Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Nji hap cilësor drejt zgjidhjes së “problemit çam”

Nga Media 0

Nga Sami Rrepishti
Në fund të shtatorit të kaluem, Komisioneri i Bashkimit Europian për problemet e zgjanimit të BE-së, Johannes Hahn, diplomat austriak, tue folë para Parlamentit Europian, në Strasburg, Francë, në frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe në përgjigje të nji pyetje nga eurodeputetja greke, Maria Spirakis, për nji opinion në lidhje me “problemin çam” theksoi “problemin e pakicës shqiptare në Greqi”, publikisht i njohun me emnin Çamëria, dhe për herë të parë e vuni ate në tryezën e diplomacisë europiane, në kërkesë të nji zgjidhje europiane.
Ai kërkoi të zgjidhet mes Shqipërisë dhe Greqisë me marrëveshje të përbashkët dhe në mënyrë paqësore. “Marrëdhanjet diplomatike të dy vendeve”, tha ai, “janë intensifikue, gjithashtu edhe dialogu politik ashtë formësue ma mirë. Komisioni mirëpriti faktin se të dy vendet po diskutojnë krijimin e nji mekanizmi të përbashkët që do të mblidhet në mënyrë periodike, për zgjidhjen e çeshtjeve të pazgjidhuna dypalëshe. Këtu përfshihen përcaktimi i shelfit kontinental dhe zonave detare shqiptaro-greke, të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve, dhe çeshtjen çame (theksi i im.SR) Komisioni ka përgëzue këto përpjekje, tue shprehë mirënjohjen për ripërtrimjen e nji angazhimi të tillë të randësishëm diplomatik dypalësh,” deklaroi Komisioneri J.Hahn.
“Problemi çam” ashtë i dhimbshëm dhe i vështirë, njikohësisht! Për shqiptarët, çamët janë bashkësi kombëtare dhe fetare në minoritet, që përjetoi gjenocide para dhe mbas dy luftëve botënore. Për grekët ashtë nji “problem që nuk ekziston”. Hendeku në mes të këtyne dy qendrimeve të fiksueme nga kambëngulja dhe koha e gjatë (1878-1945) nuk mund të mbushet me nji herë, dhe plotësisht.
Ai kërkon kohë, punë serioze, dhe objektivitet. Kinezët kanë nji proverb: “nji udhëtim 10.000 km i gjatë fillon me nji hap!” Deklarata e Komisionerit J.Hahn përban, në mendimin tim, këte hap të parë. Unë e mirëpres, dhe njikohësisht pres që hapa të tjerë drejt zgjidhjes fatlume dhe të përherëshme të problemit çam të merren sa ma parë, dhe me kujdesin ma të madh. Komisioneri J.Hahn theksoi edhe faktin se Shqipëria e Greqia duhet të zgjidhin edhe problemin çam që duhet diskutue në mes të dy palëve, dhe se Bashkimi Europian do të mbështet këte dialog. Nuk kuptohet heshtja e Komisionerit J.Hahn për pozitën e afër 700.000 emigrantëve shqiptarë sot në Greqi, nji masë e largueme nga nji Shqipëri e traumatizueme dhe e paaftë me punësue këto të mjerë të detyruem me u arratisë në Greqi, ku mirëpritja ka qenë e vakët dhe kalimi i vështirësive fillestare ka mungue!
Reagimi shqiptar ka qenë pozitiv dhe ka ushqye shpresën se “plaga e hapun çame” ka marrë rrugën e mbar të sherimit. Megjithëse diplomacia në aksion ashtë shumë e ngadaltë, ajo zakonisht triumfon në zgjidhjen e konflikteve të ngatërrueme. Fatkeqsisht, nga ana greke qendrimi ka qenë negativ dhe kufizohet me nji anmiqsi të hapët… Ministria e Jashtëme greke e quejti deklaratën e Komisionerit J.Hahn “… e pavërtetë dhe e papranueshme. Siç dihet, shton ajo, çeshtja çame nuk ekziston dhe si e tillë kurrë nuk ashtë pranue si objekt negocimi midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë…”. Akoma ma shumë: “…
Që tani i ashtë kërkue dhe ashtë i detyruem në bazë të rolit të tij institucional të japë spjegime të menjiherëshme, bindëse për sa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të gënjeshtërt të përgjigjes tij të kontestueme”. Toni kërcënues grek gjeti përgjigjen e dytë, të kujdesëshme dhe diplomatike, si zakonisht nga organet europiane, tue theksue përsëri nevojen e dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve shqiptaro-greke: “Komisioneri (J.Hahn) inkurajoi të dy palët që të vijojnë bashkëpunimin.
Kjo ashtë fryma me të cilën përgjigjet Komisioneri nji numri pyetjesh nga anëtarët e Parlamentit Europian, dhe ata duhet të shihen në këte dritë”, deklaroi zadhanësja Maja Koçiançiq. Ideja e dialogut në mes të dy vendeve për problemin çam nuk ashtë e re. Studjues të problemit çam e kanë parashtrue edhe ma parë.
Në vitin 2013, Robert Elsie, nji emën shumë i respektuem, theksonte: “Në të ardhmen jo të largët, dimensioni europian duhet të hyjë në lojë për problemin çam, dhe do të ndihmojë në gjetjen e nji zgjidhjeje”. Mbas takimit të 6 qershorit 2016, në mes të dy ministrave Bushati-Kotzias, që nuk përfundoi në nji marrëveshje, ministri Bushati deklaroi “… Qasja e jonë ka të bëjë me respektimin e të drejtave të kësaj popullsie (çame).
Besojmë se ashtë e mundun që të marrim shembull nga praktikat më të mira, si p.sh.gjermano-françeze për respektimin që i u benë viktimave të luftës botërore”. Në vitin 2002, tue folë në nji “Seminar për Çamërinë” të mbajtun në Fordham University, New York, unë shpreha këte mendim, tue citue gazetën The New York Times të datës 11 dhetor 1996: “Një klauzolë e Paktit gjermano-çek thotë se pala çeke çfaqë keqardhjen për faktin që kaq shumë vuejtje dhe padrejtësi u janë berë një popullsie të pafajshme nepërmjet dëbimit dhe rivendosjes së detyrueshme të Sudetëve gjermanë nga ish-Çekosllovakia, për shpronësimet e dhunëshme dhe heqjen e nënshtetsisë, si dhe për faktin që ky veprim është berëme hedhjen e fajit mbi viktimët në formë kolektive’”.
(Theksi i im. SR) Ky dokument ofron përsëri keqardhjen e Çekisë për “ekseset e bëra në kundërshtim me parimet elementare të humanizmit”, si dhe për faktin që legjislacioni (çek) i mbas luftës “i ka legjitimuar…”. Deri tani, autoritetet çeke nuk kanë pranue përdorimin e fjalës “dëbim me dhunë”(expulsion) sepse një përcaktim i këtill nënkupton të drejtën e kompensimit të pasurive të humbura.
Si shqiptar, shoqërimi i idesë së dëbimit me dhunë dhe persekutimit të çamëve në Greqi dhe nga autoritetet greke që nga viti 1878, dhe përsëri në 1912-16, dhe 1918 deri në vitin 1945 me masakrat e forcave të djathta të gjeneralit N.Zervas dhe mohimin e së drejtës së kthimit ne trojet stërgjyshore nga njena anë, dhe i idesë së paktit gjermano-çek nga ana tjetër, të dënimit të aktit nga fajtori dhe përpjekja me reparue sa ma shumë që të jetë e mundun padrejtësinë e kryeme me qellim të hapjes së nji kapitulli të ri në marrëdhanjet nëmes të dy vendeve fqinj- ashtë i paevitueshëm.
Pakti gjermano-çek tregon rrugën e bame nga dy vende perëndimore drejt bashkimit në nji Europë të lirë, demokratike, dhe të qytetnueme– Europa që edhe shqiptarët sot synojnë!- dhe nxjerr në shesh egërsinë e mentalitetit ballkanik që çfaqet hapun në qendrimin zyrtar dhe reaksionar të të gjitha qeverive greke të mbasluftës së fundit. Ndërkaq, viktimët çamë vuejnë përsëri efektet e nji padrejtësie të zbatueme me nji brutalitet ekstrem, nji qendrim që presidenti çek, Vaclav Havel, e ka karakterizue si “primitivizëm” dhe tribalizëm”, dy terma që na kujtojnë Mesjetën dhe obskurantizmin.
Pak kohë para firmosjes së Paktit, Presidenti Havel tue folë “për spastrimin etnik” në Bosnje dhe të “këtilla akte barbare” tha: “Ata që (aktorët) duen të na thonë ashtë: “Kemi folë mjaft për Auschwitz-in. Koha e demokracisë europiane ka kalue, ajo që na duhet të shikojmë për të ardhmen ashtë utopia e shtetit të pastër etnik. Ky mesazh ashtë mesazhi ma i tmershëm që kam ndigjue në jetën time, ma i tmershëm edhe se komunizmi”.
Natyrisht, lindë pyetja: Sudetët gjermanë kanë shtetin e tyne amë, Gjermaninë, që i mbron; po shqiptarët çamë? Ku ishte për 45 vjet të gjata qeveria komuniste e Shqipërisë (që hoqi arbitrarisht me dekret qytetarinë (nënshtetsinë) e tyne greke dhe krijoi premisat për përjashtim të përhershëm të kësaj popullsie nga trojet stërgjyshore) dhe ku ashtë sot shteti nanë demokratik që nuk e ngren zanin në mbrojtje të të drejtave ma elementare të popullsisë çame, të drejtën e jetës së lirë si qytetarë me të drejta të plota, dhe të zotënimit të pasunisë private të dokumentueme, që ashtë nji nga themelet e shoqërisë civile, të qytetnueme?
Përsëri heshtje publike për këte plagë të hapun e që rrjedh gjak të kombit shqiptar, heshtje publike që mbetet nji njollë e zezë dhe e pashlyeshme për qeveritë e ndryshme të shtetit shqiptar. Heshtja publike ashtë vrasja e dyfishtë për popullsinë çame në Shqipëri dhe në Greqi. “Fati i shqiptarëve çamë ashtë nji nga sekretet ma të errëta të historisë moderne europiane”, shkruente profesor Noel Malcolm, i Universitetit Cambridge, U.K. “Shumë pak vemendje i ashtë kushtue tragjedisë së bashkësisë etnike çame”. Profesor Robert Elsie, bashkautor i nji libri dokumentar për Çamërinë, konkurron: “Çamëria ashtë nji nga tragjeditë e harrueme të shekullit njizetë”.
***
Ka kalue koha e manifestimeve folkloristike! Ka ardhë koha e kalimit nga folklori në dokumentacionin historik. Kjo ashtë detyra e jonë sot. Punë serioze për zhdukjen e perdes së gënjeshtrave që kanë mbulue të vërteten mbi problemin çam për dekada të gjata. Kombi shqiptar ka sot burime intelektuale të afta, dhe të gatëshme me u mobilizue në mbrojtje të së vërtetes dhe të të drejtave legjitime të bashkëkombësve tonë çamë me objektivitet.
Pozita zyrtare e Greqisë ashtë e qartë: vepro “nga pozita e forcës”! Pak ditë ma parë, me 15 tetor, ministri i Jashtëm grek, Z.Kotzias, haptazi dhe pa doreza diplomatike kërcënoi Shqipërinë dhe politiken e saj me fjalë ofenduese të dinjitetit të nji shteti te pavarun: “Mos harroni. Ne jemi shumë ma të fortë!” deklaroi ai. E pabesueshme! Por në këte atmosferë, shqiptarët kanë të drejtë me rikujtue “operacionet fshesa” që torturoi qindëra mijëra punëtorë të emigruem mbas vitit 1991 në kerkim të bukës së përditshme. Me gjithë se ky kërcënim bahet ndoshta për konsum të mbrendshëm në këto ditë të vështira për Greqinë, ai ashtë nji qendrim shqetësues.
Arroganca greke vazhdon me mbajtë në fuqi të ashtu-quejtunin “Ligji i luftës” që në vitin 1941, nji model i absurditetit diplomatik, me nji shtet që ka përfundue Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Reciprok, dhe të dekretuem nga nji monark që u hodh jashtë vendit me referendum popullor nga masat greke. Shqipëria e okupueme nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë sherbehej nga elementë bashkëpunëtorë e servilë të okupatorit. Nga frika e Italisë, Kryeministri grek, gjenerali Metaxas, mbylli Legaten shqiptare në Athinë, përfaqësuese e sovranitetit të shtetit shqiptar, dhe i mohoi strehimin politik Mbretit Zog dhe familjes tij.
Por sot ka elementë përparimtarë grek që e kundërshtojnë këte anomali me qellime anmiqsore ndaj nji fqiu që në ditët e krizës për bukë të viteve të luftës në Greqi, hapi dyert e ndihmës dhe solidaritetit me popullsinë e uritun greke. Me 4 nandor 2001, në Hotelin Roosevelt, New York City, nji grup i vogël shqiptaroamerikanësh (dhe unë) kapasë nji takim me ish ministrin e Jashtëm grek, George Papandreu. Ai foli për marrëdhanje shumë të mira me autoritetet shqiptare (“very close relations”) dhe në nji atmosferë miqësore, ai deklaroi se “…ky ashtë shekulli i shqiptarëve në Ballkan, sepse u ndërgjegjsuen vonë kombëtarisht”, si dhe theksoi pozitën e vështirë të shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa insistoi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën.
Me këte rast, unë përfitova me kërkue heqjen e “Ligjit të Luftës 1941”, mbajtja e të cilit ashtë nji anomali. Ai buzëqeshi dhe akuzoi elementët ekstremistë grekë në Parlament, e shtoi: “Besoj se mbrenda nji viti ky ligj do të abrogohet!”. Na e falënderuem, por deri tashti, 25 vjet ma vonë ky legjislacion mbahet në fuqi për shantazhe kundër Shqipërisë. Ma konkretisht, mbajtja e këtij “ligji” pengon shqyrtimin e problemit të pronave çame të sekuestrueme nga Greqia arbitrarisht. Mbas kësaj pyetjeje, ministri Papandreu kërkoi falje sepse nuk kishte ma shumë kohë për bisedim, falënderoj dhe u largue.
Na ishim të përgatitun me shtrue çeshtjen çame, por nuk u dha mundësia. Vrejtës të vemendshëm kanë theksue “urrejtjen” greke për çdo gja shqiptare, sidomos mbas shpalljes së Pavarësisë greke në 1830. Pushtimi shumë shekullor turk u largue përfundimisht, por popullsia myslimane e vendit u ba objekti i urrejtjes fetare greke dhe i vendosmënisë greke– që vazhdon edhe sotme krijue nji shtet grek etnikisht të pastër. Raporte ushtarake britanike të datës 9-14 prill 1945 të N/Kolonelit britanik, C.A.S.Palmer, të shkrueme gjatë vizitës së tij në veri të Greqisë konfirmojnë këte atmosferë.
Ata theksojnë urrejtjen irracionale të popullsisë lokale greke për çamët myslimanë. Raporti vazhdon: “Sulmet që pranohet të jenë ba në datat 12 e 13 mars 1945 janë nji vazhdim i ndjenjave ekstreme anti-shqiptare të grekëve në atë krahinë, ma shumë se nga provokimet nga ana e vetë shqiptarëve. Si rrjedhim, nuk ka mbetë në Greqi asnji shqiptar”. Dhe, “… ashtë krejtësisht e pamundun për çamët me u kthye në vatrat e tyne, derisa Greqia e veriperëndimit të mos vihet nën kontrollin e plotë të qeverisë greke”.
Raporti vazhdon me konfirmue se çamët kanë jetue në zonat ma të mira rreth qyteteve, përfundon: “Si rrjedhim, gjithmonë ka ekzistue nji ndjenjë e fortë urrejtjeje dhe xhelozie nga ana e grekëve kundër çamëve në atë zonë…. Pretendimet greke se Shqipëria deri në lumin Shkumbin ashtë e popullueme me “grekë”, përbajnë kërkesa që kalojnë kufinin e paraqitun zyrtarisht nga të gjitha qeveritë greke; ata japin përshtypjen e kërkesave pa mbështetje dhe të pa përgjegjsi, të paraqituna vetëm sepse ekziston nji urrejtje shumë e thellë ndaj shqiptarëve.
Ky sentiment urrejtjeje ashtë shumë i fortë dhe drejtohet jo vetëm kundër çamëve, por kundrejt të gjithë shqiptarëve, në përgjithësi”.(Theksi im.SR) Raporti i N/Kolonelit C.A.S.Palmer, si dhe ato të oficerave tjerë britanikë, hjedhin dritë mbi kontekstin e valës së krimeve greke kundër çamëve myslimanë në Çamëri- dhe kundërshtojnë ndoshta edhe mohojnë- tezën greke të krimevet çame ose të bashkëpunimit çam me okupatorët italianë dhe gjermanë. Megjithate, ekzistojnë dokumente që provojnë bashkëpunimin e disa elementëve kolaboracionistë çamë me autoritetet okupuese, revanshizëm, nji fenomen i ngjashëm me ate të të gjitha vendeve ballkanike të okupueme, si dhe akte individuale persekutimi kundër popullsisë lokale greke.
Ashtë detyra e historianëve nga të dyja palët me hjedhë dritë mbi këto ngjarje të hidhuna. Fatmirësisht, në dekadat e fundit, zane fisnike shkollarësh grekë janë ngritë në mbrojtje të së vërtetës, dhe kanë kontribue në sqarimin dhe kuptimin korrekt të ngjarjeve në kontekst të kohës dhe hapësinës. Kambëngulja zyrtare greke se “…Myslimanët e Çamërisë… e kuptuen që, ishte e këshillueshme me shkue bashkë me gjermanët në tërheqjen e tyne drejt Shqipërisë, e jotë qëndrojnë aty në vend me pritë gjykimin për fajin e bashkëpunimit me okupatorin nga autoritetet e Qeverisë greke” vazhdon akoma sot, pa asnji bazë që qëndron. Greqia ashtë e njohun per mosdënimin e bashkëpunëtorëve me okupatorin gjatë viteve të Luftës Dytë Botënore.
Përjashtohen këtu shqiptarët myslimanë të Çamërisë që nuk kanë pasë mundësi me u ankue, dhe që humbën të gjithë pasunitë private me konfiskim të pasunive “të abandonueme”. Ndeshkim kolektiv! Fjala “tërheqje” në vend të “dëbim” (expulsion) nuk përdoret me qellim, nga grekët sepse nënkupton damshpërblimin për pasunitë e sekuestrueme. Nji Raport britanik i datës 8 janar 1945 jep këto përfundime: “Problemi turko-grek (fjala turk përdoret për popullsinë myslimane) nuk ashtë zgjidhë akoma. Nëse Greqia do të ketë nji qeveri nacionaliste në fund të luftës, ai problem do të jetë, pa dyshim, moslejimi qoftë edhe inji turku (shqiptari mysliman) në Greqi, dhe se problemi ashtë vetëm ai i pakicës greke në Shqipëri, dhe se zgjidhja e vetme që mbetet ashtë me zgjanue kufinjtë e Greqisë deri në Shqipërinë e Mesme.
Nëse ELLAS do të kontrollojë Epirin e Veriut në këte ndërkohë, ka mundësi që turko-shqiptarët mund të lejohen me u kthye në vatrat e tyne, dhe ka mundësi që të inkurajohen me u hakmarrë kundër forcave nacionaliste të Epirit. Çdo përpjekje me kënaqë kërkesat e nacionalistëve grekë natyrisht do të kundërshtohet me fuqi nga Shqipëria, dhe në të njajtën kohë do të krijohet edhe nji problem tjetër pakicash. Nga ana tjetër, në se ELLAS do të lejonte kthimin e turko-shqiptarëve në Greqi, i gjithë problemi nuk do të ishte ma afër zgjidhjes.
Çdo veprim që mund të bahet, me përjashtim të nji zgjidhjeje radikale siç ashtë shkëmbimi i popullsive, kjo gjendje do të jetë njena nga shumë problemet e vogla, por me gjemba, ashtu siç janë shumë të tjera sot në të gjithë Ballkanin…”. (R.Elsie and B.Destani Eds. The Albanian Cham Population in Greece. (Taurus, London, 2013, f.350) Sot, 71 vjet ma vonë, problemi çam mbetet nji plagë e hapun për kombin shqiptar. Deklarata e Komisionerit J.Hahn ashtë nji hap cilësor në zgjidhjen e këtij problemi që pritet të jetë i pranueshëm nga të dy palët. Le të shpresojmë!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej