Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Nisma e Carlo Bollino-s? Kur hajduti thërret: “Kapeni hajdutin!”

Nga 27-shi 0

Nga Enkel Demi

Disa ditë më parë, Carlo Bollino, pronar i shqiptarja.com bëri më dije që portalet kryesore në Shqipëri kanë vendosur një farë rregulli për të mos pirateruar lajme, komente apo shkrime nga njëra faqe në tjetrën. Rregulli ishte fare i thjeshtë; faqet on line, kur ribotonin një shkrim do të ishin të detyruara të vendosnin link-un e burimit, në mënyrë që t’i çojnë disa klikime më shumë origjinalit.

Duke mos i hyrë faktit joetik cili portal është “i madh” apo “i vogël”, ku kriteri i matjes është i dyshimtë, nisma që e shmang këtë gjë është për t’u lëvduar dhe për t’u përshëndetur.

27.al që nuk e di nëse e ka në refene Carlo Bollino dhe shokët e tij, nuk ka botuar asnjëherë lajme pa cituar burimin, por fill pas këtij komunikimi kjo faqe ka vendosur link-un përkatës, megjithëse nuk kuptohet si aderohet në një lëvizje të këtillë kaq të shëndetshme. Ma merr mendja, derisa zbaton këtë rregull duke botuar link-un në fund të shkrimit je i përfshirë automatikisht. Nejse, 27.al nuk e mat veten me të “mëdhatë”, pasi nuk shquhet për zakonin të shkojë në kafene dhe të thotë jam 100 mijë klikime në ditë apo më shumë. Nuk është aq e “madhe”, sa të guxojë të botojë ngjitur me kokën e editorialistit shkrimin: “Ja 13 stilet e seksit anal”. Por, nuk e ka për zemër të vjedhë e aq më pak të vidhet.

Shkurt, për të mos lodhur kokën e askujt: Këta të “mëdhenjtë” vjedhin ditës për diell tëpkë si të “vegjëlit”. Vetëm në këto pak ditë janë mbi dhjetë raste që shkrimet e 27.al, jo vetëm ribotohen pa link-un përkatës, por as citohet kund nga është marrë kjo gjë. Një shënim timin të para ca ditëve për një libër të Alfred Pezës ma botuan të gjithë të tjerët me titull të ndryshuar nga një tjetër portal, të cilin madje as atë nuk e citonin, meqë pati “meritën” të ndryshonte titullin. Origjinali mbeti si jetim në faqen 27.al, ku vazhdon tek pullë si qëndrestar.

Të njëjtin fat pati një replikë e Arben Llallës me Panajot Barkën, kurse dje, sot e me siguri dhe nesër një shkrim i Alma Nikollit është marë copypaste nga 27.al dhe është botuar pa kurrfarë citimi në këto portalet që janë të “mëdha” dhe janë në listën e sipërmendur të kësaj nisme të vyer.

Prandaj, duke e respektuar shumë dhe duke e mbështetur pa masë nismën e Carlo Bollino-s dhe shokëve të tij, dua të konstatoj që deri më tani kjo lëvizje etike ka pjellë vetëm një devizë: “Hajduti thërret kapni hajdutin!”

P.S. Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi; nuk akuzoj posaçërisht Carlo Bollino-n dhe mediat e tij, por një sërë portalesh që ai paraqiti në një listë aleance në luftën kundër piraterisë on line. Pikërisht, për lehtësi, kjo listë në këtë shkrim ka emrin e botuesit në fjalë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej