Ka than' i moçmi: 

“Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: Ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve”.

                                    -Faik Konica

Ndihma sociale si puna e qylit dhe të varfërit që nuk ngopen me bukë

Nga Klodiana 0

Nga Kujtim Xhaja

E diel…mëngjes i ftohtë…

Dal i përgjumur nga dera…me përtesë bëj të zbres shkallët e pallatit…

Rrugën ma pret komshiu përkrah…

E përshëndes, i them një “mirëmëngjes” të vakët, por vë re që dëshiron të më thotë diçka.

E shoh të shqetësuar, seç ka një brengë përbrenda…

Dëgjo, më thotë, ti si gazetar që je duhet të më ndihmosh…”

Ankohej se i kishin prerë ndihmën ekonomike, pretendonte se ish’ penalizuar padrejtësisht nga skema e re…

Para se t’i ktheja një përgjigje, u mata njëherë me vete dhe mendova:

Jetesa në komunitet, e aq më tepër në një pallat, na bën të gjithëve të fusim “pak hundët” tek puna e tjetrit, e si shqipëtarë që jemi e kemi për zakon t’ia bëjmë mirë llogaritë.

Dimë çdo gjë për tjetrin që na rrethon, ku punon, sa fëmijë ka jashtë vendit, e madje deri sa i shkon rroga në fund të muajit.

Edhe unë si shqiptar që jam, bëra një llogari të shpejtë, aty-aty:

Me një punë të mirë në një ndërrmarrje shtetërore, me dy fëmijë të rritur jashtë vendit, me një grua në punë dhe me një makinë të mirë, komode për moshën e tij, zotëria përpara meje “qahej” e pretendonte me ngulm për atë “copë” përkrahje sociale, që sipas tij ia kishin hequr pa të drejtë!

E të mendosh, sa raste të tilla do të ketë si ky në këtë realitet që jetojmë?!
Ndonjëherë mendoj se shqiptarët kanë patur përherë një marrëdhënie të mirë me “qylin”. Siç thotë edhe ajo shprehja tipike shqiptare “Lypja ka faqen e zezë por, pa gjë s’të lë.”

Menjëherë pas daljes në media të lajmit për perjashtimin e familjeve abuzuse me ndihmën sociale shpërtheu menjëherë “revolta” në rrjetet sociale:

Mllef, sharje, mallkime nga shumica e përdoruesëve. Më bëri përshtypje një komentues, i cili reagonte ashpër për varfëri ekstreme dhe në foton e profilit në Facebook shfaqej i rehatuar mirë në një makinë luksoze…

Për vitin 2018 janë parashikuar të përfitojnë nga skema e re e ndihmës ekonomike plot 79.891 familje në nevojë.

Me një përllogaritje të thjeshtë del një masë mesatare mujore rreth 5.600 lekë në muaj për çdo familje, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet që mund të ndodhin.

E ta shqyrtosh ftohtë: Ç’mund të bëjë një familje në skamje me 5600 lekë në muaj? Të ushqehet, të paguaj ujin, dritat, apo të veshëmbathë edhe fëmijët e vegjël? Po shpenzimet në arsim, apo larg qoftë, ndonjë sëmundje?!

Në të gjithë këtë histori, e ashtequajtura përkrahje sociale vazhdimisht është ndeshur me paragjykime të shumta dhe është bërë pre e mjaft abuzimeve. Kohë pas kohe është diskutuar, është bërë pjesë e mjaft debateve mediatike, objektiviteti i saj.

Vallë ka qenë ajo gjithmonë e destinuar për familjet që vërtetë kanë nevojë për të? Për familjet me kushte të vështira strehimi, me të ardhura të ulëta, grupet në rrezik, apo jetimët?

Ndonjëherë politika shumë pragmatiste, e pandjeshme, ndonjëherë vetë ne të zënë nga egoja e sëmurë urbane, konkurrenca e pashpirt kapitaliste harrojmë dhe e kemi të vështirë të reflektojmë se diku në Shqipërinë tonë, në zonat më të thella malore, ose shumë pranë syve tanë jetojnë me të vërtetë familje që kanë nevojë për të…Jetojnë fëmijë jetimë, që s’kanë mundësi të shkojnë në shkollë, s’kanë mundësi punësimi, s’kanë një vakt të ngrohtë për të ngrënë…

Nganjëherë, grykësia e tepërt konsumiste e bën njeriun të kërkojë më tepër edhe atëherë kur ka, madje kur ka mjaftueshëm. E në një vend pa themele të fortë ligjorë, kjo kthehet në normë.

Ajo copë përkrahje sociale (kështu kam dëshirë ta quaj) nuk është zgjidhja më e mirë e gjetur, me atë vlerë, ajo do të mbetet përherë në kuadrin e një lëmoshe…ajo nuk përbën zgjidhje për këto familje, por është diçka…

Këto familje duhet të përfshihen në një plan të mirëfilltë punësimi, ato duhet të integrohen, të bëhen pjesë e politikave zhvillimore, përkrahëse.

Vetëm kjo është mënyra e vetme për t’i nxjerrë ato nga bataku dhe skamja që i ka mbërthyer, e ndërsa ne si njerëz të thjeshtë na mbetet të paktën të mos abuzojmë në kurriz të tyre…

Të mos bëhemi dyfish shkaktarë të vuajtjeve të tyre…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej