shkriu se e kishte frikë, dhe mbajti xhandarë. Hoxha e stërzmadhoi t’i nxirrte vetes frikën nga NATO dhe “Traktati i Varshavës”, por nuk e vuri në provë asnjëherë. Tani e kemi aq modeste, sa e përdorim për pastrim kombëtar të rrugëve, ose si kompani ndihmëse në misionet ndërkombëtare të NATO-s. Pjesën tjetër që ka mbetur pa punë, Rama po e trajton si të përshtatshme për “xhandarë”.

Dhe kur them këtë, nuk them se Edi Rama ndonjë ditë të jetës së tij është ndriçuar dhe ka një vizion të ri  për ushtarakët. Do t’i ketë përbuzur gjatë në jetën e tij të shthurur, kur i ngjanin si njerëz të bindur. Zor të besosh se Edi Rama tani ka adhurim për ushtarakët. Atij thjesht i pëlqen të shfaqet si gjeneral!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej