Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Një mal mall për malin!

Nga Media 0

Nga Behar Jacaj

Kam dashur të të shkruaj shkëmbarak. Në kohën kur mallkimi i vjetër, “folsh me gishta” u përmbush, unë kam dashur të të shkruaj ty. S’e kam bërë. Jo se më është dukur ide e çartur t’i shkruaj një mali, aspak, sot shkruesit e rinj i shkuajnë bijve dhe bijave që do kenë,  i shkruajnë qyteteve të huaja, i shkruajnë madhështisë së tyrë haluçinante, e traplliqe të tilla si këto. Një trapllik më shumë nga ana ime nuk do të çonte heler.

Nuk të kam shkruar sepse e kam ditur që germat e mia, të rreshtuara si milingonat që enden mbi barkun tend, nuk të hyjnë në sy.  Ti di gjuhë të tjera, gjuhën e jehonave, e rrufeve, gjuhën e furtunave. Megjithatë të shkruaj sot. Siç ndodh zakonisht me letrat e dashurisë, jo që të më dëgjosh më shumë se sa të të flas.

Mbaj mend kur endesha në kreshtat e tua dhe çadren e drejtoja si grykë topi kah shtëpi dhe automjete që ravijëzoheshin karshi teje. Nuk e di nëse ky veprim, i pavetëdijshëm siç është bërë e modës të thuhet, vinte nga urretja që ndieja për to, apo nga madhështia që më jepte lartësia jote. Por për dreq, tani jetoj në një vend ku automjetet dhe shtëpitë gjigande kanë zaptuar horizontin, dhe më ndalojnë të shikoj trajta të tjera, të ngjashme me trajtën tënde gjigande.

Gjithashtu mbaj mend që në skeletin tënd këndoja.  Kohë më vonë kam menduar që jo vetem unë, por edhe shpendët këndojnë për të mbytur heshtjen tënde të rendë. Mëndo dhe dhe tani që ngjis ndonjë mal tjetër, dhe në retinë kam pamje që kisha kur ngjitesha në ballin tënd të vrazhdë. Të kam urryer shumë atëherë, shkëmbaraku im i dashur, s’e ke idenë se sa. Nuk të betohem. Përbetimet i hyjnë në punë dashurisë, jo urrejtjes. Të urreja kur më vrisje gjunjët, kur më trembje me heshtjen tënde, kur më fshihje dhentë, kur lartësia jote më merrte frymën teksa e ngjisja, kur nuk më jepje ujë. Por edhe të kam dashur. Kur të gjithë ngulnin këmbë se ti nuk je asgjë më shumë sesa një pirg shkëmbinjsh, i pudrosur me nje shtresë dheu dhe i sperkatur me shkurre, unë ngulja këmbë për të kundertën. Të quaja vigan i heshtur dhe dëshiroja të bëhesha sa ty.  Se di ç’e doja gjithë atë madhësi. Për të shkatërruar ndoshta. Gjithë ajo madhësi vetem shkatërrimit mund t’i shërbejë. A ndoshta për të mos ndjerë. Megjithëse gjithmonë kam pasur bindjen se ti ndien dhe shumë. Këtë mendova së fundmi, kur degjova se ishe djegur i gjithi. Anjë shkurre nuk të kishte mbetur, veç një cehre e ngrusyr qymyri mbi gurët e tu të bardhë. Kur dëgjoja se shkaqet e zjarrit, sipas dokumenteve zyrtare quheshin shkaqe natyrore, e pata të pamundur të mos mendoj atë që kam menduar gjithmonë, që ti ndien, ndien aq shumë sa nga malli digjesh. Por e shkunda veten aty për aty. Durimi yt i gurtë nuk mund të më lejojë të çartem në tru. E di që ty nuk ta ndien edhe për një zjarr vjeshtak. Ti do gjethosh sërish në behar. Ndoshta edhe ta ndien, ku ta dish. Tek e fundit ne jemi të vegjel per të kuptuar vetminë tënde të madhe.

Letrat e mallit e kanë këtë veti, qyrraviten ca si shumë, zgjaten pa nevojë ca si teper, ndaj që të mos dukem qaraman, ti më ke mësuar se koka mbahet gjithmonë lart, do e mbyll. Në mbyllje do të të them faleminderit që më ke mësuar që për t’u ngjitur duhet të të merret fryma, të të vriten gjunjët, të të zhuritet buza. Tek e fundit,  pakkush mund ta shikojë dhe të dehet nga horizonti që hapet si çarcaf i sapo larë nga nusja më e bukur. Fundja, ballin tënd pakkush ka këmbë për t’a shkelur. Në mbyllje, ti e di që në mbyllje do kthehem tek ty. Deri atëherë kam ca punë për të bërë. Deri atëherë, mirëmbetsh miku im. Të përqafoj siç të përqafoja kur isha voçrrak edhe ëndërroja të behesha sa ty.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej