Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Një histori emocionuese dhe e dhimbshme dashurie nga Napoli në Shkodër… Ishte viti 1942…

Nga Media 0

Nga Gjergj Jozef Kola

Një histori emocionuese dhe e dhimbshme dashurie nga Napoli në Shkodër me zanafillë në vitin 1942. Kjo që po ju sjellim, është një histori dashurie e veçantë ndërmjet një djali shkodran dhe një vajze italiane nga Napoli, që jo vetëm ka kapërcyer pengesat e një lidhjeje të përzier në origjinë e zakone, por që ka kaluar prova e sakrifica të rënda njerëzore dhe emocionale, në kontekstin e instalimit të diktaturës në Shqipëri.

Të gjitha varzave e grave që ndoqën dashuninë e tyne deri në fundin e botës – ja kushtoj

Kjo ngjarje e vërtetë dhe e pabesushme asht e shkrueme në stilin e pemëve, të cilat në mrendësi të tyne e shënojnë kohën me anë të rrathëve. Prandaj mënyra se si e kallxojmë nji historie asht shpesh ma e randsishme se historia vetë.

Ai ishte në mbrojte të diplomës së arkitekturës, ndërsa ajo sapo kishte nisë studimin e arkitektures, kur u njoftën, në pranverën e vitit 1942. Ishte nji dashuni me shikimin e parë, njashtu siç bjen hana e plotë mbi gjiun e Napolit dhe të jep përshtypjen se nuk ka me ikë kurrë ma.

Në muejin që ai mori diplomën e arkitektit, ata vunë kunorë në kishën e “Shën Markut” dhe thirrën tanë kushërijte e kojshite në dasëm.

“Regjinela, Regjinela!”,  thirrte  Napoli unison dhe këndonte kangën e famshme me të njëjtën emën sikur kjo kange të ishte emblema e jetës së saj.

“Tu mi hai voluto bene a me..”

Regjinela që po martohej me nji arkitekt nga Skutari matane detit, 20 vjeçe krenohej me studentin e dashunisë së saj të parë e të madhe, tash qe ai po bahej burri i jetës së saj.

Kurrë nuk do ta mendonte se pikërisht shkolla e naltë që ai mbaroi në qytetin e saj do të kthehej në ndëshkimin ma të madh të jetës së tij dhe të sajën.

Sikur ta kisha dijtë, nuk të kisha lanë kurrë me e mbarue shkollën e ma mirë të kishe mbete pastiçjer, si unë dhe familja ime“, i thotë tash që shkon dhe e takon në burgun mes maleve.

Në Shkodër çifti i ri erdhi në vitin 1943 e po atë vjeshtë që makineria fashiste kapitulloi dhe në vend te saj erdhi ajo naziste. E para kishte ardhë me dëshirën me ndejë, ndërsa e dyta ishte vetëm në kalim. Kur ata të dy kalonin nëpër “Rrugën e madhe” të  Shkodrës nga dy anet hapeshin dritaret dhe njerëzit i kqyrnin për bukuri e mrekulloheshin.

Regjinelës i dukej se ishte ne teatrin e operas te Napolit dhe dritaret ishin lozhet nga drejtoheshin qindra sy.

Tash që ajo shkon me strajcat në “Burgun e montagne”, siç e quan dygjuhësh, ndeshë prep me qindra sy që e shohin matanë hekurave të kampit dhe nga dritaret takon vështrime të tjera, ku jeta ka mbetë e varun si qira të fikun.

Qytetit, ky çift i lumtun i dashunisë që kishte lanë Italinë me ardhë në atdheun e arkitektit, ja largonte sadopak trishtimin e luftës së dytë botnore, dhe pasigurinë që do të sillte fundi i saj. Marku, arkitekti i talentuem e shembi shpinë e prindve në G´juhadol dhe për 7 muej ndërtoi nji të re, para syve të dashunisë së tij. Elementet napolitane të ndërthurun me ato shkodrane i jepnin pamje te gezueshme strehës së dashunisë rinore.

Kur shpija dykatëshe mbaroi në vjetin 1944 lindi edhe djali i parë, Jozefi, që u quejt kështu në kujtim të babës së Regjinelës. Në katedralen “Kisha e madhe” e pagëzuen nji të djelë shtatorit, kur liqeni i Shkodrës asht ende i vokët dhe të duket sikur nji qytet i tanë po pagëzohet në ujë te bekuem.

Ditën, kur u mbyll katedralja dhe skulpturat e Idromenos, këtij da Vinci të qytetit u tërhoqën zvarrë me karroca, Regjinela me fëmijët e saj pau mermerin e pagëzimit të përgjakej nga njerëz të pafajshem dhe e kuptuoi se kishte ardhe nji kohe e pashpirt dhe nji dimension i tmerrshëm njerëzor.

Megjithatë, dashunia e saj nuk pat frikë e ajo vizatoi nji rreth ma të madh mbi rrethin e ngushtë të jetës, siç e kishte mësue gjithnji dashunia.

Ditën që komunistat morën pushtetin, thirrën të gjithë ata që kishin mbarue shkollat ne perëndim. Marku shkoi tanë shpresë me afrue dijet e tija në ndërtimin e nji të ardhme të re dhe demokratike, siç thuhej. Në vend të kësaj ata që u paraqiten aty me diploma të rregullta, u shpallën te gjithë armiq, u mbyllën në makina me partizanë të armatosun deri në dhambë dhe u dërguen ne nji burg te panjoftun, ne moçalet e jugut.

“Komunistat që kishin marrë pushtetin, si Hoxha dhe Shehu, kishin qenë studentë në perëndim, porse nuk kishin mujtë me mbarue asnji shkollë dhe kështu urrenin për vdekje këdo që kishte mbarue shkollën atje”, flitej nëpër qytet e kjo e skjaronte pak a shumë habinë e Regjinelës.

Për herë te parë mbas nji vjeti Regjinela e takoi të shoqin në kampin e punës si i burgosun. Marku ju lut me lotë ndër sy që ajo të merrte djalin dhe te ikte përgjithmone ne Napoli.

Ne Itali ka ardhë demokracia, ndërsa ne Shqipni po instalohet diktatura, nji diktaturë shumë ma gjakatare se fashizmi”, i tha Marku qe ishte dënue se kishte mbarue shkollën ne Napoli për arkitekturë.

Ajo vetëm i qeshte dhe ai ne brengën e tij nuk arrinte me pa se deriku shtrihej dashunia e Regjinelës nga Napoli dhe sa e fortë ishte kjo dashuni.

Dashunia e jonë deri këtu e ka pasë te shkrueme e nuk ban me e sfidue jeten ma shumë“, ju lutë Marku, arkitekti qe tash projektonte kanale kulluese si i burgosun e për dashuninë nuk kishte mbetë fort vend në jetën e tij.

Regjinela nuk iku aspak, madje ajo ndejti aty nji javë te tanë dhe arriti me marrë nji leje speciale. Si frut i kësaj jave erdhi në dritë Mario, djali i dytë, dhe mori kët emën ne kujtim të nanës së saj në Napoli. Dashunia e Regjinelës kishte ba nji zgjidhje krejt tjetër e të veçantë, para se cilës nuk e kishte ndalue as vendimi i gjykatës se Tiranës që dënonte me 10 vjet heqje lirie arkitektin Mark Kelmendi për “agjitacion e propagandë“.

Katin e parë te shpisë Regjinela e ktheu në nji “Pasticeria“. Çohej nadje herët dhe pjekte fugaçet e para dhe e mbushte lagjen me aromen e Napolit të largët. Për çdo rast qe kishin, njerzit porositshin dhe ajo thirrte tanë talentin e pastiçerisë napolitane.

“Dashunia kur don me mbijetue ja hapë gjithmonë rrugën vedit“, thoshte.

Fëmija i tretë ishte vajzë, Françeska, ne kujtim te shën Francesco di Asissi, ndërsa djali i katërt u quejt Gjenarin ne kujtim te shën Genaros se mrekullive napolitane. Te dy erdhën njeni mbas tjetrit, falë lejeve speciale që ajo kishte marrë nga komandatët e korruptuem me napolona arit.

Në vitin 1956, kur Marku i plotësoi 10 vitet e burgut dhe ato kishin 4 fëmijë, në vend që familja të bashkohej, Markut i dhanë edhe 10 vjet të tjera, “për mosrespektim te rregullave te burgut“, megjithse ai ishte i dashtun dhe i respektuem me të gjithë.

Sfidën e jetës nen diktaturë Regjinela e priti me stoicizmin napolitan. I qeshi sy për sy kohës dhe vazhdoi me i vizatue asaj nji rrath të madh dashunijet mbi rrathin e ngushtë të urrejtjes.

Në 6 vitet që rrjedhën, dashunia ju fali atyne edhe tre fëmijë të tjerë. Antoni, Luigji dhe Paola panë dritën e jetës. Tash ajo delte në “Rrugën e madhe” te Shkodrës me 7 fëmijët e saj që i ushqente me amelcinat napolitane sikur të donte ta mbante gjallë qytetin në idhnimin e tij ma të madh.

Fëmija rriteshin dhe nuk mund ta kuptonin se si baba i tyne ishte në burg vetëm se kishte mbarue shkollën në perëndim, në Napoli- Itali për arkitekturë, nji qytet nga vinte e ema dhe ata as që e dijshin se si ishte. Ironia e diktatures thellohej, kur atyne nuk ju delte shkolla e naltë, pikërisht sepse i jati kishte pasë guximin me e mbarue atë ne nji vend kapitalist si Italia.

Regjinela sa vinte dhe mbyllej ne vedi si nji shkurre drandofilet që me kohën i rrudhet lëkura e lulet megjithatë i jep prep njilloj të mrekullueshme. Ajo kishte nise të dridhej sa herë që vinte ai gjashte mujori ku kishte takim special me dashuninë e saj. Tashma e jetonte, njashtu sic e jeton trupi i nji të semuri ilaçin qetësues, ishte plotësisht e varun prej dashunisë së tij, që ndodhej në burg, për fajin e vetëm se kishte mbarue shkollën në qytetin e saj.

Regjinela kishte vendosë me e sfidue nji diktaturë te tanë me pasionin e saj si nanë, prandaj lutjeve që i bante shtetit dhe partisë për falje dhe kthim të burrit në shpi, si nanë 7 fëmijësh u shtonte gjithmonë nji ndjesi qytetnimi dhe aspak mëshiret.

Para se me mbarue 20 vitet e burgut Marku vdiq në rrethana të pakjarta dhe jo vetëm që nuk ju dha nji shpjegim familjes, porse as trupi nuk u kthye, simbas ligjit se nji i dënuem edhe i vdekun i përket burgut.

Regjinela sapo i kishte kapërcye te 40 e vendosi me hjedh velin e zi, të cilin nuk e hoqi deri në fund të jetës së saj. Dashuninë e zemrës e mbushte përditë me fëmijët e saj që i ngjanin aq shumë Markut, babës qe kishin pa vetëm disa çaste kalimtare në jetën e tyne.

Trupi i saj i hollë dhe elegant si nji sirenë napolitane erdhi dhe u frye nga amelcinat tue largu edhe lakmitë mashkullore te qytetit.

Kur e pyetshin për Napolin thoshte se Napoli asht nji pikë loti në synin e saj dhe nuk ka me ra kurrë prej aty.

Fëmijët i rriti dygjuhësh, ku italishtja e Dantes dhe shqipja e Fishtës i mbushnin dhomat me jetë te gjallë e ajër te pastër. Ajo vetë fliste nji shkodranshe te lehtë me nji linjë te hollë te akcentit napolitan, gjaqi edhe njerëzit ma te pashpirtë ne botë i detyronte te ndaleshin e ta shihnin me amelci.

Ne vitin 1993 me te ardhë demokracia, Papa Vojtila, i pari ne historine e Romës, vizitoi Shkodrën e  Regjinela mbushi 70 vjet, prej te cilave 50 i kishte kalue ne Shqipni. Po atë vjet ajo dhe fëmijët mbasi paguen nji shumë të mirë komandantave të mbetun gjallë të burgut, morën vesht vendvorrimin, nxorën eshtnat e Markut dhe i varrosën ne Rrmaj, vorret katolike të Shkodrës.

Tash ajo shkon përditë dhe i vendosë drandofile te freskëta dhe nji fukaçe të sapo pjekun mbi pllakën e mermertë. Me kët gjest sikur don me kallxue se po plotëson ditët qe nuk ka mujtë me ja nise, atje në dhomat e akullta te ferrit.

Nji ditë të djelë për “Rrshajet” që ajo i quente Pentecoste, aty nga mjesdita ajo shkoi në katedralen e qytetit. Mas meshës për të shoqin, ajo nuk erdhi në shpi dhe kur e kërkuen e gjetën se si ishte mbështete mbi vorr afër fotos se dashunisë se saj dhe zemra i kishte pushue së rrahuni.

E varrosën bashkë me Markun, burrin e vetëm të fatit të saj, që aq pak kishte pasë fatin me e gezue në jetë. Fëmija erdhën nga Italia vetëm për varrim, ndejën disa ditë mandej ikën menjiherë.

Në vendin ku babën jau mbyllën nji jetë në burg, vetëm se kishte mbarue shkollën në perëndim dhe nanën ja çuen deri në kufijtë e çmendisë, vetëm se ndiqte nji dashuni të madhe, nuk donin me jetue ma.

“Ne kët vend”, thojnë ata, “e keqja s’ka me u shkulë kurrë, për pa u djegë deri në rranjë”!

Tash vijnë shumë rrallë, vetëm në përvjetorë, apo paguejnë dikë me ju çue lule në vorreza. Ata janë kthye në vendin e nanës së tyne, në Napoli, ndërsa e ama jeton në vendin e dashunisë se saj, në Shkodër, përjetsisht me dashuninë. Sejcili ka zgjedhë me jetue vendin qe i kërkon zemra.

Vetëm dashunia e ka aftësinë me i ruejtë të gjitha ngjarjet tona, njashtu siç regjistron pema ne rrathët e mrendshëm, kohën e saj.

Vjenë, 2018.

https://sq.albanianews.it/tregim/amore-forte-mondo

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej