Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Një proces poshtërues, që nderon pedagogun dhe turpëron studentët

Nga Media 0

Nga Mero Baze

Një nga pedagogët më të vjetër të matematikës në Universitetin e Tiranës, Thanas Xhillari, po përballet prej kohësh me një presion të pisët të një grupi shantazhues studentësh, të cilët nuk marrin dot provimin e matematikës.

Nasho është i njohur prej 40 vitesh si pedagogu më i rreptë dhe më konservator i matematikës në Universitet, që në një farë mënyre ka qenë ndër vite paniku i çdo studenti të dobët në matematikë. Ai është nga katër-pesë emrat e pedagogëve legjendë të Universitetit të Tiranës, të njohur pikërisht për faktin që e ke të vështirë ta marrësh provimin. Kjo është një histori që përsëritet në mote, duke i bërë nder Universitetit dhe duke i vënë një stekë serioze cilësisë së arsimit në universitet.

Shantazhet e fundit ndaj tij nuk do të kishin shumë vëmendje, sikur të mos përdoreshin politikisht.

Ajo që ka ndodhur ndaj tij në heshtje, është tejet e shëmtuar.

Disa studentë ngelës, nga ata që nuk marrin dot prej vitesh një 5, kanë gjetur si zgjidhje të bëhen aktivistë të “Lëvizjes për Universitetin” dhe për ta merituar aktivizimin, sulmojnë në mënyrë anonime, kurrë me emër konkret, dhe kurrë me ndonjë rast konkret, profesor Nashon, meqë me këtë pastaj mund të bëjnë politikë.

Segmente politike opozitare që kanë kapur “Lëvizjen” kanë vënë gjashtë muaj më parë Prokurorinë në lëvizje për këtë çështje, në një proces poshtërues, që për fatin e keq të tyre, është mbyllur 100 për 100 në favor të profesorit të nderuar.

Pa zhurmë, pa bujë, pa u ankuar tek askush, pa ngritur zërin për shantazhet ndaj tij, duke udhëtuar vërtet në autobusat e linjës në Tiranë, duke qenë asket në jetën e përditshme dhe i prerë në profesionin e pedagogut, ai ka shkuar në Prokurori rregullisht, u ka çuar prokurorëve gjithë provimet e studentëve që kanë mbetur në vite dhe ka kërkuar prej tyre, se qoftë dhe nëse njëri prej tyre e meriton të kalohet dhe ai e ka mbetur, shkon me dëshirë në burg.

Pastaj u ka çuar dhe provimet e studentëve që kanë kaluar, pasi kanë ngelur njëherë, për të kuptuar se kanë kaluar ata që e kanë merituar.

Prokuroria, e cila është aktivizuar nga “indiciet e shtypit” me procedurën “kryesisht”, ka mbyllur hetimet pas gjashtë muajsh dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes, pasi nuk qëndron asnjë akuzë.

Gjithë kjo histori e pistë shantazhi ndaj një profesori të nderuar vetëm se nuk pranon të vërë një notë 5, pa e merituar, për një tufë studentësh katranjosë, që meqë nuk bëhen dot studentë, kanë vendosur të bëhen revolucionarë, është një ilustrim i hidhur i atij pisllëku që politika në vend të luftojë ta pastrojë nga Universiteti, po përpiqet ta kultivojë përmes shantazhit.

Nëse ka një problem Universiteti ynë publik sot, nuk ka vetëm numrin anormal 140 mijë studentë, por faktin që atë e mbarojnë të gjithë.

Universiteti i Tiranës ka fare pak profesorë si Nasho, të cilët çuditërisht, në vend të ishin në piedestal të nderit, tentohet të poshtërohen, pasi janë pengesë pikërisht për mekanizmin kryesor që ka zhvlerësuar universitetin, blerjen e diplomës.

Hetimi dhe gjykimi i tij gjashtë mujor në heshtje, është provë suksesi për një karakter të fortë pedagogu, por dhe një kambanë alarmi për krimin që fshihet në emër të politikës apo “Lëvizjes” studentore brenda Universitetit.

“Lëvizja për Universitetin” duhet  të jetë një lëvizje studentësh cilësorë, që duhet të kërkojnë të marrë vlera dija e tyre dhe jo të përfaqësojë makthet e atyre që nuk marrin dot 5 me profesor Nashon. Ata studentë kanë ekzistuar që ditën e parë që profesor Nasho ka shkelur në Universitetin e Tiranës dhe vetëm pedagogë të tillë mbajnë në këmbë ashtin e Universitetit cilësor.

Jo vetëm profesor Nasho, por dhe pedagogë të tjerë të nderuar të Universitetit, janë anatemuar kohët e fundit, pikërisht se ata nuk tolerojnë të kalojnë këta tipat që ankohen se nuk marrin dot provimet. Askënd nuk kam dëgjuar të ankohet për pedagogët e “Kristalit” që janë ende pedagogë në universitetin publik, apo për pedagogët që i kanë bërë praktikë standarte pagesat e provimeve apo ryshfetet.

Është regresive që akuzat bëhen pikërisht ndaj atyre që nuk marrin ryshfete, pasi ata bëjnë përjashtim nga rregulli që ka degraduar sot Universitetin publik.

Por tani, meqë kalvari poshtërues ndaj tij ka kaluar dhe përmes filtrit të Prokurorisë dhe Gjykatës, ai së paku ndjehet i pari pedagog skrupuloz i Universitetit që ka bërë dhe vetingun juridik të tij.

Është mirë tashmë që çdo student që bën akuza të tilla, duke u bërë pjesë e lojës politike, të bëjë vetingun e tij, të dëshmojë notat e tij dhe problemet që ka pasur me ecurinë në mësime. Dhe natyrisht, vetingun e çdo profesori, nga ata “të mirët”, që nuk ngelin në klasë asnjë. Dhe ndjehen të kënaqur të dy palët, pasi në vend të diturisë, shkëmbejnë para.

 

/gazetatema.net/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej