Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Nji vizitë ndêr vorre…

Nga Media 0

Nga Ilir Seci

Ne që jetojmë jashtë Shqipnie sa herë që kthehemi në vendlindje mbasi çmallemi me të gjallët, shkojmë me u çmallë edhe me të vdekunit. Gjithëherë ndalim te vorrezat me vu nji tufë lule te vorret e të afërmëve që nuk janë ma fizikisht me ne… Ngjan e habitshme me e thanë, por njeriu lidhet ma shumë me një vend, kur ka vorret e të afërmëve aty…, prore e kam imagjinue me mendjen teme se vorret janë sikur rranjët e pemës që shtrihen nën dhe… Njeri i takon plotësisht nji vendi, kur aty ka vorre të afërmëve dhe kur i kanë lindë fëmijë aty, pse ka edhe rranjët, por ka qitë edhe sythet. Të paktën për mue, njeri kurrkund nuk e ndien brengën e ikjes larg, ma shumë se e ndien, kur viziton vorret e të afërmëve, të parëve e të mbramëve… E ndjen atë brengë te vorret, pse të vdekunit janë besnikë, ata kanë me kenë përherë aty, nuk kanë ndërmend me ikë kurrë, janë të prajshëm, nuk ankohen si të gjallët:

– “Ky vend s’bahet ma!”;

– “Pshtuet ju që iket!”;

Aty ka vetëm heshtje, ka vetëm keqardhje për të thana e të pathana që na kanë mbetë nakël në shpirt, pse u thanë, e pse nuk u thanë! Me nji ndjesi të pashmangshme faji njeri vën lulet te vorri e rri e reflekton me veti… Nuk flet kurrkush, e ajo heshtje asht ma shprehëse se mijëra fjalë marrun së bashku!

– “Eeeeeeh!” – fshan njeri…

Tjetri në vorr hesht e të duket sikur asht idhnue, pse nuk i pate shkue në vorrim…

– “Nuk mujta me marrë leje në punë bre…kurrsesi!” – ende shfajësohesh ti, por ftoftësia e mermerit të pllakës, sikur të sfidon tue thanë:

– “Po, po, justifikime…”

E taná kjo asht thjeshtë në mendjen tande, krejt asht ai kompleksi i fajit që ndjen njeri, ma së pari për ikjen jashtë vendit, mbrapan për pamundësinë me ardhë e me ja ba nderimet e fundit njerit tand…

Rri aty pa llogaritë kohen pse je kredhun në kujtime, në mend e sjell mbrapa kohën e shkueme si me kenë filmim videoje…

– “Zotni a ke nevojë me të ndihmue gja?” – ndjen nji za nga ana tjetër… Asht nji nga rojet e varrezës që afrohet qëllimisht, sepse e ka pa që je prej lerg, jashtë vendit e doemos ke me i falë ndonjë lek për birra… Ne që vijmë nga lerg na njohin, pse rrimë gjatë në vorre dhe vizitojmë jo nji, por disa vorre në një vizitë… Roja e di ketë gja dhe ban sikur do me të ndihmue, pse do me nisë kuvend e me marrë ndonjë lek… dhe emigrantat janë ma dorëlëshuem…

Mue në fakt më vjen mirë që roja avitet, pse kisha kureshti të madhe me e dvetë për do vorre që kisha pa kur eca nëpër parcelat e vorrezës…I fus në dorë do lekë dhe e pyes:

– “Pashë besën pse janë të rrethueme me kangjella do vorre që pashë te parcela ngjitë!?”

– “Eeeh po habitesh?” – më thotë Roja, – “I rrethojnë se ka njerëz që shkojnë dhe ua thejnë vorret! Ma përpara edhe ua kanë hedhë në erë vorret me dinamit disave që janë vra për gjaqe ose që kanë ba krime! Nuk kanë të ngimë në ta as për së vdekuni!”…

Mbeta…

Çfarë dozë urrejtje!

Dozë urrejtje qe ndjek të vdekunin edhe në vorr…

O njerëz!

Bani çka bani ai njeri, por ka vdekë! Kapitulli i tij asht mbylle përjetë! Apo jo!?

E pra, dikend e bren kaq shumë urrejtja sa shkon e vendos minë në vorrin e hasmit… Ose ja thyen pllakat tue dhunue vorrin! Kaq e pamatë me qenë urrejtja!?

Tue e mendue atë gja, nuk më vjen edhe aq keq për të vdekunin dhe vorrin e tij të dhunuem, sesa më vjen keq për të gjallin që urren kaq shumë! Pse kaq shumë urrejtje në shpirtnat e shqiptarëve!? Pse tanë kjo urrejtje e vjerrun në shpirtnat e njerëzve bash si virren lakuriqët e natës në guvat e nantokës?! Ku asht mëshira, keqardhja, njerëzorja, falja! Në ato guva shpirtnash a nuk hyn asnji rreze drite…athue vetëm lakuriqë urrejtje rrinë vjerrë përhera!?

Pse more njerëz?!

Pse e ngujoni veten në urrejtje!?

Këto pyetje i rreshtoja në mendjen teme duke kqyrë ato vorre qarkue me kangjella për me mbrojte të vdekunin nga të gjallët…

Kangjella në vorre e kangjella ndër shpirtna…

O njerëz! Keni vetëm nji jetë dhe mos e qarkoni atë me kangjella urrejtje, se keni me mbetë rob mbrenda atyne kangjellave përjetë, pa u gjetë kurrë çelës me ua hapë! Nji jetë keni! Në plot qytete tonat vorrezat kanë qëllue me kenë krejt afër materniteteve, si asht në Shkodër për shembull… Asht e njajta rrugë, kajherë bahet tanë shend me vargan makinash që shëndojnë me pru në qytet të porsalemin, kërthinë e dashtun, e kajherë nji tjetër vargan makinash përshkon udhën përmotshëm, tanë idhnim e pezm, pse kanë me i dhanë lamtumiren e fundit njerit të dashtun… E njajta rrugë asht!

– “Zotni a ndez!?” – me dvete Roja duke ma zgjatë qesen e duhanit…

– “Duhani të shkurton jetën!” – i thom me e ngacmue, – “Ti të paktën e din se çka të pret… Pse e pin atëhere!?”

– “Me vdekë kena!” – thotë Roja, – “Unë kollaj kam me e pasë zotni, sepse gjysën e jetës në vorre e kaloj gjjthsesi!”…

Ai ban humor, por unë s’mundem me qeshë se mendja më ka mbetë te kangjellat e urrejtjes… Pse me qenë kështu na!? Çka asht kjo humnerë e zezë urrejtje që na ka përthithë kështu!? Urrejtje për të gjallë e për të vdekun…

– “Me ushqye urrejtje në shpirt, asht njisoj si me pi vetë helmin dhe me shpresue se ka me vdekë tjetri që ti urren!” – thotë nji nga mësimet budiste… E ky mësim budist asht dalë për me ndalë urrejtjen ndaj të gjallit, pse ajo urrejtje mundet me ta helmue jetën…

Po për urrejtjen ndaj të vdekunve!? …

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej