Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Ngritja dhe rënia e Kuvendit të Shqipërisë

Nga Media 0

Nga Artan Fuga

Kuvendin e Shqipërisë e kanë quajtur tempullin e Demokracisë. Kjo ndodhi pra, pas vitit 1990, kur nga pluralizmi i partive lindi Kuvendi i parë i Shqipërisë, i supozuar që në mënyrë të lirë përmbante delegimin e sovranitetit të kombit. Konsiderohej jo vetëm si tempulli i fjalës së lirë, por me ligjet e nxjerra, edhe si mekanizmi me të cilin populli në liri qeveriste veten me ligjet që përfaqësuesit e tij bënin.

Por si tempujt e tjerë, edhe ky tempull quhet me një fjalë që thërriste ardhjen e një drame, sikurse Nabukodonosori digjte tempullin dhe përzinte hebrenjtë, ose si e përdhosnin tregtarët tempullin që Jezusi u detyrua t’i përzinte me kamxhik…

Kuvendi i Shqipërisë nisi të bënte kuadrin e ri ligjor të vendit dhe kështu u hodhën bazat e ligjshmërisë, që premtonin se do të ngrihej një strukturë politiko-shoqërore demokratike në Shqipëri.

Fillimisht populli pa në Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm përfaqësuesit për të cilët kishte votuar vetë drejtpërsëdrejti, por edhe që kishin një nivel arsimor dhe kulturor shumë më të lartë sesa niveli mesatar i shoqërisë në përgjithësi.

Nga ai Kuvend, gradualisht nëpërmjet transmetimeve televizive, audiencat masive nisën të kuptojnë politikën e re, mësuan terminologjinë e re politike, kishin një lloj aksesi në qeverisjen e shoqërisë, si edhe nga figura të nderuara që atje nuk kanë munguar të marrin fjalën si tribunë të vërtetë, masat arritën të frymëzohen nga ideale kombëtare dhe shoqërore të larta.

Kanë rënë qeveri si në vitin 1991, në vitin 1997, 2001, por Kuvendi nuk ka rënë kurrë. Ishte institucioni i fundit i shtetit që mund të supozohej që mund të sulmohej sepse atje flinin shpresat e popullsisë, ishte siguresa e fundit e shtetit, që askush nuk e luante me dorë. Sulmoheshin institucionet e tjera si Kryeministria, Ministria e Brendshme, Presidenca, por asnjëherë Kuvendi i Shqipërisë. E kundërta e asaj që ndodh sot, kur sulmohet Kuvendi dhe jo institucionet e tjera të shtetit. Pse nuk sulmohej Kuvendi? Sepse kontrata ishte bërë, çdo deputet atje ishte i zgjedhur nga populli dhe prandaj populli nuk mund të sulmonte veten e tij.

Kur them populli, asnjëra palë e militantëve sepse fjala “popull” është shumë e madhe dhe askush nuk mund ta mati dot se kush ka me vete “popullin”, aq më shumë që ky “popull” përfshin në vetvete dhe të mirin edhe dreqin, edhe të ziun edhe të bardhin, edhe horrin edhe naivin, edhe të ndershmin edhe maskarain, të gjithë kanë të drejtë të çojnë në Kuvend përfaqësuesit e tyre.

Nisi pra, apogjeu i një institucioni, lartësimi i tij, ngritja e tij në zenith.

Nuk thonë kot të vdekurit e mëdhenj, që duhet me u ruajt nga apogjeu, nga pika më e lartë e ngritjes në karrierë a në pushtet, sepse pas kësaj pike, vjen stanjacioni dhe rënia.

Konfuci e thoshte bukur, që trishtohej kur ishte në zbritje të një mali sepse do të vinte e përpjeta e malit tjetër dhe gëzohej nga ngjitja, sepse pas saj do të fillonte zbritja.

Kuvendi i Shqipërisë nisi ta konsiderojë veten si një institucion përtej vlerave dhe moralit të demokracisë, si një pushtet që prodhon ligje, por vetë de facto është përmbi ligjin.

Përse ndodhi kjo? Mund të ketë shumë arsye. Mundet që klasa e deputetëve, duke marrë disa mandate radhazi nisi ta konsiderojë veten si elita e përhershme politike e kombit dhe nuk pranonte të zbriste nga kolltukët e Kuvendit të Shqipërisë.

Ndofta u dhjamën në pasuri dhe nga bashkëjetesa e gjatë, palët politike në Kuvend nisën të shkëmbejnë privilegje dhe ndere me njëri- tjetrin. Unë jam deputet në pushtet, por marr në punë njerëzit e afërm të kolegëve të mi deputetë të opozitës dhe anasjelltas.

Ose ndofta ka ndodhur ajo që ka shkruar disa dekada më parë Herbert Markuz, sipas të cilit, në kushtet e shoqërive moderne lind rreziku i madh, që edhe opozita të nisi të bëhet nga pikëpamja e interesave, mendësive, pasurisë, e integruar në të njëjtin sistem privilegjesh sikurse edhe klasa politike në pushtet.

Grupet e deputetëve që u përkojnë partive politike kaluan disa herë në parajsën e pushtetit dhe aty u infektuan me privilegje dhe me mendësinë, se ata dhe vetëm ata e bartnin pushtetin e sovranit.

Në këtë dehje nga vetëquajtja e vetes si “tempull”, pra si vend i të shenjtëve, i të pakritikueshmëve, i të përjetshmëve, i të pacenueshmëve, i të venerueshmëve, i të paprekshmëve, Kuvendi i Shqipërisë deshi të ngrihej edhe më lart se vetë ajri, deshi të fluturonte në galaksitë e mbipushtetit.

Nga institucion i deleguar në pushtet nga kombi, në një çast, kombi, zgjedhësi, qytetari, populli u hoq dhe ai nuk votonte më direkt përfaqësuesit e tij në pushtet, deputetët, por thjesht hidhte votën për listat e partive që përgatisin kryetarët e partive politike. Jo vetëm aq, por duke parë se deputetët ishin tashmë një klasë politike më vete, ku ngjashmëritë ishin bërë më të mëdha sesa dallimet midis kampeve politike, populli nisi ta shiste votën. E çfarë ta donte!!!

Kështu Kuvendi i Shqipërisë, krahas njerëzve të ndershëm, nisi të mbajë si deputetë edhe individë me rekorde kriminale, individë që për t’iu fshehur ligjit kishin ndryshuar emrin dhe mbiemrin, si edhe shumë mediokër, me nivel më të ulët sesa mesatarja kulturore e zgjedhësve, prapanicëlëpirës, individë që kërkonin pasurim të lehtë mes pushtetit, lloj-lloj parazitësh, që kurrë nuk kishin bërë ndonjë punë në jetën e tyre.

Kuvendi i Shqipërisë në dehjen nga madhështia e një tempulli si vend i shenjtë, si vakëf, nisi të kërkojë edhe më shumë pushtet nga lart dhe nga poshtë, të merrte pushtet nga të dyja anët. Etja për pushtet u bë e jashtëzakonshme. Nga poshtë ji mori pushtetin zgjedhësit, i cili tanimë votonte vetëm për lista emërore partiake dhe jo për deputetë të veçantë si persona konkretë; nga lart nuk pranonte më kurrë Kuvendi i Shqipërisë të kishte sipër kokës së vet një institucion tjetër, së paku verifikues a korrektues. Gjykata Kushtetuese e nxjerrë nga Kuvendi, pra nga partitë politike atje, as nuk guxonte kurrë të ndërhynte sistematikisht për të kthyer pas ligje, por thjesht kërkonte redaktimin e tyre, Presidenti i Republikës zgjidhej në fund të procesit me një shumicë të thjeshtë, edhe ai mbeti pa kompetenca, kurse një dhomë të dytë senatoriale, Kuvendi i Shqipërisë i dalë nga ethet partiake, as ka pranuar kurrë të ekzistojë.

Pa asnjë pushtet kontrollues ndaj tij, pa fre, pa litarë, pa byzylykë, Kuvendi i Shqipërisë dalëngadalë “u çmend”, domethënë nisi të iki nga funksionet e tij.

Këtu nisi edhe rënia e tij. Sot jemi në këtë fazë rënieje. Nuk shkruante kot Osvald Shpengleri një shekull e ca më parë, se çdo gjë në shoqëri i ngjan njeriut, pra ka fazën e vet të lindjes, të maturimit dhe të rënies.

Nga Kuvend i përbërë nga individë deputetë, Kuvendi u kthye në institucion, brenda të cilit kishte grupe politike, por jo deputetë që gëzonin faktikisht përgjegjësinë e vendimmarrjes individuale.

Kuvendi që tashmë kishte marrë të gjitha kompetencat e administratës, gjykatave, mediave, ekzekutivit sepse të gjitha përmblidheshin te pushteti i partisë, pra i krerëve të partive politike parlamentare, nisi të bëjë gjithçka, veç ligjeve që përfshijnë interesin mbarëkombëtar. Ligjet u politizuan, Kuvendi nis të “hetojë, brenda tij bëhen fushatat elektorale dhe gradualisht sherri politik u shndërrua si forma e vetme e asaj që mund të quhet fushatë elektorale e përhershme, e pandërprerë, e bazuar te hilaritetet, te fjalët e shkurtra vrastare, te ofendimet e ndërsjella, e kështu me radhë.

Meqë u bë realisht vendi i vetëm i shtetit edhe shumica, edhe opozita aty me ligjërata politike kërkojnë të zgjidhin çështje që i takojnë funksionimit të gjykatave, prokurorisë, administratës civile, e të gjithë hallkave të tjera shtetërore në përgjithësi. Në këto kushte, opozita u ndodh në kurth sepse në Kuvend nuk mund të zgjidhen këto çështje, sepse aty sundon dhuna e kartonit, e shpjeguar para dy shekujsh që në veprën mbi demokracinë në Amerikë nga ana e Tokëvilit.

E enjtja ku transmetohen seancat e punimeve të Kuvendit në televizione u bë një ditë ilariteti popullor që tejkalon çdo skeç, estradë, varietet, komedi. Imazhi i Kuvendit të Shqipërisë shkoi në shkallën më të fundit me një nivel reputacioni, që sipas sondazheve që unë njoh, është edhe më i ulët sesa i Policisë, i universiteteve apo i spitaleve publike.

Dalja e opozitës së tanishme nga Kuvendi i dha atij një goditje të rëndë. Është në përgjegjësi të këtyre partive politike opozitare që të matin pasojat e aktit të ndërmarrë. Të marrësh pjesë dhe të bësh betejë politike në një Kuvend ku nuk pyetesh, sikurse ka ndodhur me qindra e mijëra herë edhe në vende të tjera në histori, apo të braktisësh lojën politike duke iu kthyer rrugës, kjo nuk është aspak një shaka dhe sjell mbi vete përgjegjësi aq të mëdha, saqë pasojat e këtij akti mund të sjellin kthesa historike aq të paparashikuara, saqë përballjen me to mund ta bëjnë ose vizionarët e ndritur, idealistët e mëdhenj, heronjtë e vërtetë, ose kokëkrisurit e papërgjegjshëm, gjaknxehtët e çartur, apo naivët e pandreqshëm.

Përtej goditjes ndaj politikave të qeverisjes kemi një fakt, një ngjarje, një rezultat që nuk është as më shumë, por edhe as më pak, por vetë rënia e Kuvendit të Shqipërisë si pasojë e degradimit shumëvjeçar të tij nga vetëfryrja si tempull i demokracisë, tek institucioni që sot është jo vetëm më i kontestuari, jo vetëm me imazhin më të ulët nga të gjitha institucionet e tjera të shtetit, por edhe i dalë krejtësisht nga funksionet parësore që ai do të duhej të kishte.

Mund ta diskutoj një herë tjetër këtë temë të daljes së partive politike opozitare nga Kuvendi i Shqipërisë, sado me të meta dhe i degraduar të jetë ai, nëse publiku dëshiron, por ndërkohë futja në këtë Kuvend e deputetëve nga listat rezervë, është një degradim edhe më i madh. Marrja e mandatit nga kandidatët e listës, funksionimi i Kuvendit duke u bazuar te prania e tyre, do të ishte kriza e krizës së Kuvendit të Shqipërisë.

Këta deputetë që marrin mandatet kanë legjitimitet prej partive që i kanë vendosur në listat elektorale dhe nuk kanë legjitimitet nga vetja e tyre. Është absurde të mendosh që ata mund të kenë legjitimitet në një Kuvend, kur partia politike që i ka vendosur në listat e kandidatëve për deputet është tërhequr për të mirë a për të keq të Shqipërisë, e debatojmë një herë tjetër këtë çështje, nga pjesëmarrja në këtë Kuvend.

Dhe rënia e këtij Kuvendi bëhet edhe më e dukshme, kur shohim se ai, si vendi ku sovrani ka deleguar pushtetin e tij, sulmohet nga një pjesë e sovranit, kurse pjesa tjetër e sovranit ose qëndron e bën sehir, ose vazhdon jetën e vet sikur të mos ketë ndodhur gjë.

Tempulli i demokracisë e ka humbur shenjtërinë e vet. Goditjet nga jashtë, nga kushdo që të vijnë, sado të legjitimuara ose jo në vetvete, tregojnë se Kuvendi nuk është më i paprekshëm, nuk është më i virgjër, i paatakueshëm.

Përtej krizës politike, kemi një krizë institucionale. Kuvendi i Shqipërisë si akumuluesi i panginjur i të gjitha pushteteve, pas të cilit qëndrojnë në fakt partitë politike që e kanë zhdukur deputetin si përgjegjësi individuale, mund të marri një rrugë që në rënien e vet të shkasi njëherë e përgjithmonë në humnerë bashkë me shansin demokratizues të Shqipërisë. Të pranojë të lëshojë pushtetet, të jetë vetëm pushteti legjislativ, i dalë vërtet nga vota popullore, i bazuar te deputeti si person juridik përgjegjës, dhe jo sikurse është sot – kjo është rruga e reformave të shtetit në rënie sot.

1. Kuvend i Shqipërisë vetëm si pushtet legjislativ

2. Përgjegjësi individuale e deputetit

3. Zgjedhje të lira e të drejtpërdrejta për deputetët, jo për listat e partive politike.

Pa këto tri parime bazë reformuese të Kuvendit të Shqipërisë, pra, në fakt të institucioneve të qeverisjes së shtetit, pra pa një Republikë të Re, të tradhtuar, përbuzur dhe shkelur me këmbë si një flamur beteje i grisur, atij Kuvendi, por jo vetëm, do t’i bjerë me gurë çdo militant partie i inatosur, çdo qytetar që i ka humbur durimi, çdo individ që ndien se i bëhet padrejtësi, por edhe çdo person që merr adrenalinë nga dhuna ndaj institucioneve të shtetit, si mënyrë për t’i ikur thjesht dhe kolektivisht në turmë mërzisë urbane.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej